E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Arrest shtëpie për Sefgjinin

 

TIRANË- “Arrest shtëpie” për tre ish-drejtuesit e SHIK-ut, të akuzuar për rrëmbimin e Remzi Hoxhës.Kjo është kërkesa e riformuluar e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila kërkon nga Gjykata që të shprehet sot në lidhje me këtë masë sigurie të kërkuar ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini, Avni Koldashi e Budjon Meçe.Burimet zyrtare pranë organit qendror të akuzës konfirmuan për “Shekullin” se pas dorëzimit të kërkesës së parë, për caktimin e masës shtrënguese “ndalim i daljes jashtë shtetit” për tre të pandehurit, prokurori i çështjes, Xhevat Hana, ka kërkuar që ndaj të pandehurve të jepet një masë më e rëndë shtrënguese, ajo e arrestit në shtëpi.

Kërkesa e prokurorisë për tre të burgosur brenda shtëpive të tyre, të akuzuarit për zhdukjen e Remzi Hoxhës, pritet të marrë një përgjigje sot në orën 10:00 të paradites, nga gjyqtari i masave pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda, Fran Prendi. Ky i fundit do të shqyrtojë kërkesën e prokurorisë dhe vetëm paraditen e sotme do të mësohet nëse kërkesa e prokurorit do të miratohet. Gjithashtu, me caktimin e kësaj mase sigurie pritet që ministri i Financave, Ridvan Bode, të vendosë pezullimin nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini, pasi në kushtet e masës së arrestit shtëpiak, ai nuk mund të ushtrojë detyrën për të cilën e ka ngarkuar kryeministri Berisha.Sipas kërkesës së prokurorit Hana, me dhënien e vendimit të masës së sigurisë “arrest shtëpie”, gjykata do të urdhërojë të pandehurit të mos largohen nga banesat e tyre apo nga vendi ku kurohen apo mbahet me asistencë. Gjithashtu, në nenin 237 të Kodit të Procedurës Penale, ku parashikohet caktimi i masës së sigurisë “arrest shtëpie” theksohet se: “gjykata, kur është e nevojshme i vë kufizime ose ndalime të pandehurve për të komunikuar me persona të tjerë, me përjashtim të atyre që bashkëjetojnë me ta”. Mësohet gjithashtu se Prokuroria e Krimeve të Rënda, prej disa ditësh ka dërguar në çdo pikë kalimi kufitar të Shqipërisë fotografitë e të tre të pandehurve që ndodhen në Shqipëri si dhe të pandehurit në mungesë, Ilir Kumbaro, i cili mendohet se ndodhet i fshehur në Angli.

Burimet pranë togave të zeza pohuan djepër “Shekullin” se të pandehurit janë lajmëruar për zhvillimin e seancës së parë gjyqësore, më 15 maj. “Pas marrjes së adresave të banimit që ndodhen në kërkesën për gjykim, të përpiluar nga prokurori Xhevat Hana, për vetë të pandehurit dhe avokatët e tyre mbrojtës, kemi urdhëruar dhe dërguar me anë të nëpunësit të gjykatës fletë-thirrjet për orën dhe datën e shqyrtimit të kërkesës së prokurorisë së Krimeve të Rënda për vleftësim të arrestit dhe caktim të masës së sigurisë ndaj tre të pandehurve Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe”,-thuhet nga burimet pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Po sipas këtyre burimeve, mësohet se fillimi i shqyrtimit të çështjes gjyqësore nga themeli është caktuar nga kryesuesi i pesëshes gjykuese, Xhelal Elezi, kur të pandehurit do të ulen për herë të parë në bankën e të akuzuarve për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Po sipas burimeve nga akuza mësohet se nuk mund të kërkohej një masë më e rëndë se ajo e arrestit shtëpiak për tre të pandehurit, pasi afatet e paraburgimit për ta kanë mbaruar, pas arrestimit të tyre të parë në vitin 2003.

Neni 237

“Arresti në shtëpi”

1. Me vendimin e arrestit në shtëpi, gjykata urdhëron të pandehurin të mos largohet nga banesa e tij ose nga një vend i caktuar ku ai banon, kurohet ose mbahet me asistencë.

2. Kur është e nevojshme, gjykata i vë kufizime ose ndalime të pandehurit për të komunikuar me persona të tjerë, me përjashtim të atyre që bashkëjetojnë me atë.

3. Prokurori dhe policia gjyqësore kontrollojnë respektimin e urdhrave që i janë dhënë të pandehurit.

4. Për kohëzgjatjen e arrestit në shtëpi vlejnë rregullat e caktuara për paraburgimin.

5. Koha e qëndrimit në arrest në shtëpi llogaritet në caktimin e dënimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›