Legalizimet, 500 emrat që do të tërheqin lejet në Tiranë
Agjencia e Legalizimeve publikoi dje 500 dosje legalizimesh që janë miratuar tashmë dhe që personat përfitues duhet të paraqiten para agjencisë rajonale të legalizimit për të bërë pagesat përkatëse e më pas të tërheqin lejen e legalizimit. Bëhet fjalë për 500 ndërtime në njësinë bashkiake nr. 11 në Tiranë. Qytetarët duhet të paraqiten për të kryer pagesat. Qytetarët duhet të tërheqin faturat pranë Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-it Tiranë, si dhe duhet të kenë më vete dokument identifikimi. ALUIZNI do të publikojë çdo muaj, sipas një grafiku, emrat e qytetarëve për dosjet e përfunduara. Ndërkaq, ndryshimet në ligj futën në proces, krahas uljes së taksës së infrastrukturës që shkon për pushtetin lokal, edhe letrat me vlerë. Nga ana tjetër, ata që kanë ndërtime pa leje dhe që lejohen nga ligji për të paguar tarifat sipas ligjit me bono privatizimi, duhet të bëjnë një kërkesë në Agjencinë e Legalizimeve. Kjo kërkesë duhet bërë jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit. Aktualisht, rreth 70 për qind e qytetarëve që kanë marrë lejen e legalizimit, e kanë paguar detyrimin financiar, por në rast se ata disponojnë bono privatizimi, qeveria do t’u kthejë lekët. Kjo do të thotë që ata të cilët e kanë paguar tashmë shtëpinë e tyre me letra me vlerë, mund të tërheqin paratë e dhëna për ALUZINI-n për t’i shkëmbyer me letra me vlerë. “Për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur të detyrimit apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë, në këmbim të dorëzimit të bonove të privatizimit, personat duhet të paraqesin kërkesë me shkrim pranë ALUIZNI-t brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji”, - thuhet në ligjin e qeverisë, botuar dje në fletoren zyrtare. Referuar ligjit të botuar dje në fletoren zyrtare, jo të gjithë që kanë një ndërtim pa leje, mund të paguajnë me letra me vlerë. Kështu, për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha, çmimi ndryshon në bazë të metrave katrorë. Me bono thesari paguajnë ata që kanë mbi 500 metra katrorë parcelë ndërtimore. Këta individë e paguajnë me vlerë tregu ndërtimin, kështu që sipas ndryshimeve ligjore, ata kanë mundësi të paguajnë me letra me vlerë deri në 50 për qind të vlerës së ndërtimit.