E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia në Gjirokastër, Bime kërkon para nga Berisha

Bashkia e Gjirokastrës miraton një fond prej 1,4 milionë lekësh për të ndihmuar 14 familjet e prekura nga shembja e pallatit pesëkatësh më 9 janar.

Ky është fondi që ka mundur të shkëpusë bashkia nga buxheti i saj i limituar dhe që do të shkojë për përballimin e nevojave emergjente të 14 familjeve.

Ndërkohë, mësohet se kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Bime, i ka shkruar një letër Kryeministrit Sali Berisha, të cilit i kërkon akordimin e një fondi të posaçëm për përballimin e situatës.

Fondi prej 1.4 milionë lekësh u miratua dje në një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak të Gjirokastrës, që ishte parashikuar të shkaktonte polemika, akuza dhe kundërakuza rreth tragjedisë së 9 nëntorit.

Mbledhja e jashtëzakonshme është karakterizuar nga një frymë përgjithësisht paqësore, duke lënë mënjanë konfliktualitetin mes dy grupimeve të këshilltarëve të majtë e të djathtë.

Në çelje të mbledhjes së legjislativit lokal gjirokastrit, të zhvilluar në orët e para të mbrëmjes së të hënës, kreu i këshilltarëve të Partisë Demokratike, Bexhet Çobani, ka ripërsëritur qëndrimin e tij për dorëheqjen e kreut të Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime.

“Ne këshilltarët demokratë kërkojmë që zoti Bime të reflektojë dhe të kryejë minimalisht dorëheqjen nga posti i kryetarit të bashkisë, si një gjest moral pas papërgjegjshmërisë me pasoja fatale”, është shprehur Çobani, duke e akuzuar direkt Bimen se “monopoli i ndërtimeve i koncentruar në duart e tij, përmes rrethit të ngushtë familjar, lejet e korruptuara, të pastudiuara, emërimet politike në detyra funksionale me rëndësi jetike dhe injorimi i mendimit të specialistëve përkatës, janë vazhdimësi e politikës së ndjekur nga kryebashkiaku gjirokastrit”.

Kësaj deklarate i është kundërpërgjigjur homologu socialist, Florijan Hysi, i cili e ka ftuar zotin Çobani dhe këshilltarët e tjerë që mund të kenë pretendime, t’u drejtohen organeve të drejtësisë, pasi në këtë mënyrë kontributi i tyre për zbardhjen e së vërtetës do të jetë i çmueshëm.

Pasi janë njohur nga kreu i bashkisë, Flamur Bime, me procedurat që janë ndjekur në ditët e para të tragjedisë, ndihmat e dhëna te familjet fatkeqe, këshilltarët kanë miratuar unanimisht akordimin e shumës emergjente prej 1.4 milionë lekësh dhënë një ditë pas tragjedisë.

Në fund, të 25 këshilltarët në shenjë solidariteti kanë derdhur rrogën e tyre mujore në llogarinë e hapur për 14 familjet e dëmtuara nga shembja e pallatit në lagjen “11 janari”.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›