E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronat, kujt i hiqet toka në përdorim dhe kujt i jepet

23/12/2009  Ekspertët: Janë 8 mijë familje që do të përfitojnë deri në 750 metra katrorë tokë në pronësi
Tokat në përdorim pritet të hiqen për rreth 8 mijë familje në të gjithë vendin brenda mesit të vitit 2010. Ndërsa për ta do të kalojnë në formën e kompensimit deri në 750 metra katrorë truall në zonë turistike. Ndryshimet e bëra në Komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese përcaktojnë kompensimin me 750 metra katrorë për familjet me mbi 6 anëtarë. Ndërsa në seancën parlamentare që pritet të mbahet sot, do të jepet vota përfundimtare për ta kaluar më pas në zbatim.
Projektligji
Ekspertët kanë bërë të ditur se janë disa kategori që do të preken në këtë rast. Ndërsa përfundimisht tokat e dhëna në përdorim do të kalojnë në pronësi. Kështu, janë pronarët e rinj që kanë përfituar nga ndarja e tokës bujqësore të ish-kooperativave apo ish-fermave, por që ende nuk mund t’i kalojnë në pronësi. Kjo pasi në kohën e ndarjes së sipërfaqes ajo ka kaluar në cilësimin “truall” apo “tokë në zonë turistike”. Në të dyja këto raste ligjet e ndalojnë ndarjen dhe përcaktojnë kthimin e plotë për ish-pronarët, ndaj deri tani këto kategori nuk kanë mundësinë ta regjistrojnë në hipotekë nga cilësimi “në përdorim” në atë të pronësisë. Gjithashtu sqarohet se janë vendimet e viteve 1993 deri në 1995 që preken prej këtij vendimi. Por nuk do të ketë rishikim për tokat që tashmë janë në pronësi, kur ato janë regjistruar sipas ligjit, por do të sistemohet vetëm problemi i tokave të mbetura pa u regjistruar.
Kompensimi
Gjithsesi, për të plotësuar kuadrin kushtetues të barazisë para ligjit, për këto familje u propozuar vendimi i dhënies në formën e kompensimit të 500 metrave katrorë truall. Kjo mbështetur në faktin se 500 metra katrorë truall ka një çmim të përafërt me rreth 1.5 ha tokë bujqësore. Kalimi në këtë formë kompensimi ose shpërblimi për deputetët fillimisht u cilësua e pranueshme. Ndërsa duke parë propozimet për favorizimin e familjeve me mbi 6 anëtarë, mazhoranca ka pranuar dhënien e një sipërfaqeje tokë truall apo turistike në masën 750 metra katrorë.
Procedura
Menjëherë pasi ligji të miratohet në Kuvend, do të jetë Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave që do të ndërmarrin aktet nënligjore për zbatimin konkret. Ndërsa pas Ministrisë së Bujqësisë, e cila ka paraqitur një hartë të tokave të lira, do të jenë dhe ministritë e tjera që do të japin të dhënat pranë AKKP-së për situatën e tokave të lira si në zonat turistike, ashtu dhe në troje në qytete. Por këto vetëm në rastet kur sipërfaqet kanë qenë të shtetit dhe jo të ish-pronarëve. Do të jetë ky fond i tokave që do të shërbejë për sistemimin përfundimtar të 8 mijë familjeve, por dhe për ish-pronarët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›