Gjendet 13-vjeçarja, dyshime për prostitucion në Tiranë
23/12/2009 Arrestohet një shtetas 22-vjeçar, mohon akuzën e shfrytëzimit: Më ndoqi me dëshirë
ELBASAN- Zbulohet në Tiranë e mitura 13-vjeçare, ishte larguar me një bashkëqytetar, i cili pasi e kishte shfrytëzuar seksualisht kishte vendosur ta përdorte si prostitutë. Të paktën këto janë akuzat e ngritura nga policia për shtetasin F. Çekrezi, 22 vjeç, i arrestuar nga agjentët teksa shoqëronte vajzën. I riu ishte shpallur në kërkim pasi tri ditë më parë ka marrë një vajzë të mitur 13 vjeç duke e mashtruar me premtime dhe është nisur drejt Tiranës. Familja ka bërë denoncimin në polici për largimin nga shtëpia të të miturës. Fillimisht agjentët kanë ndaluar një tjetër person që mendohet të ketë lidhje me “rrëmbimin” me qëllim përdorjen si prostitutë të 13-vjeçares më pas është arritur tek personi i dytë i arrestuar.
Shfrytëzimi
Policia ka deklaruar se 22-vjeçari ka qëndruar në vende të ndryshme në kryeqytet, në zona periferike bashkë me vajzën, e cila mësohet se ka pranuar vetë ta ndjekë. Qëllimi i 22-vjeçarit ka qenë shfrytëzimi për prostitucion dhe sipas policisë e ka bërë fakt, por ende nuk është vërtetuar nëse personat kanë kryer marrëdhënie në këmbim të parave apo jo me vajzën. Gjithsesi mësohet se me 13-vjeçaren kanë kryer marrëdhënie më shumë se dy persona. Ka qenë pikërisht dëshmia e vajzës që ka sjellë detaje mbi shfrytëzimin e saj për prostitucion. Pas regjistrimit të dëshmive dhe vizitës mjeko-ligjore e mitura i është dërguar familjes së saj që e kishte shpallur të humbur 4 ditë më parë. Por përpara agjentëve i arrestuari Çekrezi ka hedhur poshtë të gjitha akuzat. Ai ka deklaruar se ka qenë me vajzën, por pa asnjë qëllim tjetër pasi ajo e ka ndjekur me dëshirë. Ai ka thënë se kanë qenë me dëshirën e saj në Tiranë dhe ka hedhur poshtë gjithashtu akuzën për “marrëdhënie seksuale me të mitur”. Ndërkohë hetuesit duke pritur përfundimet e vizitës mjekësore dhe gjithashtu vlerësimin e dëshmisë së vajzës për të vazhduar procedimin për të riun 22-vjeçar. Aktualisht ai akuzohet për shfrytëzim të prostitucionit në rrethana të rënduara dhe “marrëdhënie seksuale me të mitur të kryer në bashkëpunim” parashikuar nga nenet 114/1,25 100/1 të Kodit Penal.