“Pronat në Greqi, na duhet ndihma e qeverisë për ndjekjen e gjyqeve”
“Marrja apo kompensimi i pronave të shqiptarëve në Greqi tashmë është një mundësi reale, nëse qeveria shqiptare do të lëvizë nga pozicioni i saj. Ne duam ndihmë dhe asistencë për hapjen e ndjekjen e gjyqeve në shtetin fqinj, me qëllim që edhe nëse nuk fitojmë, të kemi mundësinë universale të aplikojmë për të drejtën në Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut...”. Ky është në pak fjali argumentimi i Dr. Agim Koçillarit, kreut të “Shoqatës së Shqiptarëve me Prona në Greqi”, i situatës aktuale të problemit të pronave të shqiptarëve në Greqinë fqinje. Sipas tij, një klimë tejet e pafavorshme mban përfund të varrosur një nga çështjet më të mprehta mes dy popujve, atë të pronave të qytetarëve shqiptarë në Greqi, që rëndom dhe gabim është quajtur vetëm si çështja e pronave çame. Po sipas shpjegimeve të Koçillarit, pronat e shqiptarëve të shpërngulur me forcë nga Greqia nuk gjenden vetëm në zonën e quajtur Çamëri. Ato janë pak a shumë dy herë më të mëdha në sipërfaqe dhe shtrihen deri në veri të Greqisë, në zonën e Follorinës. “Por ndërsa në Shqipëri grekët e fitojnë davanë dhe arrijnë të hapin edhe shkolla vetëm për dy nxënës të konsideruar si minoritarë, shqiptarët ende nuk e kuptojnë se sa poshtë kanë rënë, duke mos arritur të përfitojnë asgjë nga pronat e tyre të ligjshme, nga të cilat janë shpërngulur në kohë të ndryshme me forcë, padrejtësisht dhe kriminalisht”, thotë Koçillari.
Zoti Koçillari, kur tentativa të ndryshme për të marrë tokat në Greqi nuk kanë sjellë asgjë të sigurt dhe kur përfaqësues të shtetit grek kanë deklaruar, se çështja e pronave të shqiptarëve tashmë është e mbyllur, cila është strategjia e gjithë faktorit shqiptar, që kërkon rikthimin apo kompensimin e këtyre pronave?
Çështja e pronave të shqiptarëve në Greqi, ku futen edhe ato të çamëve, është një problem i madh kombëtar, për të cilin fatkeqësisht asnjë qeveri shqiptare e pas vitit 1990, nuk ka bërë detyrën e saj ndaj interesave të kombit. Ne shpresojmë që me organizmin e ri tonin, pikërisht të vëmë në lëvizje këta të zgjedhur tanët për të bërë fillimisht detyrën e tyre ndaj kombit, që do të thotë edhe nisje apo rrugë për zgjidhje e kërkesave tona. Por ky abandonim nuk është krejt i ri. Pasi edhe qeveritë komuniste nuk janë marrë gjerësisht me këtë problem, përveç grabitjes së disa pronave, në baza individuale, nëpërmjet të ashtuquajturës Shoqëri Komisionere. Shteti komunist pasi kishte paguar me paratë tona avokatë grekë nga më të mirët, kishte ngritur një zyrë këtu që quhej Shoqëria Komisionere, e cila pasi u mori titujt pronarëve të ligjshëm, arriti të zgjidhte çështjen e disa pronave private, të ardhurat nga të cilat shkonin në arkën e shtetit. Janë qindra mijë hektarë tokë, pyje, troje ndërtimi, shtëpi, depozita bankare, prona të komuniteteve fetare, të cilat janë shfrytëzuar nga individët grekë dhe për të cilat shteti ka marrë fitimin çdo vit, duke e depozituar në Bankën Kombëtare në një llogari të posaçme. Është për të ardhur keq që kur flitet këtë problem, flitet dhe nënkuptohen vetëm pronat çame. Kjo, mendoj se është pasojë e injorancës së gjerë rreth problemit, por dhe e asaj, se ndërsa me çamët dhe problemin e tyre po merren shoqata dhe Partia për Drejtësi dhe Integrim, ne shqiptarët e tjerë që kemi banuar në Greqinë e Veriut rreth kufirit me Shqipërinë, në zonën e Follorinës, Kosturit, Selanikut, nuk kemi arritur të organizohemi më parë. Ne kemi punuar thjesht në baza individuale, derisa pak muaj më parë krijuam shoqatën tonë. I bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që kanë prona në Greqi, në Korçë, Kolonjë, Gjirokastër dhe në të gjithë rrethet e tjera, të sjellin dokumente dhe të regjistrohen në shoqatën tonë. Nëse ne nuk bëjmë asgjë vetë, shteti do të na harrojë! T’i kthehem direkt pyetjes tuaj. Që një problem të zgjidhet ai duhet shtruar për zgjidhje. Dhe këtij problemi nuk i është shtruar kush për zgjidhje a thua se ai nuk ekziston fare, nga ana tjetër mediat merren me varrezat greke, thua se në tokën shqiptare është bërë nami me ushtarë grekë të vrarë. Natyrisht kjo bëhet se grekët vazhdimisht punojnë për këtë problem duke e bërë fakt të kryer edhe pa pasur vendime të qeverisë shqiptare aq sa arrijnë që duke paguar, tinës të zhvarrosin edhe të vdekurit, që për turp të tyre, disa dolën gra e fëmijë. Shoqata e jonë, e krijuar një vit e ca më parë, është ngritur me qëllim që në këtë amulli ku nuk ka asnjë plan e strategji, të bëjë diçka për këtë problem kaq të madh kombëtar. Ne kemi grumbulluar dokumente, po kontaktojmë avokatë ndërkombëtarë, po i bëjmë presion shtetit shqiptar dhe do ta rrisim këtë presion në të ardhmen, po njoftojmë shtete të huaja dhe organizatat ndërkombëtare. Por një ditë të afërt nuk është çudi të na shihni edhe në protesta.
Kush duhet ta bëjë hapin e parë për zgjidhjen e këtij problemi?
Shteti, sepse ky është një problem që prek një numër të madh qytetarësh, me mijëra dhe nuk mund të zgjidhet në mënyrë private. Por shtetit i duhet bërë presion dhe ky është edhe qëllimi ynë. Shteti duhet të kërkonte mbledhjen e Komisioneve dypalëshe që janë parashikuar me Traktatin e Miqësisë dhe që në 12 vjet nuk janë mbledhur fare. I dëgjojmë këta politikanë që përmendin Traktatin, por një traktat i pazbatuar është vetëm një letër e vdekur! Ne duhet të bëjmë tonën, të përgatisim dokumentet, t’i përkthejmë, të bëjmë gjyqe trashëgimie, etj.
Çfarë i kërkoni shtetit shqiptar?
Shtetit shqiptar i kërkojmë, që të hedhë tej autosugjestionin dhe frikën nga pasojat. Boll me servilizma ndaj grekëve e lloj-lloj justifikimesh ndaj popullit, që i ka zgjedhur t’i përfaqësojë. Për shkollat e minoritetit grek në Shqipëri, grekët e detyruan komisionarin evropian Van Der Shtul të vijë disa herë në vendin tonë dhe sot kemi shkollë greke dhe për dy fëmijë minoritarë, kurse një familje shqiptare, autoktone në tokat e veta në Greqi, që i ka pasur që kur nuk ka ekzistuar ky shtet, pra të dokumentuara me tapi osmane të vjetra, prona që shkojnë deri 3000 hektarë, nuk gëzon asnjë të drejtë.
Natyrisht që mëkati më i madh ndaj nesh është ai që kanë marrë në shpinë socialistët shqiptarë, që ishin për 8 vjet në pushtet. Ata ishin në kushte më të favorshme sesa qeveria demokrate sot, pasi në të njëjtën kohë në Greqi ishin në pushtet socialistët e Papandreut. Për mua si shqiptar dhe intelektual, Fatos Nano si ish-kryeministër dhe Paskal Milo si ish-ministër i Jashtëm kanë lozur një rol shumë negativ ndaj çështjes së pronave shqiptare në Greqi, madje të qëllimshëm, për të cilin historia do t’i dënojë. Pasi gjatë kohës së mbretërimit të tyre ka pasur një periudhë të gjatë heshtjeje totale. Kohë kur shteti duhet t’i kishte grumbulluar pretendimet tona dhe t’i paraqiste ato në Komisionet dypalëshe, dhe ta ngrinte problemin në takimet me homologët grekë.
Si e shikoni këtë fenomen të vendosur përballë faktorit ndërkombëtar?
Për mua, baza e zgjidhjes së problemit është lufta e shtetit tonë, por pa ndihmën e faktorit ndërkombëtar ai nuk zgjidhet. Është fakt që në momente të caktuara shteti grek e ka pranuar atë si problem dhe ka premtuar zgjidhje, por pas 1997, jo vetëm që nuk e pranojnë, por kanë filluar të pretendojnë të kundërtën. Pra, lëshojnë akuza se Shqipëria ka bllokuar pronat greke në territorin e vet. Faktori ndërkombëtar nuk mund të bëjë asgjë, po nuk lëvizëm ne të parët, ne shqiptarët. Nuk themi të bëjmë atë që ish-kryeministri Aleksandër Meksi kërcënoi në 1994, se do ta çonte Greqinë në Hagë, por nëse problemi nuk zgjidhet në planin dypalësh, atëherë duhet ankuar në organizatat ndërkombëtare.
Ne si shoqatë kemi hartuar për këtë problem një peticion dhe kemi vendosur, që këto ditë atë t’i a dorëzojmë Presidentit të Republikës, Kryeministrit, ministrit të Punëve të Jashtme, ambasadave të akredituara në Tiranë. Një kopje do t’ia çojmë dhe BE, në Strasburg.
Pse nuk keni filluar zgjidhjen e ndonjë çështje me anë të gjyqeve?
Ka disa individë, veçanërisht të fesë ortodokse që kanë arritur diçka, por dhe ky është diskriminim i madh. Pse ortodoksët fitojnë dhe të tjerët jo? Ne po përpiqemi për t’u lidhur me studio të fuqishme avokatore, që të merren me zgjidhjen e kësaj çështje, por deri më sot jemi vetëm në bisedime. Individualisht nuk mund të dërgojmë dosje në Strasburg, sepse ligji e kërkon që fillimisht këto çështje të kalojnë katër shkallët e gjykatave greke dhe, pasi të mos jenë fituar atje, të dërgohen në gjykatën ndërkombëtare. Ne nuk kemi të holla të mjaftueshme, por as viza për të zhvilluar gjyqe në Greqi. Dhe ju e dini shumë mirë sa të jep ambasada greke viza. Qipriotët grekë kanë fituar ndaj shtetit turk gjyqe në Strasburg, por për këtë ata i ndihmoi fuqishëm shteti grek, kurse për ne, siç u shprehëm më lart, shteti ynë hesht.
A është i bashkuar faktori shqiptar që ka interesa me pronat në Greqi?
Po fillon të bashkohet rreth shoqatës sonë. Ne si shoqatë kemi rreth 700 familje të regjistruara të cilat kanë prona në Greqi. Regjistrimi vazhdon. Ndërsa nëse me faktor kuptoni partitë politike, jo. Ato as që merren me këtë çështje, veçanërisht opozita e sotme. Faktori shqiptar është i bashkuar dhe shumë madje, aq më tepër që bëhet fjalë për pasuri marramendëse: një fjalë i duhet dhe vihet në veprim. Por janë shumë faktorë që parashtrova më lart, të cilët e kanë bërë deri më sot jo shumë veprues këtë bashkim.
Ku mendoni se është duke u bërë sabotimi më i madh?
Për mua sabotim, që më lart e cilësova dhe si tradhti kombëtare, është bërë gjatë qeverisjes së socialistëve. Ai lidhet me neglizhencën që ka bërë të humbë koha. Koha e vret zgjidhjen e problemit, sepse dekurajon njerëzit, disa dhe janë të vjetër tashmë dhe vdesin, problemet juridike komplikohen... Ne si shoqatë kërkojmë që qeveria e jonë duhet ta verë në krye të axhendës së asaj në marrëdhëniet me Greqinë këtë problem. Mos harrojmë se sipas gazetarit dhe studiuesit Mentor Nazarko, pronat tona në Greqi arrijnë në disa miliarda euro. Marrja e tyre do të kishte efekt pozitiv në ekonominë apo mirëqenien tonë. Dhe në fund dua të shtoj diçka. Ky është një problem i madh për popullin tonë. Është fakt që në krye të kishës sonë ortodokse ne kemi një grek të mençur e të ditur si Hirësia e tij z. Janullatos. Ai duhet të kishte bërë dhe duhet të bëjë shumë për këtë problem. Nuk ka udhëheqës të lartë grek, që vjen për vizitë zyrtare në Shqipëri dhe nuk shkon ta takojë atë sikur të ishte ai ambasador i Greqisë në vendin tonë. Ai ka kërkuar që të bëhet nënshtetas shqiptar. Kjo është një kërkesë e mirëpritur, nëse ky njeri do të vihej në mbrojtje të interesave të shqiptarëve, se sa për kisha, xhamia apo teqe, ne shqiptarët, i kemi pasur për zemër aq sa na nevojiten dhe kjo filozofi na ka bërë që të mbijetojmë në shekuj, se edhe mund të ishim asimiluar si komb.
Bisedoi
Ferdinand Dervishi
Ligji grek
Ligji që bëri shtetin grek pronar të pronave të shqiptarëve të shpërngulur me forcë hyri në fuqi në vitin 1995. Ai njohu një afat 7-vjeçar për të dërguar në gjyq pretendimet e pronësisë. Menjëherë pas përfundimit të këtij afati, shteti grek u bë automatikisht pronar i këtyre pronave. Por pretenduesit shqiptarë kanë të drejtën të hapin gjyqe në shtetin fqinj.
Mundësia e vetme
Mundësia e vetme e pronarëve shqiptarë është që të hapin gjyqe pranë gjykatave greke deri në dhënien e vendimit nga Gjykata e Lartë. Vendime që ka të ngjarë në të gjitha rastet të jetë jo në favor të tyre. Në këtë moment qytetarët shqiptarë mund të aplikojnë pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Strasburgut dhe të shpresojnë.
Gjyqi i humbur
Në shtetin grek ka pasur të paktën një gjyq të njohur të ndjekur nga pretendues të një prone të shqiptarëve, të cilët kanë humbur. Gjyqi përfundoi më 2005 dhe gjykata doli me vendim kundër qytetarit shqiptar, duke i njohur të drejtën shtetit grek që ta shiste pronën e marrë në zotërim nga sekuestrimi konservativ i vendosur me anë të ligjit të luftës.
Ramiz Alia
Në vitin 1991, presidenti shqiptar, Ramiz Alia, shtroi në diskutimet me homologun Micotaqis çështjen e pronave të çamëve. “Çamët kanë bashkëpunuar me pushtuesit, por do të trajtohet problemi i pasurive të tyre”, ishte përgjigjja e grekut. Gjithsesi, në këtë rast dhe në vitin 1995 janë ngarkuar shërbimet juridike të ministrive të Jashtme të trajtonin pretendimet juridike për pronat në të dy vendet.
Traktati i 1996
Traktati i Mirëkuptimit, Fqinjësisë së Mirë, Bashkëpunimit dhe Sigurisë u firmos në mars 1996. Ky traktat përfaqëson mbylljen juridike të pretendimeve territoriale greke. Në nenin 15 thuhet: “Secila prej palëve nënshkruese duhet të zgjidhë brenda kuadrit ligjor në fuqi problemet që lidhen me heqjen e të gjithë pengesave dhe gëzimin e lirë të të gjithë pasurive të dy palëve në territoret e tyre”.
Gjeografia e pronave të shqiptarëve në Greqi
Në kufijtë e shtetit shqiptar, të vendosur në vitin 1913 me Traktatin e Londrës, mbetën territore të shumta jashtë kufijve realë. Veç Çamërisë janë dhe zona e Follorinës, Kosturit, Nestramit, Hurupisht (Argos), Konicës, Grebenesë, Janinës e Meçovës. Në këto zona ka pasur fshatra myslimane, të përziera dhe të krishtera. Greqia, në vitin 1924, bazuar ne Traktatin e Lozanës, në mënyrë të padrejtë dhe jashtë asaj që përshkruhej në këtë traktat përzuri me forcë si “turq”, banorët myslimanë. Vetëm në zonën Kostur, Follorinë, Nestram e Hurupisht u përzunë barbarisht mbi 30000 banorë. Shumica e tyre shkuan në Turqi, por një pjesë e mirë erdhën në Shqipëri dhe u vendosën në fshatrat buzë kufirit si dhe krijuan disa fshatra të reja në fushën e Korçës dhe Lushnjës.
Ata pak shqiptarë myslimanë, që mbeten pa u përzënë nga kjo shpërngulje e madhe, sidomos në fshatrat pas malit të Gramozit, u detyruan të largohen pas Luftës së Dytë Botërore, deri në vitin 1947.