Qeveria bllokon ligjin e LSI-së për moshën e tretë
BLEDAR HOTI
Qeveria dhe Kuvendi bllokojnë projektligjin e LSI-së për trajtimin e veçantë të moshës së tretë. Nisma e LSI-së u përfshi në axhendën e punimeve të komisionit parlamentar të Punës dhe Shëndetësisë, por një shkresë e mbërritur nga ana e qeverisë ka cilësuar si parakohe projektligjin e LSI-së, duke kërkuar shtyrjen e tij. Në mbledhjen e komisionit parlamentar të Punës dhe Shëndetësisë, u bë e ditur kërkesa e qeverisë për të shtyrë shqyrtimin, për shkak se po hartohej një strategji e plotë për pensionistët, që përfshin dhe moshën e tretë. Kjo kërkesë u bë publike në mbledhjen kur ishte i pranishëm ministri ai ri i Punës, Anastas Duro në mbledhjen e komisionit. “Ne kërkojmë që të shtyhet shqyrtimi i këtij drafti, pasi duam kohë që të realizohet strategjia”, theksoi sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punës, Gjergj Leka. Sipas tij, është e pamundur që strategjia e qeverisë të realizohet brenda këtij viti, si dhe brenda muajit janar të këtij viti mund të paraqitet për shqyrtim në Kuvend. Kryekomisioneri Tritan Shehu ka bërë të ditur, se do të kërkojë nxjerrjen nga axhenda e punimeve të projektligjit të LSI-së për ta diskutuar në momentin, kur qeveria të paraqiste në Kuvend strategjinë për pensionistët dhe moshën e tretë. Në datën 1 tetor, që përkon me ditën e moshës së tretë, LSI-ja dënoi mos angazhimin e qeverisë për miratimin e nismës së saj. Nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti shprehu shqetësimin për bllokimin nga ana e qeverisë për nismën e partisë që ai përfaqëson. Prifti deklaroi se qeveria të mbështesë p/ligjin, që ka bërë Lëvizja Socialiste për Integrim për kujdesin ndaj moshës së tretë. Kostoja financiare e këtij p/ligji është vetëm 70 milionë dollarë, një kosto, e cila është plotësisht e përballueshme nga buxheti i shtetit. Mjafton 1/3 e rritjes vjetore e buxhetit të shtetit, t’i jepet për zbatimin e këtij ligji, atëherë ai është menjëherë i zbatueshëm. Nuk ka një ligj, i cili ndikon kaq shumë tek qytetarët shqiptarë, janë rreth 500 mijë qytetarë shqiptarë, që janë sot në moshën e tretë dhe që përfitojnë nëpërmjet aprovimit të këtij ligji. “Nuk ka një ligj tjetër, përveç ligjeve të taksave, që vijnë në Parlament, që të ketë një ndikim kaq pozitiv, me ndikim kaq të madh me një numër kaq të madh të popullsisë në Shqipëri, janë rreth 500 mijë pensionist dhe të moshuar, që përfitojnë nga ligji jonë i moshës së tretë dhe kostoja është pothuajse 1.5 për qind apo 2 për qind e buxhetit të shtetit”, deklaroi Prifti.
Pikat e draftit
Projektligji i LSI-së parashikon hapjen e qendrave të veçanta për personat e moshës së tretë në çdo komunë dhe bashki
Nisma prek 500 mijë pensionistë që janë mbi 65 vjeç
Fatura e kësaj nisme është 70 milionë usd
Qendra e Përkrahjes ka si objekt të veprimtarisë së saj:
a) organizimin dhe zhvillimin e projekteve, të cilat përgatisin apo përmirësojnë aftësitë e individëve të moshuar në drejtime të ndryshme, sipas nevojave dhe interesit të këtyre të fundit;
b) organizimin dhe zhvillimin e projekteve, të cilat synojnë rehabilitimin psikologjik të individëve të moshës së tretë;
c) kryerjen e aktiviteteve me karakter humanitar, në interes të individëve të moshës së tretë;
d) rimbursimin e vlerës së shërbimeve dhe/ose mallrave për të cilat, individët e moshës së tretë, kanë të drejtën e përfitimit të tyre pa pagesë;
dh) organizimin dhe zhvillimin e veprimtarive me karakter artistik e kulturor;