Ari Han: Mërgim Mavraj e humbi shansin e tij
Jetmir Halilaj
“Kam lënë jashtë disa lojtarë, sepse dua të provoj disa të tjerë”. Ky është komenti i Ari Hanit, përsa u përket zgjedhjeve që ka bërë për ndeshjen miqësore kundër Azerbajxhanit. Trajneri i Shqipërisë ka folur edhe për Mërgim Mavrajn, i cili u ankua se tekniku kuqezi ishte treguar indiferent dhe se FSHF i kishte bërë presion për të zgjedhur nëse donte të luante apo jo për Shqipërinë. Tekniku holandez ka parë dje nga afër ndeshjen Dinamo-Flamurtari 1-1, e luajtur në stadiumin “Selman Stërmasi”.
Keni lënë jashtë Kapllanin, Hykën, Salihin dhe Lilën, të cilët fare mirë mund t’i provonit në këtë miqësore?
Kam lënë jashtë shumë futbollistë, për të provuar disa lojtarë të tjerë. Jam i bindur se do të më kritikonit edhe nëse nuk do të kisha bërë këto ndryshime, pra nëse nuk do të kisha marrë lojtarë të rinj. Janë grumbulluar 20 futbollistë për ndeshjen kundër Azerbajxhanit, në të cilën do të luajmë dhe do të provojmë skemat që do të përdorim kundër Maltës në shkurt.
Lipi ka lënë jashtë Del Pieron, sulmuesin më në formë, për të provuar të rinj, ju keni lënë jashtë disa sulmues të rinj...
Mos më përmendni Del Pieron, apo trajnerët e tjerë. Unë sapo ju sqarova se kam marrë në skuadër disa futbollistë, të cilët dua t’i shikoj nga afër dhe mendoj se mund t’i vlejnë Shqipërisë në të ardhmen.
Mërgim Mavraj, i cili ka pasaportë shqiptare, u ankua duke thënë se ju jeni treguar indiferent ndaj tij. Sa e vërtetë është kjo?
Atëherë, po ua sqaroj njëherë e mirë. Së pari, nuk është aspak e vërtetë që jam treguar indiferent ndaj Mavrajt. Para disa muajsh dëgjova emrin e tij këtu në Shqipëri dhe fillova të interesohesha. Disa miqtë e mi në Gjermani më thanë se është lojtar i mirë ndaj edhe e ftova në miqësoren kundër Polonisë më 28 maj. Lojtari nuk erdhi, madje më vonë deklaroi se nuk erdhi, sepse i kishte mbërritur ftesa me vonesë, gjë që nuk është aspak e vërtetë, pasi ne njoftuam jo vetëm atë, por edhe klubin. Kjo do të thotë se futbollisti nuk ishte i bindur nëse donte të luante me Shqipërinë apo jo dhe me sa duket akoma nuk është i vendosur. Mua më vjen keq, sepse ai është 22-vjeç, është shqiptar, por nuk do të luajë për Shqipërinë. Kjo më duket shumë e çuditshme. Mavraj ka dy detyra përpara: të vendosë nëse do të luajë me Shqipërinë ose jo, dhe padyshim që duhet të mendojë për të fituar një vend titullari te Bohumi.