E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i BE dhe progresi si alibi

Nikollaq Neranxi 

Dorëzimi zyrtar i raportit vjetor të njohur si “Progres Raporti 2008” nga KE pranë autoriteteve të larta institucionale të vendit, ka ndezur gjatë kësaj jave debate dhe komente të ndryshme trajtuese. Palët kryesore të politikës janë vënë në një polemikë të hapur për ta trajtuar propagandistikisht raportin në favor të interesit të tyre. Një palë e trajton sikur raporti flet për përkeqësim të gjendjes dhe pala tjetër sikur ky raport dëshmon suksesin e hatashëm të qeverisjes së zotit Berisha. E gjithë kjo trajtesë është një hipokrizi publike dhe flet qartë, se sa të pasinqertë janë së pari qeverisësit dhe më pas pretenduesit e parë për qeverisje të re. Pa dashur të bie në komente të përkatësisë sime politike, dua ta përqendroj vëmendjen në një aspekt të paprekur të këtij raporti. Fjala është për problemet, që paraqet ky raport në lidhje me ekonominë dhe me treguesit e zhvillimit financiar të vendit. Në komentet e deritanishme, ky aspekt është spostuar dhe lënë plotësisht jashtë vëmendjes. Mirëpo përdorimi i këtij dokumenti zyrtar të KE-së, nga shumica qeverisëse dhe sidomos nga pjesëtarët më të rëndësishëm të qeverisë Berisha, si dokument favorizues për nivelin dhe progresin qeverisës, duket qartë se është një përpjekje alibike. Fakti që raporti në seancën e parë të Parlamentit u shpërnda për deputetët në versionin e tij në anglisht (ndonëse sekretaria e parlamentit e di shumë mirë se një pjesë e deputetëve nuk janë njohës të gjuhës angleze), dëshmon qartë se qeveria iu shmang qysh në moment të parë ballafaqimit me diskutimin pikë për pikë të këtij raporti. Pjesa e raportit që flet për rreziqet dhe masat e pamjaftueshme për përballimin e krizës ekonomike dhe financiare globale, nga institucionet kombëtare, mendoj se përbën aspektin më themelor të debatit që duhet vënë në fokus. Kryeministri Berisha, ndonëse nuk e kishte parë raportin, u ngut të falënderonte përfaqësuesit e KE-së dhe BE-së në mënyrën më servile. Eshtë e rrezikshme kjo rendje politike servile kur bëhet fjalë për ekonominë dhe rreziqet e krizës financiare. Pas këtyre deklaratave, ndoqa edhe mbledhjen e posaçme të qeverisë, ku kryeministri u referohej aspekteve politike të raportit dhe anashkalonte pjesën dhe këshillat, që jepeshin për treguesit ekonomikë dhe politikat ekonomike.
Pas kësaj më shqetësuese ishte sjellja dhe pohimet e cunguara të ministrit të Financave Bode, i cili në Komisionin parlamentar të Financave dhe Ekonomisë polemizoi me deputetë të opozitës, duke dëshmuar vendosmëri dhe siguri absolute vetëm sa për propagandë, për masat antikrizë. Ndërkohë që një institucion i besueshëm statistikash siç është INSTAT, kundërshtoi deklaratën e ministrit, se shifra 16 për qind e nxjerrë nga FMN, ishte në përllogaritje e sipër dhe jo përfundimtare. Nga ana tjetër duke iu adresuar rrezikut të krizës, qeveria jonë më vonë se disa prej qeverive të rajonit, artikuloi vendimin  se “Për t‘i paraprirë çdo luhatjeje në ekonomi, kemi vendosur në dispozicion plot 15 miliardë lekë, ndërsa 6 miliardë të tjera janë vendosur rezervë, të padestinuara”. Këtë pohim e bëri vetë ministri Bode, i cili me të drejtë u shpreh se nuk dihet se sa do të vazhdojë kjo krizë. Deklarata e mësipërme dhe masat e para të qeverisë për antikrizën, duket se kanë ardhur fill pas paraqitjes dhe dorëzimit zyrtar të progres raportit 2008 të KE-së. Ndonëse ky raport bën fjalë për një periudhë kohore të vitit të shkuar, kontekstet dhe situatat financiare duket se janë po ato. Gjendja dhe treguesit e tregut në ekonominë shqiptare paraqesin aspekte kritike dhe elemente krize. Biznesi vendas dhe treguesit e financave janë vërtet të rrezikuara nga masat shtrënguese dhe presioni i ushtruar nën moton e antiinformalizmit. Treguesit e një ekonomie të hapur për konkurrencë dhe për barazi ligjore në vend janë tejet të rënë. Kompanitë vendase janë shumë më të diskriminuara sesa kompanitë që oferton qeveria nga tregu i huaj, nën motot e saj për “Shqipëria një euro” apo për favore në emër të pranisë së bizneseve të huaja në vend. Kjo strategji është dëshmi e hapur e diskriminimit që vuajnë shumica e bizneseve dhe kompanive të vendit, të cilat shpesh nuk mund të ankohen për shkak të presionit politik dhe të kërcënimit prej rekrutëve fiskalë. Për këtë arsye në raport shënohet fakti se qeveria duhet të saktësojë metodikën për të përllogaritur se sa është rritja ekonomike dhe jo vetëm duke u mjaftuar vetëm me atë çka u japin ndërkombëtarët. Në raport Shqipërisë i tërhiqet sërish vëmendja për mbrojtjen e të drejtës së pronës si dhe aspekteve të tjera të lirisë ekonomike. Dhe kjo ka të bëjë me faktin se shumë prej ligjeve të kaluara prej Parlamentit dhe që i referohen lirisë ekonomike në vend, më shumë e kanë penalizuar komunitetin e biznesit dhe atë të investitorëve vendas. Liria për të konkurruar dhe garantimi i pronës private në shumë aspekte janë dëmtuar. Këto çështje të pazgjidhura kanë favorizuar korrupsionin, jo vetëm nëpër gjykata, por edhe në institucione të tjera vendimmarrëse dhe që kanë përgjegjësinë ligjore të certifikimit të tyre. Këto aspekte përmbajtësore të raportit qeveria Berisha dhe gjithë komentuesit proqeveritarë i kanë anashkaluar qëllimisht. Eshtë e vërteta e hidhur që i ka shtyrë ata ta anashkalojnë këtë pjesë të raportit. Ndërsa aspektet e tjera, të cilat ata i shohin si një faqe favorizuese po i përdorin si argumente për të shtuar alibinë dhe për ta bërë atë edhe më të besueshme për publikun e gjerë. Mirëpo vetëm realiteti konkret, ai i prekshmi dhe i ndjeshmi nuk mund të tjetërsohet. Ky raport nuk mund të përdoret kurrsesi si alibi për progresin apo regresin real për secilën fushe dhe secilin tregues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›