Basha mbyll vizitën në Indi, kontakte diplomatike dhe ekonomike
Angazhim i përbashkët e shumëpalësh për të thelluar dialogun midis dy kulturave dhe qytetërimeve, shqiptare dhe asaj indiane. Pikërisht intensifikimit të marrëdhënieve mes dy vendeve i shërbeu dhe vizita e ministrit të Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, në Indi, në datat 17-19 dhjetor 2008, me ftesë të homologut të tij, z. Pranab Mukherjee. Gjatë takimit zyrtar që ministri Basha zhvilloi me ministrin e Jashtëm të Indisë, u diskutuan gjerësisht intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe në fushën politike, ekonomike, si dhe bashkëpunimi në organizatat ndërkombëtare. Dy ministrat konstatuan marrëdhëniet e mira politike midis dy vendeve dhe rikonfirmuan vullnetin e Tiranës dhe Delhit për t’i ngritur ato në një nivel më të lartë bashkëpunimi të gjithanshëm. Një ndihmë të madhe për këtë bashkëpunim do të japë edhe ambasada shqiptare në Nju Delhi, hapja zyrtare e së cilës u përurua nga ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, në prani të përfaqësuesve të qeverisë Indiane dhe trupit diplomatik të akredituar në Indi. Në këtë kuadër, ministri i Jashtëm indian, duke shprehur kënaqësinë e tij dhe të qeverisë indiane për këtë hap të qeverisë shqiptare, njoftoi ministrin Basha se qeveria e tij ka vendosur hapjen në një të ardhme shumë të afërt të ambasadës së Indisë në Tiranë. Duke e informuar mbi zhvillimet në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes së saj në arenën ndërkombëtare, ministri Basha vuri theksin tek ndikimi pozitiv që kjo ka pasur për paqen, sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin. “Në këtë kuadër, - theksoi ministri Basha, - Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj si faktor stabiliteti, duke nxitur bashkëpunimin, moderacionin dhe dialogun konstruktiv në funksion të vizionit dhe objektivave të përbashkëta të vendeve të rajonit për integrim euroatlantik”.