Pronat në bregdet, 10 zyrtarë në hetim
Trazhgim Sokolaj
Dhjetë zyrtarë janë marrë në hetim nga Prokuroria e Tiranës lidhur me abuzimet gjatë kthimit të pronave në bregdet. Drejtues dhe ish-drejtues të Agjencisë Qendrore të Pronave, Agjencisë së Rrethit Tiranë dhe punonjës të hipotekave në kryeqytet dhe në Kavajë, po hetohen për implikim në skandalin e tjetërsimit të 48 hektarëve tokë në bregdetin e Kavajës, tek zona e quajtur “Gjiri i Gjeneralit”. Në hetim përfshihet edhe vetë ish-kryetari i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tunxh Vatnikaj, si dhe disa topografë që kanë “verifikuar” pronat në terren dhe një biznesmen, që dyshohet se fshihet pas gjithë asaj që ka ndodhur me aplikimin, shqyrtimin dhe miratimin e aktit të falsifikuar për kthimin e pronës. Të gjithë zyrtarët si dhe personat privatë, po hetohen për akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve nga punonjësi që ka për detyrë lëshimin e tyre”. Sipas përllogaritjeve, marrësit e tokës që kanë falsifikuar firmat e familjes Shijaku (Nexhmi e Jonuz Shijaku), kanë përfituar rreth 24 milionë euro. Kjo është vlera e tokës që u është kthyer atyre në mënyrë të paligjshme, pasi sipas llogaritjeve tek zona në fjalë një metër katror shitet mesatarisht për 5 mijë lekë të reja.
Zbardhen abuzimet
Ish-kryetari i Agjencisë së Pronave Tunxh Vatnikaj hetohet pasi ka firmosur dhe miratuar procedurën, ish-punonjësit e Agjencisë së Pronave të Tiranës hetohen, për shkak se kanë pranuar dhe përpunuar aplikimin e falsifikuar, ndërsa tre topografë janë marrë në hetim pasi kanë “mashtruar’ me procedurat. Ata kanë hartuar planvendosjen dhe dokumente të tjera, që lidhen me sipërfaqen e tokës së abuzuar, zonat kufizuese, shtrirjen dhe madhësinë e saj, kur sipas hetimeve të prokurorisë, nuk kanë qenë fare në terren për të bërë verifikime, siç e kërkon procedura dhe ligji. Dokumentet në fjalë janë sekuestruar në dosjen e aplikimit për kthimin e pronës. Zyrtarët e Hipotekës së Tiranës dhe Zyrës së Kavajës, po hetohen për shkak se pas kthimit të pronës tek personat, që me falsifikime kanë aplikuar në emër të familjes Shijaku, e kanë regjistruar tokën në emër të tyre, duke u bazuar mbi një procedurë dukshëm të paligjshme. Në fund të së gjitha procedurave të falsifikuara me Agjencinë e Kthimit të Pronave, pronarët fiktivë të tokës janë paraqitur në Hipotekë dhe zyrtarët e kësaj të fundit si në Tiranë ashtu edhe në Kavajë, kanë vendosur regjistrimin e pronës.
Fshehja e emrave
Sipas burimeve hetimore, dokumentet e sekuestruara tregojnë qartë të gjithë personat e implikuar në realizimin e procedurave të paligjshme, që janë ndjekur në rastin e pronës 48 hektarë në bregdetin e Kavajës. Një raport i Departamentit të Antikorrupsionit pranë Këshillit të Ministrave, i dorëzuar në prokurori, rendit si përgjegjës në aspektin administrativ personat si më poshtë: Ali Aliu, Shef i Sektorit Juridik, Altin Ceni, Petrit Kullolli, Alma Shehu, specialistë, Erjon Lama, specialist i Zyrës Qendrore të AKKP dhe Margit Haxhihyseni, avokat në Avokaturën e Shtetit. Prokuroria e Tiranës tha dje, se të implikuarit në këtë çështje janë dhjetë persona, ku përfshihen edhe emra, që nuk janë përmendur në raportin e Departamentit të Antikorrupsionit të Kryeministrisë.
Prokuroria: Hetimi i skandalit filloi kryesisht pa denoncim
TIRANE – Për disa ditë me radhë në media të ndryshme zyrtarë dhe ish-zyrtarë, që lidhen me skandalin e tjetërsimit të tokës të 48 hektarëve tokë në bregdetin e Kavajës, kanë pretenduar se kishin denoncuar skandalin. Më tej, departamenti i antikorrupsionit në Kryeministri dhe Hipoteka e Kavajës, pretenduan edhe ata se kishin dhënë sinjalet dhe informacionet për Prokurorinë, lidhur me skandalin, që kap shifra në dhjetëra milionë euro. Megjithatë, burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, janë shprehur dje se për fillimin e hetimeve lidhur me çështjen në fjalë, ka pasur informacione operative, që shërbyen për nisjen e hetimit nga Njësia Task-Force. Asnjë denoncim apo material kallëzues nuk ishte transmetuar në prokurori derisa Njësia Task-Force, ka “vënë gishtin në plagë” dhe mbi bazën e të dhënave të siguruara në rrugë operative ka nisur hetimin më 29 shtator 2008. Fillimisht ishte dyshuar mbi anëtarët e familjes Shijaku, por ata u thirrën në prokurori dhe secili prej tyre, bashkë me avokatët, mohoi të kishte hedhur firmën në dokumentet, që ishin futur në dosjen e aplikimit për kthimin e 48 hektarëve të tokës së tjetërsuar në Plazhin e Gjeneralit. Pas kësaj, prokuroria bllokoi menjëherë dokumentet, që bënin fjalë për procedurën në fjalë dhe vendosi të zhvillojë ekspertim grafik shkencor për vulat dhe nënshkrimet që ato përmbanin. Në mënyrë shkencore u konfirmua se dokumentet ishin firmosur nga persona të tjerë dhe se firmat nuk përmbanin asnjë ngjashmëri me nënshkrimet e anëtarëve të familjes Shijaku apo avokatëve të tyre. tr.so
Akuza: Dosja e kopsitur me prova
TIRANE – Dosja penale e hapur në shtator 2008 është kompletuar me dëshmi dhe prova, që hedhin dritë mbi abuzimet dhe shkeljet ligjore, që janë kryer me kthimin e pronës në bregdetin e Kavajës. Burime të prokurorisë thanë se në kuadër të procedimit penal janë kryer dhjetëra ekspertime, janë pyetur dëshmitarë, janë bërë ballafaqime dhe veprime të tjera hetimore. Sipas organit të akuzës, mësohet se e gjithë skema e abuzimit si dhe protagonistët e saj janë identifikuar me prova dhe me dëshmi konkrete që janë administruar në dosje. Procedimi penal duket se është bërë objekt i një analize nga zyrtarët më të lartë të akuzës për shkak të provave të pakundërshtueshme, që sipas Prokurorisë, janë administruar në dosjen e skandalit të pronave në bregdet. t.s
“Plazhi i Gjeneralit” u dha me urgjencë te pronarët fantazmë
Trazhgim Sokolaj
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Tiranë, ka vepruar “me urgjencë” në rastin e kthimit të pronës prej 48 hektarësh në Gjirin e Gjeneralit në plazhin e Kavajës.
Vetëm tre muaj ka zgjatur e gjithë procedura e kthimit të pronës, për të cilën persona ende të pa identifikuar kanë aplikuar me dokumente dhe nënshkrime të falsifikuara në emër të familjes Shijaku. E gjithë procedura tashmë është në hetim nga Prokuroria e Tiranës, e cila sqaroi ditën e djeshme, se i ka filluar hetimet për këtë skandal pa një denoncim, por kryesisht mbi bazën e informacioneve të siguruara paraprakisht. Verifikimet e deritanishme tregojnë se pronarët “fantazmë”, fillimisht kanë mësuar se familja Shijaku ishin ish-pronarë që u takonte kthimi i disa pronave në Tiranë, Durrës dhe Kavajë. Pas kësaj, personat e pa identifikuar kanë falsifikuar dokumentet e vjetra të pronësisë, si dhe aplikimin në emër të anëtarëve të familjes Shijaku, dhe po ashtu edhe në emër të avokatëve të tyre.
Gjithçka false
Të gjitha dokumentet, së bashku me nënshkrimet, janë falsifikuar dhe janë dorëzuar për aplikim në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të pronave më 3 qershor 2008 në emër të familjes Shijaku. Ata që kishin firmosur dhe po aplikonin në emër të ish-pronarëve të familjes Shijaku, ishin persona të tjerë që lidheshin me këtë rast vetëm nga interesat e përfitimit. Procedura ka vijuar më pas administrativisht derisa më 14 gusht 2008, vetëm tre muaj pas aplikimit, pronarët “fantazmë” kanë përvetësuar 48 hektarë tokë në zonën e njohur si Gjiri apo plazhi i Gjeneralit, në bregdetin e Kavajës. Shpejtësia me të cilën është vepruar në këtë rast, qoftë me aplikimin në AKKP-në e Tiranës dhe Kavajës, apo edhe në Hipotekë dhe në terren me verifikimin e pronës, bie dukshëm në sy pas verifikimit të dokumentacionit të bllokuar nga prokuroria. Kjo e fundit ka marrë të gjitha dokumentet që bëjnë fjalë për sipërfaqen e 118 hektarëve tokë të abuzuar në bregdetin e Komunës Synej në Kavajë dhe më pas ka filluar verifikimin e tyre. Po ashtu organi i akuzës ka pyetur një sërë dëshmitarësh, persona që kanë marrë vetë pjesë në procedurat e ndjekura duke dhënë shpjegimet e tyre.
Si shpëtoi pjesa ushtarake
Aplikimi mësohet se është bërë për 118 hektarë tokë në zonën e plazhit apo Gjirit të Gjeneralit, por vetëm 48 prej tyre u janë kthyer pronarëve fiktivë, pasi pjesa tjetër ishte e pamundur të tjetërsohej për shkak se ishte në pronësi dhe në përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes, pasi aty pranë ndodhen dy reparte ushtarake. “Kërkesa e pretendentëve fiktivë të pronës, që kanë nënshkruar në emër të familjes Shijaku, është bërë për kthimin e pronës së përbërë nga dy parcela, respektivisht 540 dynymë në Peqinaj (Bardhore) të Kavajës dhe 690 dynym në Karpën, po në Kavajë. Gjatë procedurave të mëpasshme është bërë edhe zhvendosja abuzive e pronës që do të kthehej, duke u pozicionuar në plazhin e Gjeneralit. Prokuroria dyshon se urgjenca me të cilën është vepruar si dhe mekanizmi i falsifikimit të dokumenteve të familjes së ish-pronarëve, përbëjnë një nga treguesit kryesorë të shkallës së abuzimit në këtë rast. Burime nga prokuroria thonë se kohëzgjatja e procedurave të ndjekura me pronën, për të cilën po hetohet, bie dukshëm në sy krahasuar me dhjetëra vite apo dekada që familjarët e ish-pronarëve kalojnë duke u sorollatur në zyrat e shtetit, duke kërkuar kthimin e pronave të tyre.
Prejardhja e “Plazhit të Gjeneralit”
Sipas të dhënave zyrtare të konsultuara edhe nga gjeografia, mësohet se plazhi i Gjeneralit, ku ndodhet edhe prona me të cilën është abuzuar, ka një gjatësi 5-6 km. Është një zonë pak i njohur nga turistët dhe ka gjelbërim të përhershëm si dhe ujë të pastër. Zona mësohet se emrin e ka trashëguar nga një gjeneral italian që vinte për pushime në këtë zonë, gjate viteve 1930-1935. Zona rënore ka gjatësi 400 metra e gjerësi 50 m ndërsa përfundon me shkëmbinj natyralë që bien në det.