Valbona nga Prizreni fiton 500 euro
Dy fitues, një nga Prizreni e një nga Tirana, triumfuan në episodin e shtatë të kuizit të famshëm “Kush do të bëhet milioner”. Valbona Dordovski nga Prizreni arriti të fitojë 500 euro ndërsa Artur Gjino nga kryeqyteti shqiptar, 250 euro. Vazhdon në Tv “Alsat” gara e njohurive. Në edicionin e shtatë, morën pjesë tetë konkurrentë nga Shqipëria dhe Kosova: Artur Gjino (Tiranë), Ilir Murati (Librazhd), Leonora Thç- Bala (Prishtinë), Valbona Dordovski (Prizren), Albano Jahja (Tiranë), Emin Bilalli (Prishtinë) dhe Munip Gashi (Prizren). Vetëm dy prej tyre arritën të dalin fitues nga kjo garë, të tjerët arritën të fitojnë vetëm njohuri. Libri, leximi, kujtesa, dija, shkathtësia vazhdojnë të jenë elemente të këtij spektakli. Në vetëm një orë, maksimumi i përgjigjeve kërkon përgatitje, sepse nga 15 pyetje përgjigjet e mundshme variojnë në 60 mundësi e dilema. Voskopoja kishte Akademi e Bibliotekë, por nuk ka pasur internet. Via Egnatia shkon nga Durrësi në Kostandinopojë. Shqiptarët në Itali, Dalmaci, etj., quhen arbëreshë. Me përgjigjet e sakta Valbona Dordovski do të arrijë të fitojë 500 euro. Pas një paraqitje premtuese të Artur Gjinos nga Tirana në çastet e fundit ai rrezikon. Dhe rreziku nganjëherë merr gjithçka. Në këtë rast mbrëmë Artur Gjino përfitoi vetëm 250 euro. Një paraqitje mjaft të mirë bëri edhe konkurrenti nga Tirana, Albano Jahja, por disa pasaktësi e s’kualifikuan atë. Por ky është rregulli i lojës. Kuizi “Kush do të bëhet milioner” tashmë ka marrë standardin e vet. Në gjithë këtë garë më shumë se sa konkurrenca përfituese, teleshikuesit kanë marrë dijen dhe saktësinë e njohurive të reja.