Takim për katalogimin e isopolifonisë
Shpallja e isopolifonisë, pjesë e trashëgimisë botërore, solli të tjera detyrime për katalogimin e pasurisë shpirtërore. Këshilli i Muzikës Shqiptare, në bashkëpunim me Komisionin Kombëtar të UNESCO-s, organizon nesër takimin: “Katalogimi i trashëgimisë kulturore shpirtërore”. Marrin pjesë specialistë të fushës, punonjës të institucioneve kulturore të trashëgimisë kulturore në qendër dhe në bazë, studentë dhe të interesuar të fushës së trashëgimisë kulturore shpirtërore. Katalogimi i vlerave të trashëgimisë kulturore shpirtërore është një fushë e re pune në Shqipëri. Ligji “Për trashëgimisë kulturore”, i ndryshuar parashikon krijimin e Komitetit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore, i cili ndër të tjera duhet të shpallë edhe listën tonë të “Kryeveprave të trashëgimisë kulturore shpirtërore”, kjo krahas listës së monumenteve të kulturës materiale, e cila tashmë ekziston prej vitit 1948.