Pronat, nis beteja e Sindikatave me Qeverinë në Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese merr në shqyrtim padinë e katër sindikatave
TIRANË – Që prej ditës së djeshme ka nisur në Gjykatën Kushtetuese beteja e fundit ligjore mes katër sindikatave dhe qeverisë për ligjin më të fundit me të cilin bëhet shtetëzimi i pasurive, të cilat deri më tani kanë qenë nën administrimin e tyre. Sipas burimeve zyrtare, ditën e martë janë përballur palët para anëtarëve të Kolegjit në lidhje shfuqizimin e ligjit Nr. 10159 të datës 15 tetor 2009, i miratuar nga Kuvendi dhe i dekretuar nga presidenti i Republikës, Bamir Topi. Kjo mbetet rruga e fundit ligjore në vend për të mbrojtur pasuritë që kanë pasur në zotërim sindikatat dhe konfederatat në vendin tonë. Të gjitha tentativat e tjera, si protestat dhe letrat ankimuese drejtuar presidentit të vendit, përfaqësuesve të OSBE-së, Komisionit Europian, ILO-s apo edhe Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave kanë dështuar.
Procesi
Katër organizata sindikale kanë paraqitur prej disa javësh një padi për rrëzimin e ligjit të miratuar në Kuvend më 15 tetor. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Shqipërisë dhe Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë kanë bërë padi ndaj Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave, ku kërkohet “shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën, i Ligjit Nr. 10159, datë 15.10.2009 “Për shfuqizimin e ligjit Nr. 8340/1, datë 06.05.1998 “Për rregullimin e pasojave që kanë rrjedhur nga zbatimi i Dekretit Nr. 204, datë 05.06.1992 “Për pasurinë e sindikatave”". Në objektin e padisë kërkohet edhe “pezullimi i zbatimit të tij, deri në fund të procesit”.
Problemi është komplikuar pasi shumë prej pronave të administruara nga sindikatat, iu kanë kaluar të tretëve, dhe e gjithë kostoja financiare, me ligjin e ri, bie me organizatat sindikaliste. Trupi gjykues pritet të marrë vendimin në ditët në vazhdim, nëse do t'i japë ose jo të drejtë paditësit. Në seancë kanë qenë edhe përfaqësuesit e Kuvendit të Shqipërisë dhe të Këshillit të Ministrave, të cilët kanë paraqitur argumentet e tyre në mbrojtje të ligjit të miratuar disa muaj më parë.
Shtetëzimi
Që prej tetorit të vitit të kaluar sindikatat nuk janë më administruese të ligjshme të dhjetëra kampeve, qendrave, shtëpive të pushimit dhe komplekseve të shpërndara nëpër rrethe të ndryshme të vendit. Sipas tij, pronat iu hiqen grupimeve sindikaliste, apo të tretëve dhe kalojnë nën administrimin e shtetit. Qeveria do të krijojë një agjenci të posaçme, e cila do të administrojë pronat e marra nga sindikatat dhe do ti përdorë ato për kompensimin e pronareve të ligjshëm të tokave. Deputetët e mazhorancës kanë argumentuar se pronat sindikatave, ua ka marrë gjykata pasi janë dy vendime; si të Gjykatës së Lartë, ashtu dhe të asaj Kushtetuese që ia kanë hequr të drejtën e pronësisë sindikatave. Po ashtu, Ministria e Drejtësisë, në lidhje me këtë ligj, u shpreh se sindikatat kanë shkelur ligjin pasi kanë shitur apo dhënë me qira shumë prej pronave, kur ato i kishin ligjërisht vetëm nën administrim. Ndërsa kryeministri Sali Berisha, ka sqaruar kohë më parë se miratimi i këtij ligji synon për të shmangur abuzimet me pasuritë dhe të sigurohet rikonstruksioni i plotë i këtyre ndërtimeve. Madje, janë parashikuar edhe investime në zonat turistike për ngritjen e komplekseve, të cilat do të ofrohen në firmë koncesionesh për kompani shqiptare apo të huaja.
Protesta
Që kur nisi përgatitja e projektligjit, grupimet sindikaliste e kundërshtuan draftin. Duke përfituar nga përçarja e organizatave, reagimet erdhën të vonuara. Por, në momentet kur po miratohej drafti i qeverisë, pati disa protesta dhe mesazhe në drejtim të institucioneve shqiptare dhe të huaja për bllokimin e projektligjit. Kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Pavarura e konsideroi nismën e qeverisë si një dhunim të lëvizjes sindikale në Shqipëri. Ai zhvilloi disa takime me përfaqësues të Komisionit Europian në Tiranë dhe të Zyrës së OSBE-së. Ditën e kalimit në votim të draftit, u zhvillua një protestë edhe para Kuvendit. Sindikalistët dështuan edhe në kërkesën e tyre drejtuar presidentit Topi për mos-dekretimin e ligjit të miratuar nga Kuvendi. Tashmë, Gjykata Kushtetuese do të jetë institucioni i fundit ligjor, ku pritet që të japë verdiktin përfundimtar, nëse pronat do të mbeten në duart e sindikalistëve, apo do të shtetëzohen. Edhe në rast se humbet kjo betejë ligjore, drejtuesit e organizatave sindikaliste kanë deklaruar se këtë çështje do ta dërgojnë në Strasburg.
Kampet e pushimit:
BSPSH
1. Kampi i Sarandës
2. Kampi i Durrësit
3. Kampi Dhërmi
4. Kampi i Dajtit (godina e madhe e kampit të pionierëve me 300 vende dhe vila me 25 vende, që janë në dispozicion të shoqërisë së përbashkët "Dajtel", si dhe trualli e territorit prej tetë hektarësh që i bashkëngjiten) dhe zyra e prenotimeve në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".
5. Kampi i Voskopojës
6. Kampi i Divjakës
7. Kampi i Golemit
8. Kampi i Shirokës
9. Kampi i Pionierëve Durrës
10. Kampi i Qafë Shtamës
11. Kampi i Razmës
12. Kampi i Çajupit (komplet)
13. Kampi i Pogradecit
Konfederata
1. Kampi i Durrësit
2. Kampi i Dhërmiut
3. Kampi i Shëngjinit
4. Kampi i Shirokës
5. Kampi i Korçës
6. Kampi i Pogradecit
7. Kampi i punëtorëve Dajt
8. Kampi i Gjinarit
9. Kampi i Pionierëve Durrës
Sindikata e Pavarur e Punonjësve të Naftës
1. Kampi i Pionierëve Vlorë
Sindikata e Bashkuar e Minatorëve, Gjeologëve dhe Pasuruesve të Shqipërisë
1. Kampi i Punëtorëve Pogradec
2. Kampi i Pionierëve Durrës, pa objektet dhe territorin që i mbeten në pronësi BSPSH-së dhe KSSH-së
3. 2000 (dy mijë) metra katrorë në territorin e Kampit të Himarës
Objektet e Kulturës për qytetin e Tiranës
BSPSH
1. Shtypshkronja "Sindikata" (ish-Poligrafia "11 Shkurti").
2. Pallati i Kulturës Kamzë
3. Pallati i Kulturës në kombinatin "Josif Pashko" me 150 vende
4. Ofiçina e ish-BSPSH (50%, sipas skicës bashkëngjitur).
KSSH
1. Pallati i Kulturës "Tekstilisti"
2. Pallati i Kulturës Marikaj
3. Ofiçina e ish-BSPSH-së (50% sipas skicës)
SP e Punonjësve të Naftës
1. Shtëpia e Kulturës Valias
2. Shtëpia e Kulturës Mushqeta
3. Shtëpia e Kulturës Kërrabë
4. Pallati i Kulturës "Ali Kelmendi" ndahet midis BSPSH-së dhe KSSH-së
10 Shkurt 2010