Statusi, minatorët do të nisin protestat në datën 20 shkurt
Fiqiri Xibri: “Protestuesit do të bllokojnë zyrën e kryeministrit”
Jonida Tashi
Minatorët do të nisin protestat në datën 20 shkurt, për të kërkuar miratimin e Statusit të punonjësit të nëntokës. Ashtu siç edhe kishin paralajmëruar ditën e hënë, minatorët kanë mbledhur dje Këshillin Kombëtar të Sindikatës, për t’i kërkuar kryeministrit, Sali Berisha të firmosë direkt Statusin e Minatorit. Lidhur më këtë çështje, kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri, ka deklaruar dje se nëse nuk plotësohet kërkesa për miratimin e Statusit si dhe ajo për anulimin e vendimit për shtrenjtimin e energjisë, ujit të pijshëm dhe telefonisë, atëherë protestuesit do të bllokojnë zyrën e kryeministrit. Vendimi për përshkallëzimin e veprimeve është marrë dje nga Sindikata e Minatorëve, e cila shprehet e vendosur për të vazhduar rrugën e protestave, me qëllim plotësimin e kërkesave që sipas minatorëve janë minimale për të mbijetuar. “Do të radikalizojmë protestën tonë, nëse do të jetë nevoja do ta kthejmë në revoltë. Në qoftë nevoja, do ta bëjmë Tiranën një Çikago në mes të Europës moderne. Ky është një vendim pa kthim mbrapa. I vetmi njeri që mund ta kthejë mbrapa këtë vendim është Sali Berisha, në qoftë se ai do të miratojë në mënyrë të menjëhershme Statusin e Minatorit dhe të gjitha kërkesat e tjera që ne i kemi paraqitur përpara Vitit të Ri, bashkë me grupin e sindikatave”,- deklaroi kreu i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri. Po ashtu, kreu i minatorëve, i ka bërë thirrje sindikatave të të gjithë vendit që të bashkohen me punëtorët e nëntokës më 20 shkurt.
Kërkesat
Megjithëse para zgjedhjeve të 28 qershorit, Këshilli Ministrave miratoi projektligjin për të ulur me 5 vjet moshën e pensionit për profesionin e minatorëve, këta të fundit nuk u mjaftuan me kaq. Pas plotësimit të pjesshëm të kërkesës për uljen e moshës së pensionit, pasi minatorët kërkuan që ato të zbriste në 10 vjet, punonjësit e nëntokës vazhdojnë të ngrenë zërin për përmirësimin e kushteve të punës dhe pagave, anulimin e vendimit për shtrenjtimin e energjisë, dhe mbi të gjitha për miratimin e Statusit të këtyre punonjësve. Duke qenë se deri tani qeveria nuk është treguar e gatshme për plotësimin e kërkesave të minatorëve, ata kanë vendosur që të ndjekin sërish rrugën e protestave për të drejtat e tyre. Sipas kryetarit të Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri, e vetmja mundësi, për zgjidhjen e kërkesave të kësaj kategorie është firmosja e Statusit nga kreu i qeverisë, Sali Berisha. Kështu, megjithëse ligji për moshën e pensionit për këtë kategori tashmë ka marrë miratimin e qeverisë dhe Kuvendit, përfaqësuesit e Sindikatës së Minatorëve vazhdojnë të këmbëngulin për miratimin e Statusit të Minatorit, i cili do të zgjidhte përfundimisht kërkesat ekonomike të punonjësve të nëntokës për pension deri në moshën 50 vjeç me 10 vite pune, me një shumë prej 20 mijë lekë.
Statusi
Statusi i hartuar nga një grup deputetësh për minatorët, përcakton pozitën juridike, ekonomike, financiare dhe shoqërore, kërkesat e përgjithshme, të drejtat e përfitimet e minatorëve dhe të punonjësve te profesioneve të tjera të vështira, të përfshira në kategorinë e parë (Grupin A), për arsye të kushteve të rënda e të veçanta të punës, si dhe garancitë ligjore për zbatimin e tyre. Sipas këtij statusi, ende të pamiratuar nga qeveria, kur minatorët dhe punonjësit e profesioneve të vështira e ndërpresin punën, duhet t’u garantohen, si edhe anëtarëve të familjeve të tyre, përfitime shtesë (suplementare), mbi ato të përcaktuara në ligjin 4171, datë 13.09.1996 “Për Sigurimet Shëndetësore në Republikën e Shqipërisë” dhe në ligjin 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”. Ndërkaq, Statusin e Minatorit mund ta fitojë çdo shtetas shqiptar apo i huaj, me banim të përhershëm apo të përkohshëm në Republikën e Shqipërisë, nga dita që fillon të punojë në Shqipëri në minierë nëntokë ose në profesione të tjera të vështira. Ky punonjës pasi fiton Statusin e Minatorit gëzon të drejtat e përfitimet e përcaktuara në këtë ligj dhe në akte të tjera ligjore e nënligjore. Ndërsa porsa i përket humbjes së Statusit, kjo ndodh kur minatori dhe punonjësit e tjerë të profesioneve të vështira vdesin. Në këtë rast, familja e minatorit dhe punonjësit të profesioneve të vështira ruan disa nga të drejtat e përcaktuara në këtë ligj. Po ashtu, minatori dhe punonjësi i profesioneve të vështira e humb Statusin kur dënohet me vendim të formës së prerë nga Gjykata për krime të rënda të kryera me dashje ndaj kolegëve gjatë kohës së punës ose brenda ndërmarrjes. Kjo nuk e privon nga ato të drejta që i jep ky Status për aq vjetërsi sa ka deri në momentin e shpalljes fajtor.
Kërkesat e minatorëve
Miratimi i Statusit të Minatorit
Anulimi i vendimit për shtrenjtimin e energjisë, ujit të pijshëm dhe telefonisë
Përmirësimi i kushteve të punës dhe pagave
Përfitime shtesë për kushtet e punës
Ulja e moshës së pensionit deri në 50 vjeç
Për punonjësit që kanë mbi 10 vjet punë, pensioni minimal të jetë 25 mijë lekë
Rritja e pagave minimale për shkak të vështirësisë së punës
Vjetërsia në punë
I njihet si vjetërsi në punë për efekt pensioni minatorit dhe punonjësit të profesioneve të vështira, koha e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, kur ky shërbim kryhet realisht dhe jo kur konvertohet në vlerë monetare. Kontributi për sigurimet shoqërore për këtë periudhë përballohen nga buxheti i shtetit.
Vjetërsia në punë si minator ose si punonjës i profesioneve të vështira, për efekt të pagës dhe të përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi pune në minierë nëntokë ose në profesione të vështira llogaritet nga data e fillimit të punës në minierë nëntokë ose në profesione të vështira.
Koha e kryerjes së kurseve dhe të kualifikimeve, për efekt të profesionit, pas fillimit të punës në minierë nëntokë ose në profesion të vështirë, llogaritet vjetërsi në punë si minator.
Në vjetërsinë e punës përfshihen:
Koha e ndërprerjes së punës për shkak të një vendimi të deklaruar si të padrejtë me vendim gjykate;
Koha e plotë e vuajtjes së dënimit ose internimit për motive politike, pas fillimit të punës në minierë nëntokë ose në profesion të vështirë, kur përfitohet sipas ligjit nr.7514, datë 30.09.91 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë” dhe kur kanë jo më pak 3 vite punë në minierë nëntokë ose në profesion të vështirë;
Për llogaritjen e vjetërsisë së punës për efekt pensioni, një vit pune në minierë nëntokë ose në profesion të vështirë llogaritet 2 vite punë.
Llojet e përfitimeve suplementare dhe kushtet e përfitimit
Minatorëve dhe punonjësve të profesioneve të vështira, si dhe familjeve të tyre, u sigurohen përfitime shtesë, mbi ato të përcaktuara në ligjin nr.7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, për:
Paaftësi të përkohshme në punë;
Parandalim për sëmundje;
Pagesë kalimtare, kur ndërpresin punën për shkaqe që nuk varen prej tyre;
Pension të parakohshëm për vjetërsi pune;
Pension shtesë (suplementar) mbi pensionin e plotë të pleqërisë;
Pension shtesë (suplementar) invaliditeti;
Pension shtesë invaliditeti për minatorët ose punonjësit e profesioneve të vështira, që për shkak të punës bëhen plotësisht të paaftë për punë;
Pension shtesë familjar për minatorët ose punonjësit e profesioneve të vështira, që për shkak të punës humbasin jetën;
Pension shtesë familjar;
Pension shtesë në rast vdekjeje.
Kushtet për përfitim
E drejta e përfitimeve shtesë për minatorin ose punonjësin e profesioneve të vështira, sipas, këtij ligji, varet nga vitet e punës në miniera nëntokë ose në profesione të vështira, nga mosha e pagave referuese me shtesat që ka përfituar.
10 Shkurt 2010