Pronat, procedurat e reja për dokumentet
Procesi i njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave shtyhet me dy vjet të tjera dhe do të përfundojë më 31 dhjetor të vitit 2011. Pra, pronarëve u shtyhet me një vit e gjysmë afati i paraqitjes së dokumenteve të domosdoshme për procesin që u bën të mundur marrjen e pronës, apo edhe kompensimin përkatës. Kështu theksohet në projektligjin për ndryshime në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, që ka mbërritur në Kuvendin e Shqipërisë. I kaluar nga qeveria më 28 tetor, drafti bën ndryshime thelbësore në ligjin bazë, që intereson mijëra shqiptarë që presin t‘u kthehet prona që i është marrë nga regjimi komunist apo edhe qeveritë postkomuniste, apo dhe t‘iu kompensohet me vlerë natyrore ose financiare toka që u takon. Në draftin e mbërritur në Kuvend, pikërisht në nenin 7 të saj, theksohet se shfuqizohen se të gjitha aktet ligjore që vijnë në kundërshtim me këtë ligj shfuqizohen. Kjo do të thotë se të gjitha vendimet e Këshillit të Ministrave, udhëzimet apo dhe urdhrat e nxjerrë nga krerët e dikastereve nuk kanë më vlerë pas datës kur ky ligj hyn në fuqi. Në projektligjin e dërguar në Kuvend, është parashikuar riformatimi i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave jo vetëm si strukturë, por edhe si organ. Konkretisht shkrihen të gjitha agjencitë e kthimit dhe kompensimit në qarqe dhe në të ardhmen do të funksionojë vetëm një zyrë qendrore në Tiranë. Drafti prek nenet 15 dhe 16 të ligjit ekzistues, që ndryshon totalisht kompetencat e AKKP-së. Sipas projektit që ka mbërritur në Kuvend: Agjencia përfundon brenda afatit shqyrtimin e kërkesave të subjekteve të shpronësuara që janë depozituar në zyrat e qarqeve dhe për ta nuk është marrë vendim. Pra, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, të gjitha kërkesat transferohen në Tiranë dhe për to duhet marrë një vendim nga drejtori i AKKP-së për rrëzimin e kërkesës, njohjen sipas rastit të së drejtës së pronësisë, kthimin a kompensimin e pasurisë. Po ashtu AKKP-ja përfundon shqyrtimin e të gjitha ankimimeve, si dhe në rastin e parë merr vendim për njohjen ose për rrëzimin. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për ushtrimin përgjegjësive të saj bashkëpunon me institucionet që administrojnë pronën shtetërore, ndërsa Këshilli i Ministrave, jo më shumë se një muaj pas daljes së ligjit përcakton sanksionet për shkelje të afateve dhe mospërgjigje me përgjegjshmëri nga institucionet që kanë në administrim pronën dhe informacionin ligjor për to. Ndërkaq, mënyra e organizimit dhe e funksionimit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, procedurat e mbledhjes, të përpunimit dhe administrimit të akteve të subjekteve të shpronësuara, si dhe procedurat e afatet e komunikimit me institucionet shtetërore përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Deri më tani, të gjitha këto, pra marrja e dokumenteve dhe mënyra e funksionimit të AKKP-së është përcaktuar me ligj të veçantë, pikërisht me ligjin që ndryshohet dhe konkretisht në nenet 15 dhe 16 të tij. Gjithashtu tarifat për procedurat e kthimit dhe kompensimit të pronave përcaktohen me urdhër të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe atij të Financave.