E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplaset bashkia me qeverinë, peshkatarët e Durrësit në pritje

"Nuk do të firmos asnjëherë ndërtimin e portit të peshkimit në vendin e përcaktuar nga qeveria, dëmton qytetin". Verdikti është dhënë nga kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, ndërsa porti i ri i peshkimit, dy ditët e fundit, është kthyer publikisht në një mollë sherri mes qeverisë dhe Bashkisë së Durrësit. Akuzat dhe kundërakuzat vijnë nga të dyja palët përmes ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, dhe kryetarit të bashkisë, Vangjush Dako, ndërsa peshkatarët prej më shumë se 10 vjetësh ngelen me premtimin për një port të ri, të ndërtuar enkas për ta, brenda standardeve të kërkuara dhe sigurisë së munguar në kalatën ku janë. Madje nga kryebashkiaku i atëhershëm, Arqile Gorea u ishte premtuar dhe ndërtimi i një tregu të posaçëm për peshkun dhe prodhimet e detit. Ecejaket e kaheve të ndryshme të politikës në pozitë nuk ndryshuan asgjë, përveç premtimit të vazhdueshëm. Ndërkohë fondi është siguruar dhe pret të investohet. Studimi urbanistik është bërë dhe pret të miratohet nga KRRT-ja e Bashkisë së Durrësit për të kaluar në KRRTRSH, po bashkia është pozicionuar hapur kundër projektit ministror që parashikon ndërtimin e këtij porti, aty ku sot ndodhet kalata 0 e portit detar dhe parashikohet të jetë zgjatimi i shëtitores bregdetare, përtej murit rrethues të portit. Olldashi dhe Dako janë vënë përballë njëri-tjetrit, duke shkëmbyer replika në distancë, në lidhje me vendin ku do të ngrihet porti. Dako deklaroi se nuk do të firmosë studimin urbanistik për ndërtimin e këtij porti në vendin e përcaktuar dhe ka argumentuar kundërshtimin e tij ndaj ndërtimit në këtë pjesë të qytetit, duke reaguar pas deklaratës së ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, i cili një ditë më parë e akuzoi për interesa personale në lidhje me zhvendosjen e portit të peshkimit në këtë qytet. Bashkia parashikon që hapësira e destinuar për port peshkimi nga ana e qeverisë të jetë hapësirë publike, në funksion të qytetarëve dhe jo të ndërtimit të pallateve, ndërsa porti i peshkimit të zhvendoset drejt zonës industriale të qytetit. "Deklarata e ministrit Olldashi se Bashkia e Durrësit është kundër portit të peshkimit, sepse kërkon të ndërtojë atje dy pallate është një shpifje e lëshuar nga një ministër, i cili nuk e do zhvillimin e Durrësit", tha Dako, duke e argumentuar këtë me studimin urbanistik të miratuar në KRRTRSH, në bazë të të cilit të paktën deri në vitin 2020 nuk lejohet të ndërtohet as edhe një kat e jo më një pallat. Dako i ka kujtuar Olldashit se dy vjet më parë doli kundër ndërtimit të portit të peshkimit në të njëjtin vend, ndërsa tashmë ka ndryshuar qëndrim. Bashkia e Durrësit është pozicionuar kundër ndërtimit në kalatën zero për arsye urbanistike dhe mjedisore, pasi do të sillte rritje të ndjeshme të trafikut të mjeteve në shëtitore dhe ndotje masive të mjedisit duke e nxjerrë jashtë funksionit shëtitoren bregdetare. Ndërkaq pretendimi për ndotjen është quajtur i pabazë dhe qesharak nga Olldashi. Sipas Dakos, Bashkia e Durrësit ka një projekt të miratuar parimisht edhe në këshillin bashkiak që në atë zonë, pra në kalatën zero, të ndërtohet një port turistik jahtesh që është plotësisht në funksion të shëtitores bregdetare. Për të përcaktuar një zonë të përshtatshme për ndërtimin e këtij porti, bashkia ka nisur edhe një diskutim publik që të mos shkaktojë probleme të shumta, si ai që kërkon të ndërtojë qeveria në shëtitoren bregdetare". Mbase një referendum qytetar në Durrës do të mund të zgjidhte përplasjen e krijuar mes dy pushteteve, atij qendror e lokal, në emër të zhvillimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›