E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat shtetërore, skema e privatizimit nga shoqëritë tregtare



Qeveria ka miratuar një projekt-akt normativ, në të cilin parashikohen procedurat e privatizimit të pronës dhe ndërmarrjeve shtetërore nga ana e shoqërive tregtare dhe institucioneve të ndryshme. Sipas këtij akti normativ të Këshillit të Ministrave, ky proces privatizimi nënkupton transferimin e të drejtës së pronësisë shtetërore te personat fizikë, juridikë apo privatë.
Kalimi i pronës shtetërore në pronë private do të bëhet nëpërmjet formave të ndryshme të privatizimit si me anë të shitjes në ankand, apo me anë të tenderit, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kriteret për vlerësimin e pronës shtetërore që privatizohet, si dhe procedurat e format e privatizimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Kalimi i pronës shtetërore në pronë private drejtohet nga ministria përgjegjëse për ekonominë, e cila përcakton kohën dhe formën e realizimit të privatizimit për të gjitha pasuritë shtetërore, që i nënshtrohen këtij procesi. Miratimi i privatizimit për pasuritë e paluajtshme do të kryhet nga organi që i administron ato. Organi që kryen procedurat e shitjes së pronës shtetërore që privatizohet është Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave. Sipas Këshillit të Ministrave, qëllimi i këtij akti normativ është përcaktimi i organeve dhe i kompetencave, që ato kanë për privatizimin dhe dhënien në përdorim të shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhirove së këtyre ndërmarrjeve.
Në aktin normativ janë parashikuar edhe procedurat e dhënies me qira të pronës shtetërore. Pronat shtetërore jepen me qira, enfitoze apo me kontrata të tjera, të parashikuara në legjislacionin në fuqi, nga ministria përgjegjëse për ekonominë, nga ministritë, institucionet e tjera që janë në varësi të Këshillit të Ministrave, nga organet e qeverisjes vendore që përgjigjen për administrimin e pronës shtetërore, si dhe nga ndërmarrjet ose shoqëritë tregtare shtetërore. Kriteret, procedurat dhe mënyrat e dhënies me qira, enfitozë apo me kontrata të tjera, të parashikuara në legjislacionin në fuqi, të pronës shtetërore, përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Të gjitha procedurat e privatizimit, të filluara do të vazhdojnë sipas procedurave të parashikuara në legjislacionin në fuqi, para hyrjes në fuqi të tij, të këtij akti normativ.

10 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›