E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, përcaktohen bizneset që përfitojnë licenca “1 euro”

Ministria e Transporteve dhe e Punëve Publike liberalizon lejet

Shaban Sulçe

Qeveria ka vendosur të liberalizojë dhënien e licencave për investitorët vendas dhe të huaj, të cilët operojnë në fushën e punimeve të ndërtimit dhe të transportit. Këshilli i Ministrave ka miratuar propozimin e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, sipas së cilës tarifa për dhënien e këtyre licencave duhet të kushtojë 1 euro.
Licencat
Sipas projektvendimit të hartuar nga Ministria e Transporteve, licenca me tarifën 1 euro do të marrin të gjitha ato subjekte, persona, fizikë dhe juridikë e privatë për ushtrimin e veprimtarive në fushën e punimeve të ndërtimit, “Licencë profesionale për mbikëqyrje dhe kolaudim punimesh në zbatim”.
Gjithashtu në fushën e transportit rrugor do të përfitojnë tarifa 1 euro për licencat për transport ndërkombëtar udhëtimesh, për autorizimet për shërbimin në linjat e rregullta për transportin ndërkombëtar të udhëtarëve me autobus, si dhe për autorizimet për shërbimin në një linje të rregullt të specializuar në transportin ndërkombëtar të udhëtarëve me autobus, vajtje-ardhje. Edhe investitorët në fushën e transportit detar do të përfitojnë ndjeshëm nga ky propozim i Ministrisë së Transporteve. Ata do të paguajnë vetëm 1 euro për marrjen e lejeve për të vepruar në linja të rregullta ndërkombëtare detare. E njëjta tarifë vlen edhe për marrjen e lejes për veprimtaritë për tërheqjen e mbeturinave të ngurta dhe vajore në zonën portuale të Durrësit, Vlorës, Shëngjinit dhe Sarandës si dhe në radat respektive. Nga ky vendim i Këshillit të Ministrave përfitojnë edhe investitorët që duan të marrin Leje për ushtrimin e veprimtarisë së stacionit të shërbimit të pajisjeve të sigurimit të jetës në det.
Relacioni
Sipas relacionit të përgatitur nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, të nënshkruar nga ministri Sokol Olldashi, hartimi i projektvendimit për tarifën 1 euro të këtyre licencave ka lidhje me përmirësimin e klimës së zhvillimit të biznesit në Shqipëri, ku janë marrë një sërë masash për lehtësimin e procedurave si në aspektin dokumentar, procedural dhe të afateve. “Komisionet e posaçme dhe strukturat përkatëse të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit japin licenca për ushtrim aktiviteti në fushën e mbikëqyrjes e kolaudimit të punimeve të ndërtimit për subjektet fizike e juridike, autorizime për shërbime linje për transport në fushën e transportit ndërkombëtar të udhëtarëve me autobus dhe për leje për transport detar. Të gjitha licencat e parashikuara në këtë projektvendim propozohet të kenë tarifën prej 1 euro. Projektvendimi është dërguar për mendim në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Financave, të cilat janë shprehur dakord. Ky projekt-akt nuk parashikon efekte financiare”, - thuhet në relacionin shoqërues të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.

Licencat 1 euro

A) Në fushën e punimeve të ndërtimit
Licencë profesionale për mbikëqyrje dhe kolaudim punimesh në zbatim

B) Në fushën e transportit rrugor
Licencë për transport ndërkombëtar udhëtimesh
Autorizim për shërbimin në një linjë të rregullt për transportin ndërkombëtar të udhëtarëve me autobus
Autorizim për shërbim në një linjë të rregullt të specializuar në transportin ndërkombëtar të udhëtarëve me autobus, vajtje-ardhje

C) Në fushën e transportit detar
Leje për të vepruar në linja të rregullta ndërkombëtare dhe detare
Leje për ushtrimin e veprimtarisë së pilotimit dhe omerxhimit
Leje për veprimtarinë e tërheqjes së mbeturinave të ngurta dhe vajore, në zonën portuale të Durrësit, Vlorës, Shëngjinit, Sarandës dhe në radat përkatëse
Lejet për ushtrimin e veprimtarisë së stacionit të shërbimit të pajisjeve të sigurimit të jetës në det

Shqipëria, marrëveshje me Austrinë për ndihmë në rast fatkeqësish
Qeveria shqiptare ka miratuar në parim marrëveshjen midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë për dhënien e ndihmës së ndërsjellë në raste katastrofash dhe fatkeqësish të mëdha. Pas miratimit të kësaj marrëveshje, një tjetër shtet perëndimor do të ofrojë ndihmën logjistike në rast fatkeqësish që mund të ndodhin në Shqipëri. Këshilli i Ministrave ka miratuar gjithashtu projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për financimin e projektit “Përballimi dhe zbutja e rrezikut nga fatkeqësitë”. Ky projektligj i është propozuar shqyrtim dhe miratim Kuvendit.

10 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›