E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vata: “Ballkani i mbushur me talente”



Rudi Vata, agjenti shqiptar i FIFA-s, i specializuar në tregun futbollistik të Europës Lindore, është shndërruar në një pikë referimi për merkaton e futbollit skocez. Gazeta më e rëndësishme në Skoci, “Daily Mail” i ka kushtuar një vëmendje të posaçme tregut të talenteve të rinj nga Ballkani, duke pasur si pikë referimi opinionin e dhënë nga ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare. Ish-qendërmbrojtësi i Parkhead në Skoci, aty ku banon dhe drejtuesi i “Vata Vision Football Management”, përveçse tregon eksperiencën e tij jep edhe disa detaje në lidhje me vlerat e lojtarëve nga vendet ish-komuniste.

Me rusët tashmë në klube të pasura, vëmendja skoceze është e kthyer nga lojtarët rumunë e kroatë. “Nëse Sëlltiku me të vërtetë dëshiron të hyjë në Europën Lindore të mbushur me talente”, - thotë ish-mbrojtësi i Parkhead, Rudi Vata për “Daily Mail”, - “ka vetëm një zgjidhje”. Menaxheri i njohur shqiptar thotë se në vendet lindore ndodhen shumë të rinj me talent të mirëfilltë dhe që janë prodhuar jashtë syve të rajoneve ku kërkojnë klubet e mëdha. Vata këmbëngul, megjithatë, se të gjesh yje për të ardhmen, përpara se ata të bëhen superyje në shuma që shkojnë deri në 8 milionë sterlina kërkon bashkërisht kohë dhe përpjekje. Duke reaguar në lidhje me lajmin për ofertën prej 3 milion sterlinash për futbollistin Gabriel Tamas të Okserit, Vata thotë për “Sportsmail”: “Unë u kam thënë te Sëlltiku: ‘Hajdeni me mua në Mal të Zi dhe në vendet ku më të vërtetë prodhohen lojtarë të mirë. Ju mund të shkoni në të gjitha këto dhe ju do të gjeni të rinj të talentuar. Nëse ju do t’i lini për një kohë të gjatë ara, atëherë ju do të shkoni në klubet e mëdha në Beograd apo Zagreb apo kudo tjetër ku çmimi i tyre gjithmonë rritet. Është e njëjta gjë me rusët e rumunët. Kur këta lojtarë bëhen të mëdhenj, atëherë ata do të kenë gjithmonë cilësinë të shkojnë në liga më të mëdha se ajo skoceze. Dhe sikur ata do të dëshirojnë të vinë, ata do të jenë shumë të kushtueshëm”. Kreu i agjencisë më të madhe shqiptare të transferimeve “Vata Vision Football Management” shton: “Nëse ju do të shkoni te ata, pikërisht në kohën kur ata kanë filluar, atëherë do të kushtojnë më lirë dhe do të më e lehtë për të nënshkruar. Nëse do të shkoni te Partizani i Beogradit, Spartaku i Moskës apo Dinamo e Zagrebit, atëherë ju do të flisni për tre-katër milionë euro, vetëm për t’i nxjerrë ata nga dera”. “Shikoni Dinamon e Zagrebit, - jep një shembull Vata. “Sëlltiku kërkonte Ognjen Vukojeviçin nga Dinamo, por ai shkoi te Kievi për 6 milionë sterlina. Aktualisht, Dinamo ka arritur të fitojë 58 milionë stelina vetëm duke shitur lojtarët. Kjo sepse ata i kanë marrë lojtarët më të mirë të rinj shumë shpejt dhe ata kanë bërë detyrat e shtëpisë”.

Tani një agjent i FIFA-s, Vata i specializuar në tregun e Europës Lindore, luajti një rol kyç në marrëveshjet e transferimin e largimit të Geri O’Konor nga Lokomotiva e Moskës. “Fabula se 22-vjeçari Vata u detyrua të kërkojë azil poltik, ndërkohë që luante për vendin e tij në (stadiumin) ‘Park de Princes’ në Paris është bërë pjesë e folklorit të futbollit skocez”, - shkruan “Daily Mail”. “Mbrojtësi u bashkua Sëlltikut 12 muaj në vonë, në kohën kur Blloku Lindor ishte ende një pengesë e madhe për ata lojtarë që shpresonin të luanin në perëndim, një barrierë që bëhej akoma më e madhe në ‘fortesën’ Shqipëri”, - vazhdon gazeta skoceze. Gjatë këtyre, lojtarë rumunë, rusë e kroatë, të cilët janë në kërkim të ekipeve më të mira, e gjejnë futbollin skocez shumë pak tërheqës. “Unë mendoj se ndërkombëtarë rumunë si Tamash vinë këtu (në Skoci) pasi nuk kanë shumë mundësi në ligat më të vërtetë të mëdha”, - thotë Vata “Shikoni Mutu, kapitenin e Rumanisë. Ai është duke negociuar një transfertë prej 14 milionë sterlinash me Romën, ashtu si më parë Kristian Çivu me Interin. Unë nuk mendoj se ne do të kemi mundësinë t’i shohim në ligën skoceze ndonjëherë. Por nëse ju luani për Okserin, atëherë Sëlltikut është një klub më i madh, dhe kjo është një arritje. Për mua, liga franceze nuk është aq e ndryshme nga ajo skoceze. Nëse Tamas nuk bëri shumë përshtypje në Francë, unë nuk jam i sigurt se Sëlltik do të hedhë sytë te ai. Por, nëse ai është i lumtur të vijë, dhe klubi është i lumtur të nënshkruajë, atëherë do të jenë të lumtur të gjithë”, - thotë Vata. Aktualisht, vetëm Marius Nikulae luan në Skoci, te Ivernes. Daniel Prodan, që nënshkroi për Rejnxhërs në vitet Nëntëdhjetë, ishte një dështim. “Skocia nuk është një vend i lehtë për ardhur e për të luajtur futboll”, - thotë Vata. “Kultura është shumë e ndryshme në futboll në raport me vendet e tjera dhe do kohë të adaptohesh. Por nëse ke talent, do të ishte më e lehtë të luaje për klube të mëdha si Sëlltiku ose Rejnxhërsi, sesa kur unë kam luajtur për Sëlltikun”. Bota është duke u bërë më e vogël, dhe për lojtarët nga Europa Lindore është më lehtë për përshtatur. Nuk ka shumë diferencë pasi dhe midis vendeve edhe mënyra e jetesës është përmirësuar në lindje. Varfëria dhe mungesa e lirisë që shumica e këtyre vendeve provoi 20 vjet më parë ka ndryshuar”, - përfundon Rudi Vata.

Skolari: “Lampard më dha fjalën, nuk shkon te Interi”

Trajneri Luiz Felipe Skolari pohoi se Frenk Lampard do të qëndrojë te Çelsi për këtë sezon e më pas, duke nënvizuar faktin se klubi do të refuzojë çdo ofertë për mesfushorin anglez. Duke folur në konferencën e tij të parë për shtyp, qysh nga marrja e postit të tij te Çelsi, Skolari tha se kishte folur me Lampardin dhe kishte marrë garancinë nga lojtari se ai do të qëndronte te klubi londinez. “Unë mendoj se Çelsi ka nevojë për Lamparin dhe Lampard ka nevojë për Çelsin”, - tha menaxheri brazilian për gazetarët. “Unë mendoj se Lampard do të jetë me ne, për më shumë se një vit”. Lampard ndodhet në vitin e fundit të kontratës së tij me Çelsin dhe Interi kishte kërkuar me forcë shërbimin e 30-vjeçarit, të cilat u refuzuan nga klubi londinez përmes në deklarate të publikuar në faqen e Çelsit. Klubi nga “Stamford Bridge” konfirmoi se kishte marrë një kërkesë nga kampionët e Italisë, por mohoi spekulimet e medias britanike se Interi kishte bërë një ofertë financiare. Gazeta angleze “The Sun” bëri të ditur të hënën se Interi kishte faksuar një ofertë prej 6.5 milionë sterlinash (12.82 milionë euro) për ish-lojtarin e Uest Hamit. Klubi i Çelsit në deklaratën e tij shkruante: “Klubi i Futbollit Çelsi mund të konfirmojë se kishte marrë një kërkesë zyrtare nga Interi për të diskutuar një transferim të mundshëm të Frenk Lampard. Në kundërshtim me lajmet e publikuara nuk është bërë asnjë ofertë financiare. Çelsi njoftoi Interin se nuk do të hyjë në asnjë diskutim në lidhje me transferimin e Frenk Lampardit”. Interi, i trajnuar nga ish-bosi i Lampardit te Çelsi, Hoze Murinjo, hodhi poshtë deklaratën e Çelsit sipas së cilës nuk ishte bërë asnjë ofertë. “Kjo nuk është e vërtetë”, - tha presidenti i Interit, Masimo Morati për gazetarët. “Ka pasur një ofertë dhe në e konfirmojmë atë. Megjithatë, ne nuk dëshirojmë të krijojmë probleme të mëdha”. Kampioni Italisë nuk e kishte fshehur dëshirën për të nënshkruar me Lampardin, i cili shkëlqeu në kujdesin e Murinjos gjatë tri viteve të qëndrimit të portugezit si trajner te Çelsi. “Ata u përgjigjën se nuk kanë qëllim të negociojnë, është e drejta e tyre”, shtoi Morati. “A jam unë optimist? Kjo mbetet për t’u parë”.

Zenit: “Nuk e japim Arshavinin pa 30 milionë euro”

Andrei Arshavin është shumë pranë klubeve angleze. Agjenti i fantazistit rus pohoi se ylli i Zenit St. Petërsburgut ylli i Euro 2008-s do të udhëtojë në Angli për të diskutuar në lidhje me transferimin. Arshavin bëri një përshtypje të madhe në Kampionatin Europian dhe gjigantët spanjollë të Barcelonës bënë një ofertë prej 15 milionë eurosh, që u hodh poshtë nga klubi rus. Ndërkohë që agjenti i Arshavinit, Denis Lahter, pohoi se kishte marrë një ofertë nga Arsenali e Çelsi, ai deklaroi se parashikonte që 27-vjeçari do të nisej shumë shpejt në Angli për të nisur negocimet me klubet e Premier Ligës. Megjithatë, Lahter këmbënguli se Arshavin do të dëshironte ato klube që mund të merrnin pjesë në Ligën e Kampioneve.

“Andrei dëshiron të luajë në Premier Ligë, por ai nuk mund të pranojë oferta nga klube të tilla si Njuaksëll, Midëllsbrou dhe Aston Vila”,- tha Lahter për “Daily Telegraf”. “Janë vetëm katër klube britanike, që ai dëshiron të luajë dhe ato janë klubet që marrin pjesë në Ligën e Kampioneve. Nuk bëhet fjalë për para, por për një ekip dhe për ambicie profesionale. Zenit është duke negociuar me shumë klube angleze. Ne jemi duke pritur një telefonatë nga presidenti i Zenitit, Aleksandër Dyokov për të na lejuar të diskutojmë për termat personale me një nga klubet. Ai (Arshavin) dëshiron vetëm Anglinë”.

Lahter pohoi se çdo klub i interesuar duhet të dyfishojë ofertën e Barcelonës dhe të ofrojë një çmimi jo më pak se 30 milionë euro për pjejmejkërin e Zenitit. “Do të jetë një transfertë e madhe”, - shtoi Lahter. “Zenit përfundimisht nuk do të pranojë asnjë ofertë më të vogël se 30 milionë euro. Klubi zotërohet nga ‘Gazprom’, që është një nga kompanitë më të mëdha në naftës në botë, kështu që nuk do të pranojë ta shesë me një çmim të lirë”, - përfundoi agjenti i Arshavinit.

Huntelar, Ajaksi kundër Arsenalit

Ajaksi hodhi poshtë zërat për një transferim të mundshëm të Klas-Jan Huntelar te Arsenali. Sulmuesi i përfaqësueses holandeze shënoi 33 gola sezonin e kaluar me fanellën e Ajaksit dhe spekulimet e medias raportuan se ai do të kalonte gjatë merkatos së kësaj vere në Premier Ligë te Arsenali ose te Mançester Junaitid. Gjithsesi, drejtori i menaxhimit te Ajaksi, Henri van der At, këmbënguli se deri tani nuk kishte ndonjë kërkesë nga Ajaksi. Bisedimet e kontratës midis Ajaksit dhe Huntelarit u ndërprenë, por klubi nga Amsterdami shpreson se ato do të rinisin përsëri. “Ne realisht nuk dëshirojmë që ai të largohet dhe do të bëjmë ç’është e mundur për ta mbajtur edhe pse do të jetë e vështirë. Gjithsesi, nuk ka pasur kontakte me Arsenalin”, - përfundoi Van der At.

9 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›