E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat te Gjiri i Lalëzit, nën hetim 3 persona

Prokuroria e Tiranës ka gati dosjen në gjykatë për ish-kreun e AKP-së dhe dy topografët

Tre ish-zyrtarë të AKP-së, me në krye kreun e saj, Tunxh Vatnikaj, janë marrë nën hetim nga Prokuroria e Tiranës, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Sipas njësisë Task-Forcë, në prokurori këta persona akuzohen se kanë abuzuar me disa troje në zonën bregdetare në Gjirin e Lalëzit në Durrës. Pas skandalit të tjetërsimit të 48 hektarëve tokë në zonën e njohur si “Gjiri i Gjeneralit” në Komunën Synej të Kavajës, dosje e cila po gjykohet në Gjykatën e Tiranës, prokuroria ka në dorë një tjetër çështje ku ish-kreu i AKP-së është person nën hetim. Burime nga akuza deklarojnë se dosja është në përfundim e sipër dhe gjatë këtyre ditëve tre personave nën hetim do t’u komunikohet akuza e re dhe dosja do të dërgohet në gjykatë.

Dosja

Kallëzimet në prokurori ndaj Vatnikajt dhe bashkëpunëtorëve të tij janë depozituar nga një familje që rezulton pronare për disa prona në Gjirin e Lalëzit, në Rrethin e Durrësit. Sipas hetimeve të njësisë antikorrupsion, rezulton se ish-zyrtarët e AKP-së, me të njëjtën strategji të “tjetërsimit dhe vjedhjes” te “Gjiri i Gjeneralit”, kanë tjetërsuar dhe ndryshuar pronarët në zonën e njohur si Gjiri i Lalëzit, me rreth 73 hektarë tokë. Kjo pronë prej 73 hektarësh, që ndodhet në bregun e detit si pjesë e 120 hektarëve tokë të familjes Preza, i është dhënë një familjeje tjetër, e cila kishte dy parcela të emërtuara “Rrume” dhe “Kaleme”, me sipërfaqe respektive 599 dynym dhe 125 dynym të ndodhura në fshatin Lalëz të Komunës së Ishmit, larg bregut të detit. Por, me anë të falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimit, 73 hektarë tokë nga 120 hektarë që ndodhej e regjistruar në emër të familjes Preza, i ka kaluar me vendim të AKKP-së një familjeje tjetër, që nuk e kishte pronën e vet në atë zonë ku i ishte dhënë. Mësohet se kjo pronë e tjetërsuar kap një sipërfaqe prej 724.500 m2, me një vendosje gjatësore 2900 metra dhe me gjerësi rreth 250 metra. Të dyja këto parcela, që realisht sipas dokumentacioneve arkivore janë shumë larg bregut të detit dhe jo siç janë vendosur tashmë në pyllin e pishave të Gjirit të Lalëzit, janë krijuar gjatë viteve 1967 në mënyrë vullnetare nga pyjorja e Durrësit. Sipas prokurorisë, dyshohet se për vjedhjen e kësaj prone, përveç ish-kreut të AKKP-së, Vatnikajt, janë në hetim edhe persona të tjerë që kanë bashkëpunuar në vjedhjen dhe tjetërsimin e kësaj prone, si punonjës të zyrës së AKKP-së Durrës dhe qendër Tiranë, punonjës të zonës kadastrale në Durrës dhe specialistë të tjerë të hipotekave si në qytetin bregdetar, ashtu edhe në kryeqytet.

Abuzimet

Njësia e Task-Forcës pranë Prokurorisë së Tiranës ka marrë të pandehur ish-kreun e AKKP-së, Tunxh Vatnikajn, për abuzimit me pronat në Komunën Synej të Kavajës, në zonën e quajtur “Gjiri i Gjeneralit”. Krahas problemeve me pronat në zonat e quajtura “Gjiri i Gjeneralit” në Kavajë dhe Gjiri i Lalëzit, në Durrës, prokuroria ka gjetur probleme edhe në zonën e malit të Robit, ku dyshohet se janë mbivendosur dhjetëra hektarë troje në një zonë të preferuar për ndërtime. Mësohet se organi i akuzës ka hapur hetime pas vendimeve të agjencisë për “kthimin e pronës”. Njësia hetimore Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës ka hapur tre hetime ndaj ish-krerëve të Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ish-kreu i saj, Tunxh Vatnikaj, dyshohet se ka shkelur ligjin për pronat në zonën e quajtur “Gjiri i Gjeneralit” në Komunën Synej të Kavajës. Dosja është dërguar në gjyq dhe aktualisht procesi është në fazën e marrjes së provave nga organi i akuzës. Prokuroria i është përveshur punës dhe gjatë kontrollit në regjistrat e pronave të AKP-së janë gjetur shkelje dhe implikim në tjetërsimin e pronësisë për një sipërfaqe 73 hektarë tokë në Gjirin e Lalëzit, në bregdetin e Durrësit. Në vendimin e dhënë nga Agjencia e Pronave, sipas kallëzimit të datës 19 shkurt 2009, depozituar në Prokurorinë e Tiranës, Tunxh Vatnikaj ka firmosur “kthimin e pronës” për persona të cilët, sipas të gjitha dokumenteve, nuk janë pronarë të tokës që pretendohet me dokumente autentike nga familja Preza.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›