E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjela: Te shkarkohet antishqiptari Bollano

Shpërthen avokat Ngjela, oratori më i padiskutueshëm i Kuvendit shqiptar. Dhe kësaj radhe, tonet e larta të deputetit Spartak Ngjela, bashkë me argumentet e hekurta, janë drejtuar në mbrojtje të dinjitetit të kombit shqiptar, i cili sipas avokatit është nëpërkëmbur nga një nëpunës shteti - kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Ndaj tij, Ngjela nuk i ka kursyer sulmet, por ka shkuar shumë larg, duke i kërkuar kreut të shtetit, shkarkimin e Bollanos dhe dërgimin e tij në Prokurori për procedim penal. Shkaku: Ka shkelur Kushtetutën dhe ka nëpërkëmbur kombin shqiptar. Në foltoren e Kuvendit, deputeti Spartak Ngjela, ka mbajtur një fjalim të ashpër, ku i ka bërë thirrje Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që t‘i kërkojë Prokurores së Përgjithshme që të dërgojë për ndjekje penale, kryebashkiakun e Himarës, Vasil Bollano, i cili sipas Ngjelës publikisht ka nëpërkëmbur simbolet kombëtare dhe ka marrë pjesë në një tubim ku lëshoheshin parullat: Shqiptarët jashtë nga Himara, që do të thotë jashtë nga Shqipëria. Në fjalën e tij, avokat Ngjela, theksoi se: "Para disa ditësh, një kryetar bashkie banal, një injorant, njëherësh kundërshtar i hapur i shqiptarëve, ka tentuar të fyejë popullin shqiptar në historinë e vet. Ku një i huaj, apo edhe një nënshtetas që nuk është i tillë, por deklarohet i tillë, tenton të njollosë botërisht historinë kombëtare të një populli dhe simbolet e veta, nuk mund të ketë asnjë përgjigje tjetër me përjashtim të asaj të akuzës dhe burgut, një i tillë është bashkiaku i Himarës Bollano". Më tej, deputeti Ngjela ka kujtuar se ky nuk është rasti i parë që bashkiaku i Himarës bën veprime të tilla. Ai, tha Ngjela, në mënyrë të përsëritur disa herë, ka tentuar të provokojë trazira antikushtetuese në Himarë dhe të fyejë shtetin shqiptar në të gjitha asketet që ruajnë personalitetin e tij kombëtar. "Bollano ka deklaruar para disa kohësh që Himara nuk është rajon shqiptar, ndërkohë që edhe Bajroni ka bërë të ditur se ai ka qenë rajon shqiptar", tha Ngjela. Më tej, deputeti i djathtë ka theksuar se, "një injorant që nuk dihet nga vjen, ka ndaluar në mënyrë arbitrare të gjitha investimet në Himarë, shpërdoron në mënyrë abuzive të padrejtë të gjitha fondet e mbledhura në mënyrë që të mos lejohet zhvillimi i Himarës, deri sa më në fund, para disa ditësh, merr pjesë në një demonstratë ku thërret jashtë shqiptarët nga Himara, domethënë nga Shqipëria". "Nuk di" tha Ngjela, "se ku e gjen forcën ky birbo, që kërcënon dhe fyen shqiptarët në vendin e vet. Nuk di sesi mund të dëgjohet më tej një njeri si ky që mund të mendojë se fyen shqiptarët në vendin e tij, pasi mendon se paska përkrahjen e një shteti më të fuqishëm se ne, madje na thërret edhe administrator për ndihmë". "Kryetari i Bashkisë së Himarës duhet të pushohet menjëherë dhe t‘i dërgohet akuzës për në gjykatë. Zoti President, ju duhet menjëherë t‘i kërkoni Prokurorisë së Përgjithshme të nisë procesin penal kundër kryetarit të Bashkisë së Himarës sepse ka dhunuar Kushtetutën dhe ka fyer popullin shqiptar dhe se ka marrë pjesë në një tubim ku kanë thirrur jashtë shqiptarët nga Himara", tha Ngjela. Gjithashtu, ai i është referuar edhe historisë për çështjen e Himarës. Në websitin e Himarës, tha Ngjela, do të gjeni që Gjergj Kastrioti Skënderbeu quhet Jorgo. A thua se është ndonjë refugjat që ka shkuar për të marrë ndonjë rrogë në Greqi. Ngjela i ka kujtuar kryebashkiakut Bollano dhe partisë që ata kanë në Kuvend, PBDNJ-së, se historia shqiptare flet ndryshe. Duke iu drejtuar Bollanos dhe PBDNJ-së, Ngjela tha se "keni krijuar përshtypjen sikur këtu ortodoksia është greke, ortodoksia në Shqipëri ka themeluar ideologjinë e Rilindjes Kombëtare dhe kjo vërtetohet fare mirë, pasi asnjë votë nuk merrni në Korçë". Ngjela i ka kërkuar Presidentit Topi të ndërhyjë për këtë ngjarje të rëndë për të vënë në vend nderin e shqiptarëve.

Athina

Menjëherë pas vizitës së zv.ministrit të Jashtëm grek në Tiranë, Theodhoros Kasimis, Athina ka lëshuar një deklaratë ku synon zgjerimin e territoreve të minoritetit grek në Shqipëri. Në deklaratë theksohet se: "Zv.ministri i Jashtëm grek, Theodhoros Kasimis, zhvilloi një vizitë zyrtare në fshatrat minoritare greke të Shqipërisë së Jugut. Ai zhvilloi takime në Nartë, Himarë, Sarandë, Livadhia, Mesopotam, Gjirokastër, Derviçan dhe Korçë. Nga takimet që pati me Kryesinë e OMONIA-s në Himarë, z.Kasimis ftoi minoritarët të jenë të bashkuar dhe të fillojnë kthimin strategjik të të rinjve në tokat e tyre në lashta, pasi ky do të jetë aksi kryesor për një të ardhme të mirë të grekëve në këto territore".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›