E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, ushtria padi qeverisë për repartin

TIRANE - Komanda e Forcës Ajrore po vijon prej më shumë se 24 muajsh një përballje gjyqësore me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe aeroportin “Nënë Tereza”, për “tjetërsimin” e një sipërfaqeje të madhe ushtarake, që i ka kaluar në pronësi aeroportit. Reparti Ushtarak 3001, siç njihet zyrtarisht Komanda e Forcës Ajrore, kërkon nga Gjykata e Tiranës të shpallë të pavlefshëm urdhrin nr. nr248 date 17 05 2001 të ministrit të Ekonomisë, që ka firmosur për privatizimin e një sipërfaqeje prej 176 608 m2, të cilën ia ka njohur ish-shoqërisë “ALB-Transport” sot aeroporti “Nënë Tereza” sh.a, në një kohë që kjo pronë duhet të regjistrohet në favor të Forcës Ajrore. Zanafilla e historisë nis që plot 15 vite më parë, kur Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Krujë, ka regjistruar në favor të ish-shoqërisë “ALB-Transport”, pasurinë me nr 201/10 zk 3183 Rinas, që në fakt i përket repartit ushtarak dhe ende zona në fjalë vijon të jetë e rrethuar me tela me gjemba. Procesi vijon prej disa seancash dhe gjykatësi Neritan Cena ka caktuar një ekspert topograf, i cili do të kryejë matjet në terren dhe përllogaritjet e objektit të forcës ajrore, një pjesë e të cilit ka kaluar në pronësi të aeroportit civil. Eksperti do përcaktoje një planvendosje të veçantë të sipërfaqes, që ka kaluar në pronësi të aeroportit dhe në këtë mënyrë do të verifikohet nëse ka ose jo mbivendosje të pronës, që forca ajrore pretendon se i përket asaj.
Tjetërsimi i pronës
Tjetërsimi i pronave, edhe kur bëhet fjalë për prona ushtarake, duket se do të vijojë të jetë ndër problemet kryesore që do të shqetësojë shoqërinë shqiptare. Përpos dhjetëra qytetarëve që kërkojnë të drejtën e pronës, këtë herë gjykatës i është drejtuar Komanda e Forcës Ajrore (Reparti Ushtarak 3001), e cila ka paditur ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës; Shoqërinë “Aeroporti Nënë Tereza” dhe zyrën e hipotekës Krujë. Objekti i padisë është “Konstatimi i pavlefshmërisë absolute të urdhrit nr. 248 datë 17. 05. 2001 të MEP, privatizimit përsa i përket disponimit mbi pasurinë me nr. 201/10 zk. 3183 Rinas me sipërfaqe 176 608 m2, me adresë në Komunën Nikël. Detyrimin e ZVRPP Krujë të fshijë regjistrimin e kryer në favor të ish- shoqërisë ‘ALB-Transport’ sot aeroporti “Nënë Tereza” sh.a. për pasurinë me nr. 201/10 dhe regjistrimin e saj në favor të Forcës Ajrore Repartit Ushtarak nr. 3001, detyrimin të paditurve të na njohin pronarë mbi pasurinë me nr 201/10". Thënë ndryshe një sipërfaqe, prej 170 mijë metra katrorë është kaluar në pronësi të administratorit të aeroportit “Nënë Tereza”, në një kohë që Komanda Ajrore pretendon se është pronë e saj, madje vijon të jetë e rrethuar me tela me gjemba.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›