E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja çame, LSI: Pro zgjidhjes në përputhje me dokumentet europiane

TIRANE -  Lëvizja Socialiste për Integrim thekson vendosmërinë e saj për të kontribuar për zgjidhjen e çështjes çame, në përputhje me të drejtat europiane. I pyetur në lidhje me pozicionimin e LSI-së përsa i përket kësaj çështjeje, sekretari i përgjithshëm, Luan Rama tha se qëndrimi i LSI-së pro zgjidhjes së çështjes çame është artikuluar prej kohësh.

“Ne vlerësimin tonë çështja çame është një çështje e rëndësishme që lidhet me çështjen e shqiptarëve në Ballkan. Ne e kemi përcaktuar qartë qe jemi pro zgjidhjes së saj në përputhje me të gjitha dokumentet evropiane që rregullojnë çështje të tilla, këtë e kemi bërë të njohur sa herë ka qenë e rastit, madje që kur Meta ka qenë kryeministër." – u shpreh Rama ndërsa shtoi se edhe qëndrimi i Edmond Panaritit në cilësinë e Ministrit të Jashtëm ka dëshmuar se LSI është e vendosur të veprojë në përputhje me të drejtat europiane.

Në konferencën për mediat, ku përshëndeti mbylljen e suksesshme të procesit zgjedhor në Maqedoni, si dhe rezultatin e BDI-së në këto zgjedhje, Luan Rama theksoi se me zgjedhjet e qershorit edhe Shqipëria duhet të dëshmojë pjekuri, e të realizoje zgjedhje me standarde.

I pyetur në lidhje me konfigurimin e KQZ-së, pas aleancës PS-LSI, Rama tha se ky është një problem ligjor e kushtetues.
“Ne do t’i qëndrojmë asaj fryme të artikuluar në raport me kushtetutën, edhe kryeministri Berisha ka thënë që kushtetuta i ka përcaktuar qartë zgjidhjen për probleme te tilla. Ne do ecim më tej me synimin dhe përgjegjësinë jo se kush merr thelën, por me përkushtimin që të realizojmë një proces korrekt në përputhje me standardet evropiane”- tha ai.

Zoti Rama u pyet për detaje të marrëveshjes mes LSI-së dhe PS-së, por ai tha se tashmë “aleanca është vetëm në stadin e ftesës dhe pranimit të ftesës për të krijuar bashkëpunimin e nevojshëm mes dy aktorëve me influence të së majtës shqiptare. Kur të ketë zhvillime të tjera do t’u informojmë me korrektesë”-përfundoi ai. 

PR/REZOLUTA E PS-së PER CESHTJEN CAME
Kreu socialist, Edi Rama, propozoi dje një projektrezolutë alternative, për çështjen çame. Në vorbullën e diskutimeve për këtë çështje, Rama kujtoi në një konferencë shtypi, atë çfarë PS ka fiksuar në programin e saj, të miratuar në Kongresin e 5 nëntorit të vitit 2011, për këtë çështje.
“Ndërtimi i një partneriteti shumëplanësh me shtetin e ri të Kosovës, adresimi i çështjes çame në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, respektimi i të drejtave themelore të shqiptarëve që jetojnë në vendet fqinje, janë të një rëndësie strategjike për paqen, demokracinë, zhvillimin dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në programin e PS.
Ndërkohë në rezolutën që PS i propozon parlamentit, veç asaj të propozuar më parë nga Shpëtim Idrizi i PDIU-së, i kërkohet qeverisë shqiptare që “ta përfshijë si çështje politike në marrëdhëniet diplomatike dypalëshe me Greqinë dhe të raportojë dy herë në vit pranë Kuvendit të Shqipërisë, për ecurinë e kësaj çështjeje”. 

KREU I PDIU
PDIU përshëndeti dje përfshirjen e çështjes çame në programin qeverisës të socialistëve. Në një konferencë për mediat, kryetari Shpëtim Idrizi tha se draft/rezoluta e propozuar nga PS shkon në të njëjtën linjë me projektin e PDIU-së në 3 momente, siç janë mbështetja në të drejtën ndërkombëtare dhe traktatin e fqinjësisë së mirë, faktin që çështja duhet adresuar politikisht me instrumentet evropiane, si dhe detyrimin që qeveria të raportojë 2 herë në vit në Kuvend për adresimin diplomatik të çështjes. Më tej lideri i PDIU-së u bëri thirrje të gjitha partive që të angazhohen për konsultime të hapura në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit në mënyrë që të nxjerrin një tekst më të integruar e konsensual, të votueshëm për të gjithë në parlament.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera PDIU: Miratimi i Rezolutës Çame po zvarritet, të enjten protestojmë Rezoluta Çame, ‘Patriotët e Rinj’: Parlamenti ngurron miratimin, të enjten protestë Çështja çame, Rama: PS draft alternativ që u jep fund konflikteve e nacionalizmit primitiv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›