Romët vazhdimisht të diskriminuar, OSBE: Shteti të marrë urgjentisht masa
Tiranë- Fatkeqësisht, është fakt i trishtuar që minoriteti rom në Shqipëri dhe, do të debatoja, edhe në mbarë rajonin, vuan nga diskriminimi i vazhdueshëm, mungesa e qasjes në shërbimet bazë dhe nga pamundësia për tu përfaqësuar plotësisht në jetën politike. Përfshirja politike dhe përfaqësimi i tyre është kyç. Nuk duhet toleruar më gjatë fakti që romët nuk janë pjesë e sferës publike të këtij vendi dhe as e proceseve vendimmarrëse,-kështu është shprehur kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth në një takim për Praktikat më të Mira për Integrimin e Romëve, i cili ka për qëllim integrimin e romëve në mbarë rajonin.
Për këtë arsye duhen marrë masa të veçanta dhe të menjëhershme për të siguruar që ata ti gëzojnë plotësisht të të drejtave të tyre, si çdo qytetar tjetër shqiptar,-tha Wollfarth.
Sipas Wollfarth-it rëndësia e mbrojtjes së kulturës rome dhe garantimi i integrimit të romëve në shoqëritë tona demokratike nuk është thjesht një kriter kushtetues.
Mbrojtja nga diskriminimi nuk mjafton. U bëj thirrje të gjitha institucioneve të garantojnë që përfshirjen e romëve dhe kulturës së tyre në politikat dhe veprimtaritë e tyre, si dhe që romët të përfshihen edhe në mes radhëve të tyre. Për shembull, kam bërë shpesh thirrje për përfshirjen e romëve dhe grupeve të tjera minoritare në strukturat shtetërore si Policia dhe institucionet vendore. Për më tepër, kultura rome duhet ruajtur dhe zhvilluar si një pjesë përbërëse e Trashëgimisë Kulturore Kombëtare të Shqipërisë. Shumëllojshmëria e kulturës rome, gjuhës, muzikës dhe artit ka një vend qendror në trashëgiminë e pasur të Shqipërisë dhe mbarë Ballkanit. Artistët romë duhen mbështetur. Mendoj gjithashtu se është mirë të merret në konsideratë një studim i duhur dhe mjete për dokumentimin e studimeve mbi kulturën rome,-tha ambasadori.
Ambasadori Wollfarth shtoi se OSBE-kja ka asistuar, gjithashtu, në hartimin e legjislacionit kundër diskriminimit dhe ka mbështetur ngritjen e zyrës së Komisionerit Kundër Diskriminimit, duke përfshirë edhe botimin e materialeve kundër diskriminimit në gjuhët e folura nga pakicat e popullsisë.