E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronat, votohen tre ligjet për tokën, ja si do të jepen tapitë

Kuvendi i Shqipërisë / seanca e djeshme

Luis Tanushi

Maxhoranca humb pozicionin numerik në parlament. Shumica nuk arriti dje që të ruajë votat e saj, për shkak se dy deputetët e djathtë Fatmir Mediu dhe Gazmend Oketa votuan kundër ndryshimeve të tre ligjeve që kanë të bëjnë me dhënien e tapive të tokës bujqësore.

Si u ndanë votat

Në seancën e djeshme, demokratët siguruan vetëm 68 vota pro për të kaluar nismat e tyre ligjore, duke garantuar kalimin e ligjeve vetëm falë mungesës së deputetëve të majtë. Nga ana tjetër, edhe opozita pati rrjedhje votash. Deputetët Arben Isaraj dhe Tom Doshi në kundërshtim me vendimin e grupit parlamentar për të abstenuar, votuan kundër ndryshimeve. Ndërkaq, kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut refuzoi që të votojë, ndonëse ishte i pranishëm në seancë. Kryetari i Partisë Republikane, njëkohësisht ministër i kësaj qeverie akuzoi qeverinë për mungesën fizike të tokës për kompensimin fizik të ish-pronarëve. Sipas tij, ndryshimet e janë antikushtetuese dhe nuk zgjidhin çështjen e pronave. “Ky projektligj, në gjykimin tim, zvogëlon ose hedh poshtë mundësinë e kthimit fizik të pronës apo kompensimit fizik, sepse aktualisht ne të gjithë jemi koshientë që nuk ka asnjë pëllëmbë tokë të lirë në territorin e Shqipërisë. E gjitha është zaptuar në mënyrë të paligjshme, është tjetërsuar në mënyrë të parregullt. Atëherë ku do të gjendet fondi për kthimin dhe kompensimin fizik të pronarëve?”, pyeti Mediu në formë retorike.

Kundërshtimi i PS-së

Opozita vijoi akuzat ndaj mazhorancës duke deklaruar se ligjet përjashtojnë nga përfitimi një numër të madh qytetarësh të cilët nuk e kanë punuar tokën bujqësore, ndonëse kanë aktet e përdorimit të saj. “Bëhet fjalë për 11 mijë hektarë dhe këtë duhet ta dëgjojë çdo shqiptar, 11 mijë  hektarë dhe për 8 mijë familje. Po i theksoj këto dy shifra sepse thelbi i ligjit është në dëm, pikërisht, të këtyre 8 mijë familjeve dhe natyrisht synon çlirimin e 11 mijë hektarëve nga këto familje për t’i lënë të lira pastaj për të gjithë klientët e qeverisë”, tha Braçe. I menjëhershëm ishte reagimi i ministrit të Bujqësisë, Genc Ruli, sipas të cilit nismat nuk prekin tokat për të cilat Këshilli i Rregullim Territorit  ka ndryshuar destinacionin, duke i shpallur nga tokë bujqësore në tokë të zhvillimit urban.  “Bëhet vetëm plotësimi me dokumente të ligjshme, të rregullta, të marrjes së tokës në pronësi, duke ruajtur të njëjtat kritere dhe sidomos kriterin bazë, të vlerësimit që duhet të ketë qenë subjekt i përfitimit të tokës, që në ligjin e asaj kohe, ai qe e merr titullin e pronësisë sot dhe pa dyshim të mos ketë ndryshuar vendbanimin”, replikoi ministri Ruli.

Toka atij që e punon

Përmes këtyre ndryshimeve formalizohet pronësia në komuna, në tokat e bujqësore, kryesisht në ato kodrinore e malore, ku për një arsye apo një tjetër, 20 vitet e fundit toka është ndarë, por tapitë nuk janë lëshuar. Kryetarët e Komunave apo Bashkive ngarkohen me detyrën që për rastet kur komisioni i ndarjes së tokës bujqësore nuk ka plotësuar aktet e marrjes së tokës në pronësi në fshatrat e ish-kooperativave bujqësore, ti plotësojnë ato për familjet bujqësore ose individët që janë subjekte ligjorë të trajtimit me tokë bujqësore në pronësi, sipas ligjit nr. 7501, datë 19.07.1991 Për tokën, dhe që faktikisht e përdorin tokën bujqësore.

Deri më tetor 2013

Qeveria ka përcaktuar tetorin e 2013-s si datën e përfundimit të procesit të dhënies së tapive të gjithë fermerëve që kanë në përdorim tokën dhe që e punojnë atë. Ata që vulosin dhe legalizojnë dokumentet do të jenë kryetarët e komunave ose të bashkive. Pas kësaj date, ligji do të shfuqizohet dhe të gjithë ata persona që nuk kanë kryer procedurat e regjistrimit në pronësi të tyre të tokave bujqësore të ish-NB-ve, do të humbasin të drejtën ligjore mbi këto toka.

Vlefshmëria e titujve të pronësisë

Nëse komisionet e verifikimit kanë konstatuar gabime në sipërfaqen e përfituar, deri në 10 për qind të sipërfaqes mund të blihet nga përdoruesi me çmimin e tregut, ndërsa pjesa tjetër do të konfiskohet nga shteti për ta përdorur në fondin e kompensimit të ish pronarëve. Pavlefshmëria e plotë e titullit të pronësisë sipas projektligjit të propozuar nga ekzekutivi mund të realizohet në dy raste, kur pronari kërkon të përfshijë në tapinë e tij më shumë se 10% të truallit ose kur refuzon të kryejë pagesën për truallin që ka marrë më shumë, atëherë komisioni vendor merr vendim për pavlefshmëri të plotë.

Kalimi i titujve të pronësisë për fermerët

Përfitues janë familjet bujqësore apo individët të cilët kanë marrë tokën bujqësore në përdorim apo në pronësi sipas vendimit të qeverisë në vitin 1992 për ristrukturimin e ndërmarrjeve shtetërore. Ata duhet që ta kenë përdorur tokën bujqësore, por që kanë mungesa në plotësimin e dokumentacionit të përdorimit apo të pronësisë. Përfitues do të jenë dhe familjet apo individët që janë lëvizur nga qendrat e tyre të banimit dhe janë vendosur në territoret e ish ndërmarrjeve shtetërore me vendim qeveria, sipas të cilave ata janë përfitues të tokës dhe e kanë në përdorim.

Gërdeci

Deputeti i PS-së, Eduard Shalsi i kërkoi ministrit të Mjedisit Fatmir Mediu që të kërkojë falje për 26 qytetarët të cilët humbën jetën në Gërdec. Ky i fundit mohoi përgjegjësinë ligjore duke deklaruar se organet e drejtësisë janë shprehur për këtë çështje. E kam sqaruar pozicionin tim në lidhje me këtë tragjedi, për të cilën kam një peng të madh moral për faktin se kam qenë ministër i Mbrojtjes në kohën kur ndodhi tragjedia, tha Mediu.

Gjiri i Kakomesë

Pronësia mbi tokat është kthyer në temë debati gjatë interpelancës së thirrur nga nënkryetari i grupit parlamentar socialist Erjon Braçe me ministrin e Drejtësisë Eduard Halimi. Deputeti Braçe shpërtheu në akuza ndaj mazhorancës për shitjen e Gjirit të Kakomesë . Sipas tij, 290 mijë metra katror të pjesës më të bukur të bregdetit jugor i janë shitur një kompanie private duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 36,6 milionë dollarë. Në profilin e tij në FACEBOOK, Braçe i ka bërë thirrje Partisë Socialiste që pas ardhjes në pushtet, të prishë kontratat e lidhura. “Dy vite pasi kishte hyrë në fuqi, por tërësisht në kundërshtim me të, Agjencia, që Sali Berisha me mburrje ia kish lënë në dorë Shaban Memisë, shiti Gjirin e Kakomesë! Gjiri i Kakomesë u shit dhe prona është regjistruar nga ZRPP-ja (hipoteka) nën varësinë e ministrit të Drejtësisë, në favor të kompanisë Riviera! 290 mijë metra katror u shitën për 1219.7 lekë për metër katror! Prona është shitur në total për gati 3.4 milionë dollarë, kur ajo kushton minimumi 40 milionë dollarë!”, -thekson Braçe. Në përgjigje të akuzave të PS-së, ministri i Drejtësisë deklaroi se vendimet për pronat në Gjirin turistik të Kakomesë janë dhënë gjatë qeverisjes së socialistëve.

Replika

Ruçi: Duam Berishën në interpelancë

Kryeministri Berisha vijoi për të tretën herë radhazi që ti shmanget interpelancës së kërkuar nga opozita për zbatimin e marrëveshjes koncesionare për shfrytëzimin e kromit në Bulqizë. Kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, u shpreh se shefi i qeverisë në shkelje të hapur me Rregull

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›