E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënon nënën biologjike, pasi e gjen pas 27 vjetësh

Policia e Tiranës

Një 27-vjeçar është arrestuar nga policia pasi kërcënonte nënën e tij biologjike.

Për shumë vite ai kishte kërkuar nënën e tij biologjike, por edhe pasi e gjeti konfliktohej herë pas here me të, derisa u arrestua nga policia.

I riu 27-vjeçar, Fatmir Dashmusa,  është arrestuar gjatë ditës së djeshme për armëmbajtje pa leje.

Ai ishte braktisur nga nëna e tij biologjike pas lindjes, për shkak se kjo e fundit i përkiste një familje të persekutuar dhe i dashuri i saj, nuk mund të martohej me të. Në këto kushte Hatixhe. H vendosi të braktisë djalin e saj në jetimoren e Shkodrës.

Vetëm pak kohë më pas, Fatmiri u adoptua nga një familje nga Tropoja, e cila u kujdes për të.

Në vitin 2007 nisi kërkimet për nënë e tij biologjike, në kohën kur prindërit e tij adoptues kishin ndërruar jetë.

Pas një sërë kërkimesh ai arriti të gjente nënën e tij dhe prej më shumë se dy vitesh jetonin së bashku në Tiranë. Pak kohë më parë ai shiti shtëpinë e prindërve të tij adoptues në Tropojë dhe të gjitha paratë i shpenzoi.

Ndërkaq, dy net më parë, konflikti mes nënës dhe të birit ka degjeneruar, aq sa Hatixhe. H është detyruar të njoftojë policinë, pasi ndihej e kërcënuar me jetë. Menjëherë pas marrjes së kallëzimit forcat e Komisariatit Nr 2 kanë mbërritur pranë banesës së tyre, ku gjatë kontrolleve kanë gjetur një armë tip kallashnikov, që mbahej pa leje nga ana e 27-vjeçarit, Dashmusa.

/E.L/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›