E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeverisja lokale, Arvizu: Menaxhimi i fondeve të jetë transparent, Berisha: I japim të gjitha kompetencat

Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu,

Prezantohet projekti i financuar nga USAID për qeverisjen lokale.

Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, deklaroi se SHBA mbështet qeverisjen lokale, ndërsa bëri apel për bashkëpunim mes qeverisë qendrore dhe asaj vendore.

Shqipëria ka hyrë në rrugëtimin e saj të tretë drejt një qeverisje të decentralizuar dhe demokratike. Teksa nisim këtë projekt u bëj thirrje për bashkëpunim. Të ecurit përpara kërkon që qeveritë të përmbushin detyrimet, kërkon dialog të hapur mes qeverisjes vendore dhe asaj qendrore, besim, kërkon që transferimi i burimeve të jetë i drejtë dhe transparent. Kërkon që rritja urbane të jetë më e mirëmenaxhuar, tha ambasadori amerikan.

Arivizu tha se, kam besim se do ti pranoni këto sfida dhe do bashkëpunoni, ne premtojmë mbështetjen tonë. Më e rëndësishme se mbështetja është udhëheqja politike. 

Ndërsa, kryeministri Berisha duke folur në ceremoninë e organizuar nga USAID me qeverisjen vendore, theksoi se qeveria është e gatshme t`i japë çdo kompetencë qeverisë vendore për të mbledhur të ardhurat.

Ne jemi të gatshëm t`ju japin çdo kompetencë dhe ju të merreni me një menaxhim efiçent të burimeve tuaja. Nëse mendojmë se do të ecim si një socializëm pa paguar ne ecim prapa. Ne duhet të forcojmë disiplinën në të ardhmen. Unë ju garantoj se ne do të ndajmë me ju një seri taksash. Jemi të vendosur, por ne iu bëjmë thirrje që të ushtroni kompetencat tuaja. Gjykata kushtetuese dhe parlamenti ju dha më shumë të drejtë, të drejtën e administrimit të territorit dhe mjetet për ta ushtruar këtë kompetencë, shtoi Berisha.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe kryebashkiaku Basha, i cili falënderoi qeverinë e SHBA-së dhe misionin e USAID për financimin e projektit që mbështet Bashkinë e Tiranës.

Basha u shpreh se para tij ka shumë sfida, të cilat do mund të zgjidhen vetëm me bashkëpunim mes qeverisjeve.

USAID do mbështesë projektet e Bashkisë së Tiranës. Ne vetë nuk mund të kishim përkufizuar më mirë sfidat, pasi përballemi me sfida të përditshme, kemi zgjidhur disa prej tyre, por ende mbetet për tu bërë. Ne jemi qeveria më pranë qytetarëve dhe duam të japim më shumë zgjidhje për qytetarët, tha ai.

Kryebashkiaku theksoi se moto e bashkisë që ai drejton është shërbimi i shpejtë dhe i mirë, ndaj qytetarëve dhe bizneseve.

/E.L/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›