Proporcionali rajonal me korrigjim kombëtar
Ndryshimet e propozuara nga partitë e vogla në sistemin zgjedhor parashikojnë një ndarje të deputetëve sipas qarqeve, por në fund të ketë një korrektim kombëtar. Kjo mund të kryhet përmes formulës që 100 deputetë të dalin nga 12 qarqet dhe 40 të tjerë përmes një liste emërore. Sipas kësaj formule, ndarja për 100 mandatet do të jetë e njëjtë si ajo e zgjedhjeve të kaluara dhe ndryshimi do të ishte që qarqet do të nxjerrin më pak deputetë.
Kjo do të sillte një rillogaritje të deputetëve që nxjerr secili qark. Numri i votave të vlefshme të secilës parti pjesëtohet në mënyrë të vazhdueshme me numra natyrorë tek të njëpasnjëshëm, të quajtur pjesëtues, duke filluar me numrin 1 dhe duke përfunduar me numrin natyror që i korrespondon dyfishit të numrit të mandateve që shpërndahen në zonën zgjedhore përkatëse. Herësit e përftuar nga çdo pjesëtim renditen në listë nga herësi më i madh tek ai më i vogël, duke renditur përkrah tyre subjektin, të cilit i përket herësi përkatës. Renditja vazhdon derisa të renditen aq herës sa është numri i mandateve që shpërndahen brenda koalicionit në zonën zgjedhore përkatëse. Një parti politike përfiton një numër mandatesh të barabartë me numrin e herësve
Për 40 vendet e tjera, do të përdoret formula e proporcionalit të pastër. Kryetarët e partive do të duhet të hartojnë një listë të re, ku të renditen kandidatët për sistemin proporcional në rang kombëtar. Sipas votave në total që partitë do të marrin në të gjithë vendin, do të realizohet edhe ndarja e këtyre 40 mandateve. Kjo formulë mbështetet nga partitë e vogla, të cilat pretendojnë se votat e tyre në shumë qarqe humbasin. Nëse pranohet formula, partitë e vogla parlamentare do të mund të kenë një ose dy deputetë më shumë se sa kanë aktualisht ndërsa partitë e vogla jo parlamentare do mund të fusin të paktën kryetarët e tyre si deputetë në parlament.