Pse ka ngrirë marrëveshja PD-PS

Taulant Balla
Marrëveshja e 14 nëntorit të vitit të kaluar mes mazhorancës dhe opozitës për reformën elektorale, reformën parlamentare dhe ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar ka njohur hapa pas dy ditë më parë në Konferencën e kryetarëve të grupeve parlamentare. Marrëveshja shtrihet përgjatë një afati kohor nga dhjetori i vitit të kaluar deri në mars të këtij viti.
Opozita insistoi që miratimi i ligjeve me shumicë të cilësuar të kryhet pikërisht në fund të afatit, në gjysmën e dytë të muajit mars. Këtë kërkesë opozita e ka justifikuar me kohën që duhet për të kryer ndryshimet në ligje. Por mazhoranca ka ndryshuar këtë gjë duke vendosur që shqyrtimi i ligjeve të nisë nga dita e hënë dhe miratimi i tyre nga data 2 shkurt. Opozita nuk e ka pranuar këtë kalendar të Kuvendit dhe nuk e ka votuar. Gjithsesi kalendari u miratua vetëm me votat e PD-së.
Pas mbledhjes, deputeti i PD-së Edi Paloka tha: Zoti Ruçi kërkoi në konferencë heqjen nga kalendari të ligjeve me 3/5. Për ne përbën shqetësim sepse në bazë të marrëveshjes që është realizuar në 14 nëntor është kërkuar që këto kode të kalojnë. Sigurisht që nuk ka konsensus në seancë pasi ata ishin kundër. Kërkuan heqjen nga kalendari të kodeve për të cilat është arritur një marrëveshje.
Por disa orë më vonë reagoi sekretari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili i quajti deklaratat e PD-së si një lojë mediatike. Të gjitha këto projektligje janë prej kohësh pjesë e punës së përditshme të përfaqësuesve socialistë në Komisionin e Ligjeve, të cilët po përgatisin qëndrimin tonë në atë komision për secilin nga projektet e paraqitura nga qeveria. Puna e tyre bazohet në afate të përcaktuara, paraprakisht, që lidhen me domosdoshmërinë për të realizuar në afatin e paracaktuar bashkërisht me palën tjetër miratimin e projekt-ligjeve në fjalë,- sqaroi Taulant Balla.