E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si e përhapi Karaxhiç terrorizmin islamik

S’ka aq shumë gjasa që mbajtja e Radovan Karaxhiçit në Hagë t’i kënaqë adhuruesit e tij të mbetur. Meqenëse është një ëndërrimtar që merret me ide që i tejkalojnë aftësitë e tij, prokurori do ta thyejë lehtë. Edhe pse, përkundër faktit se pseudopoeti dhe pseudodoktori Karaxhiç ka një pamje absurde, ideologjia që ai përfaqëson ishte mjaft serioze, sa për të shkaktuar pasoja katastrofike dhe vështirë të riparueshme.

Për diplomatët dhe ushtarët perëndimorë ishte më i lehtë injorimi i natyrës së projektit të Serbisë së Madhe, të cilin Karaxhiç dhe kolegët e tij po e aplikonin në fillimvitet nëntëdhjetë. Arsyeja është e thjeshtë: Ai projekt ishte qartazi dhe kryesisht gjenocidal. Po të njihej, strategjia e dakorduar ndërkombëtare për neutralitet do të ishte e pamundur.

Viktimat kryesore të shënjestruara të atij programi ishin myslimanët e Bosnjës. Në sytë e propagandistëve serbë popullata myslimane e Bosnjës ia vlente urrejtjen, për dy arsye: shkaku i religjionit dhe ngaqë historikisht i konsideronin renegatë të serbizmit.

Biljana Plavsiç, zëvendësja e Karaxhiçit, që më vonë edhe e trashëgoi, sqaronte: “Materiali i prishur gjenetikisht (i serbëve) pranoi islamin”.

“E tani, natyrisht, në secilën gjeneratë të ardhshme ky gjen thjesht vetëm është shumëzuar. Po bëhet gjithnjë e më keq...”, - ankohej ajo. Mirëpo, ja që një zgjidhje përfundimtare tani e kishin në dorë, kështu që 100,000 myslimanë atë “prishje”e paguan me jetë.

Andaj, sulmi mbi myslimanët e Bosnjës ishte sulm ndaj islamit, dhe ai nënkuptonte, për shembull, edhe shkatërrimin e përngjitshim dhe sistematik të xhamive. Për më tepër, Karaxhiç politikën e tij edhe e prezantoi me këto fjalë.

Kërkonte nga Perëndimi që t’i shpërfillte krimet serbe – të cilat njëkohësisht edhe i mohonte - sepse forcat e tij po mbronin interesat e Perëndimit. “Është e habitshme se si SHBA po e ndihmojnë dhe përkrahin islamin militant”, - ankohej ai. E kjo asokohe ishte gënjeshtër. Myslimanët boshnjakë nuk ishin militantë. Ata tradicionalisht ishin një popull sllav me religjion të matur, që pinin raki, hanin mish derri dhe jetonin të qetë. Mirëpo, falë veprave të Karaxhiç, gënjeshtra kërcënon të shndërrohet në të vërtetë.

Të nëntëdhjetat e hershme ishin kyçe për rritjen e terrorizmit global islamik, përfshirë edhe atë që mandej do të bëhet Al-Qaeda, e në Bosnjë ishte qendra e gjithë kësaj. Qeveria kryesisht myslimane e Sarajevës në dëshpërim i ishte kthyer grupeve dhe vendeve islamike. Paratë dhe armët vinin në sasi marramendëse – mes tjerash, me sa duket, edhe nga Osama bin Laden. Gjithashtu, arritën edhe disa mijëra muxhahedinë, fillimisht nga Irani dhe Afganistani, e më vonë edhe nga Afrika Veriore dhe Lindja e Mesme.

Meqë më shumë binin në sy për nga taktikat e tyre gjakatare sesa për nga efikasiteti ushtarak, këta ushtarë të huaj fillimisht u angazhuan në luftë kundër serbëve, e pastaj edhe kundër kroatëve në Bosnjën Qendrore (1993), pas ndarjes së dy ish-aleatëve. Akoma po zbulohen krimet e tyre të shumta.

Sot, megjithëse në mënyra të ndryshme, është interes i përbashkët i Karaxhiç dhe Bin Laden përhapja e idesë se luftërat në ish-Jugosllavi paraqitnin një ndeshje gjigante të civilizimeve. Në realitet ishte ndryshe. Bosnjën në vitin 1995 e shpëtoi intervenimi i Amerikës, i fuqisë më eksplicite krishtere në botë. Ndërkohë që nga bota islamike ishte pikërisht Turqia - shteti më eksplicit sekular me popullatë shumicë myslimane - e jo ajatollahët dhe xhihadistët, ajo që bëri më së shumti për sigurimin e respektimit të shtetësisë boshnjake.

Trashëgimia e Karaxhiç sigurisht që do të dëshmohet me jetëgjatë se poezitë e tij. I pastruar etnikisht, minishteti i serbëve të Bosnjës që e krijoi, nuk planifikon të lejojë kthimin e popullatës joserbe, e as të heqë dorë nga synimi që t’i bashkohet Serbisë. Ndërkaq, reagimi islamik ndaj gjenocidit që kryen serbët do të vazhdojë ta komplikojë mbrojtjen e Perëndimit nga terrorizmi.

Pas Marrëveshjes së Daytonit, me të cilën në vitin 1995 përfunduan konfliktet e armatosura- por edhe karriera e Karaxhiç - u desh që të shkonin edhe muxhahedinët. Por, meqë fituan shtetësi boshnjake, shumë nga ta arritën të mbeten. Nën presionin e SHBA, disa prej më të dyshimtëve pastaj u larguan, por shumë mbetën. Shpresat islamike për konvertimin e myslimanëve boshnjakë në ekstremistë ishin të kota deri tani. Por kushtet për këtë ekzistojnë.

Me shuma marramendëse parash saudite u financua ndërtimi i xhamive të reja, e shumë imamë të ardhshëm të tyre ndodhen në trajnim jashtë vendit dhe i nënshtrohen ndikimit vahabit. Në vetë Bosnjën vepron një rrjet fondacionesh islamike për ndihmë dhe arsimim, një rrjet organizatash humanitare dhe OJQ me seli jashtë, ngaqë hapësira iu është lëshuar nga qeveria joefikase dhe e korruptuar.

Në vendet e tjera këto lloj organizatash u dëshmuan si rrugë drejt ekstremizmit islamik dhe Al-Qaeda-s. Megjithatë, s’është e thënë që shumica e myslimanëve boshnjakë të radikalizohen e që Bosnja të shndërrohet në bazë ose derë për terroristë. Kjo është gjë me rëndësi. Me Kroacinë, që do të duhej të hynte në BE në vitin 2010, dhe me Serbinë, të cilës me gjasë do t’i ofrohet hyrja me procedurë të shpejtuar, është vështirë të shikosh se si Bosnja po lejohet të mbetet prapa.

Megjithëse, të njëjtave qeveri evropiane që dikur shikonin se si fanatikët antimyslimanë po e shkatërronin Bosnjën e vjetër, tani do t’iu duhet të ndalojnë fanatikët myslimanë për të mos e shndërruar Bosnjën e re në një kërcënim për Perëndimin.

* Marrë nga “Express”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›