Propozimi i AK: Të nisim negociatat me Greqinë nga Çamëria
Aleanca Kuqezi ka akuzuar qeverinë greke për ndërhyrje të vazhdueshme në punët e brendshme të Shqipërisë. Sipas kësaj partie, ndërsa mban ende ligjin e luftës me Shqipërinë, qeveria greke dhunon popullsinë çame dhe nuk u njeh atyre të drejtën e pronësisë.
Propozimi i AK-së
Aleanca KuqeZi ka kërkuar nga ana e Ministrisë së Jashtme greke reciprocitet për gjyqtarët që dënojnë shqiptarë, reciprocitet si pronat e çamëve dhe minoritarët, reciprocitet në kufi për gazetarët grek. Greqia gjithherë ka dashur të diktojë dhe të ndërhyjë në punët e Shqipërisë, me synimet e saj, ashtu siç edhe ka bërë me mbajtjen ende të një relikti tragjik të konfliktit, atë që quhet ligji i luftës ndaj Shqipërisë. Ashtu sikundër ka lënë të gjallojë ideja e Vorio-Epirit, e financimit të dyshimtë ekonomik në fushatën e censusit, e ndërtimeve të kultit dhe shkollave greke, në vendosjen e varrezave të ushtarëve të rënë, etj. Ndërkaq Çamëria shqiptare është zemërimi dhe trazimi më anti-shqiptarë i Greqisë fqinje e cila nuk ka ndalur persekutimin e saj të dikurshëm dhe genocidin, ndaj tmerrohen nga çdo emër çam, që hyn në kufi. I mohohen të drejtat e popullsisë çame pasi e dinë se këtë gjë më së pari e ka bërë vetë qeveria shqiptare që nuk guxon të ngrejë këtë çështje në nivele prioritetesh diskutimi ndërshtetëror, deklaroi Pasha. Sakaq ai theksoi se ato segmente të qeverisë dhe shtetit grek, që poshtërojnë shqiptarët, e bëjnë këtë pasi e dinë se kanë një vasal të tyre në krye të qeverisë shqiptare. Kjo nuk është një sjellje e komunikimit të ndërsjellë midis dy vendeve të Europës. Çamëria është një problem i pazgjidhur, njohja dhe kthimi i pronave të tyre përbën një kusht themelor, human të të drejtave të njeriut dhe ajo nuk ka përse të kërcënojë sigurinë kombëtare të Greqisë, deklaroi zoti Myslym Pashaj. Sipas Aleancës, pazari që është duke ndodhur mes Shqipërisë dhe Greqisë, do të marrë fund me largimin e Berishës nga pushteti.
PS: Qeveria të mos tradhtojë vendin
PS këmbëngul në kërkesën për transparencë të negociatave me Greqinë për kufirin detar. Deputeti Artan Gaçi deklaroi dje se në këtë 100 vjetor qeveria po tradhëton shtetin shqiptar nëpërmjet tentativave për marrëveshje të fshehtë me shtetin helen. Në 14 gusht kryediplomati, Edmod Panariti, deklaroi ngritjen e një grupi pune për të negociuar për herë të dytë me palën greke për çështjen e kufirit detar mes dy vendeve.
Shembja e shtëpisë muze, intelektualët në Korçë në tubim
Hado: Shtëpia e Republikës është shembur qëllimisht
Shtëpia historike në Korçë është shembur qëllimisht. Ky ka qenë qëndrimi zyrtar i ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në të parën deklaratë pas ngjarjes së rëndë. Zv. ministri Abaz Hado ka theksuar se pas shembjes së saj fshihen qëllime të errëta. Sa i përket gjendjes së rënduar që ajo ka qenë Hado u shpreh se MTKRS-ja ka qënë në dijeni pavarësisht mosndërhyrjes së saj. Ai ka theksuar se MTKRS do të ndihmojë bashkinë e Korçës për hartimin e projektit për rindërtimin e shtëpisë muze. Ndërkohë që qytetarë dhe intelektualë e Korçës kanë dalë në një tubim paqësor për ringritjen e shtëpisë së flamurit. Pas degradimit që pësoi godina në vite dhe mungesës së kujdesit total të shtetit megjithëse ishte një monument kulture i kategorisë së parë, për më shumë se 40 vjet ndaj saj nuk u tregua asnjë lloj interesi sikur të mos ekzistonte. Kjo ka bërë që vit pas viti godina të pësojë dëmtime të shumta në të gjithë strukturën e saj, ndërsa prej disa ditësh ajo është shembur gati plotësisht. Në 10 dhjetor të vitit 1916 patrioti i njohur Themistokli Gërmenji bashkë me 13 patriotë të tjerë të kësaj treve e shpallën Korçën krahinë autonome. “E dua historinë e Korçës” ka qënë deviza e këtij tubimi, ndërsa tubuesit kanë hedhur parulla të ndryshme duke kërkuar dhe zgjimin e korçarëve për vlerat në zhdukje të identitetit të tyre. Niko Kotherja një studiues i historisë ka theksuar se zhdukja e vlerave të historisë janë veprime mjaft të rrezikshme, ndërsa ka pohuar se protestat e qytetarëve do të vijojnë të jenë permanente deri në ringritjen e godinës. Ata janë duke hartuar gjithashtu një letër për kryeministrin Sali Berisha me firma të familjeve më të njohura korçare, për ti kërkuar këtij të fundit ndërhyrjen emergjente për ringritjen e shtëpisë së flamurit deri më 28 nëntor. Pak ditë më parë ka qenë vetë kryebashkiaku i Korçës Niko Peleshi i cili propozoi investimin deri në masën 100 për qind të kësaj godine me vlera historike për Korçën dhe jo vetëm nëse merr miratimin nga Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore.