E Shtunë, 31 Tetor 2026

Propozimi i PS: Vendimet, PD kundër hetimit të ministrave

Dje gjate mbledhjes se komisionit te ligjeve

PS propozon hetimin e ministrave që iniciojnë vendime në Qeveri. Bllokohet kompromisi për ndryshimet në Kodin Penal.

PD nuk pranon propozimin e opozitës për përgjegjësitë penale të Kryeministrit dhe ministrave.

Kasmi: Nuk ka përgjegjësi penale për aktin kolegjial.

Maxhoranca dhe opozita nuk arrijnë kompromisin sa u takon përgjegjësive individuale të Kryeministrit dhe ministrave, për vendimet e miratuara në Këshillin e Ministrave. Pas rreth katër orë diskutimesh mes zv.ministres së Drejtësisë, Brikena Kasmi dhe deputeteve të PS-së, Ermonela Felaj e Vasilika Hysi, u ra dakord vetëm që neni të shqyrtohet sërish sot në mbledhjen e Komisionit, e cila është parashikuar të nisë në orën 09:00. Gjatë diskutimit, zv.ministrja e Drejtësisë ka mbrojtur qëndrimin se dispozita e propozuar synon të vërë përpara përgjegjësisë penale iniciatorin ose propozuesin e aktit administrativ. Ky formulim synon nga njëra anë të sjellë përgjegjësinë penale të organit kolegjial dhe, nga ana tjetër, të transferojë përgjegjësinë penale nga një vendimmarrje kolektive në një person. Duhet pasur parasysh që akti administrativ sjell pasoja juridike pas miratimit sipas formës së përcaktuar nga ligji dhe në rastin e vendimmarrjes kolektive, pasojat vijnë pas shprehjes së vullnetit të shumicës së parashikuar për atë organ kolegjial. Në këtë rast propozuesi ka vetëm një votë, atë të vetën. Në draftin e paraqitur nga opozita thuhet se Ministrat janë përgjegjës individualisht për aktet e institucioneve që drejtojnë. Kryeministri ose ministri përgjigjet penalisht kur aktet e Këshillit të Ministrave të miratuara me nismën e tij apo për të cilat institucionet që drejtojnë kanë dhënë mendim, janë të kundërligjshme dhe u kanë sjellë atij ose personave të lidhur me të, përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë. Përgjegjësi penale e Kryeministrit dhe e ministrave rregullohet me ligj të veçantë. Gjithashtu, në propozimet e Partisë Socialiste, që do të shqyrtohet sot, janë rritur dënimet me burg për veprat marrëdhëniet homoseksuale me dhunë me të rritur, veprat e turpshme dhe vjedhje duke shpërdoruar detyrën. Konkretisht, në ligjin aktual, kryerja e marrëdhënieve homoseksuale me dhunë me të rritur dënohet me burgim nga dy gjer në shtatë vjet. Ndërsa tani, sipas propozimeve të Partisë Socialiste, kjo vepër do të dënohet nga tre gjer në shtatë vjet heqje lirie.

Mashtrimi
Partia Socialiste, në amendamentet e paraqitura në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, kërkon ndryshimin e nenit 143 që ka të bëjë me veprën penale të mashtrimit. Në legjislacionin në fuqi kjo vepër dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. Sipas PS-së, vjedhja e pasurisë me anë të gënjeshtrës ose shpërdorimit të besimit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, në raport me të dëmtuarin,  me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

Shpërdorimi
Sipas opozitës, vjedhja e pasurisë, e kryer nga personi që ka për detyrë ta ruajë dhe ta administrojë atë, apo duke shpërdoruar detyrën, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë. Deri tani kjo vepër dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet. Gjithashtu, PS-ja propozon se kryerja nga personi i ngarkuar me funksione shtetërore apo në shërbim publik i veprimeve në kundërshtim me ligjet që rregullojnë lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë e shtetasve në tendera dhe ankande publike, për të krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretët, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Ndryshimet e propozuara nga PS
Neni 45/a shtohet

Zbatimi i ligjit penal ndaj Këshillit të Ministrave
Ministrat janë përgjegjës individualisht për aktet e institucioneve që drejtojnë. Kryeministri ose ministri përgjigjet penalisht kur aktet e Këshillit të Ministrave të miratuara me nismën e tij apo për të cilat institucionet që drejtojnë kanë dhënë mendim, janë të kundërligjshme dhe u kanë sjellë atij ose personave të lidhur me të, përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë. Përgjegjësi penale e Kryeministrit dhe e ministrave rregullohet me ligj të veçantë. (Pjesë përbërëse e këtij Kodi.)
Neni 102/a ishte
Marrëdhëniet homoseksuale me dhunë me të rritur
Kryerja e marrëdhënieve homoseksuale me dhunë me të rritur dënohet me burgim nga dy gjer në shtatë vjet. Kur marrëdhënia homoseksuale me dhunë kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose kur të dëmtuarit i shkaktohen pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet. Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e të dëmtuarit dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.
Neni 102/a bëhet
Marrëdhëniet homoseksuale me dhunë me të rritur
Kryerja e marrëdhënieve homoseksuale me dhunë me të rritur dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet. Kur marrëdhënia homoseksuale me dhunë kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose kur të dëmtuarit i shkaktohen pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet. Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e të dëmtuarit dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.
Neni 135 ishte
Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën
Vjedhja e pasurisë, e kryer nga personi që ka për detyrë ta ruajë dhe ta administrojë atë, apo duke shpërdoruar detyrën, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet.
Neni 135 bëhet
Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën
Vjedhja e pasurisë e kryer nga personi që ka për detyrë ta ruajë dhe ta administrojë atë, apo duke shpërdoruar detyrën, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë.
Neni 258 ishte
Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike
Kryerja nga personi i ngarkuar me funksione shtetërore apo në shërbim publik i veprimeve në kundërshtim me ligjet që rregullojnë lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë e shtetasve në tendera dhe ankande publike, për të krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretët, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Neni 258 bëhet
Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike
Kryerja nga personi i ngarkuar me funksione shtetërore apo në shërbim publik i veprimeve në kundërshtim me ligjet që rregullojnë lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë e shtetasve në tendera dhe ankande publike, për të krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretët, dënohet me burgim gjer në tre vjet.

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›