Propozimi, sa do te rriten gjobat që penalizojnë dentistët
Gjobat që do të penalizojnë stomatologët në raste shkeljesh do të rriten. Ministria e Shëndetësisë ka propozuar rritje të çmimit të gjobave që do të penalizojnë klinikat dentare në rast se në punën e tyre do të evidentohen shkelje. Burime pranë kësaj ministrie pohuan dje për gazetën “Albania” se shkak për këtë nismë është bërë problemet e konstatuara herëpashere në këto ambiente. Për shumën e rritjes pritet të diskutohet së shpejti në Komisionin e Shëndetësisë, i cili do të përcaktojë gjobën e re për çdo rast që do të vlerësohet si shkeljeje nga inspektorët e shëndetësisë, që do të bëjnë verifikimet në terren. Rritja është menduar që të bëhet sipas rastit të shkeljes, për shembull, nëse gjoba është në 10 mijë lekë, do të bëhet 12 mijë lekë. Ministria e Shëndetësisë kërkon që të rrisë standardet për të kapërcyer problemet që kanë klinikat private me shërbimin ndaj pacientëve dhe kushtet e punës së tyre. Kjo vjen për shkak të ankesave të shumta që kanë depozituar pacientët ndaj shërbimit që iu ofrohet në klinikat dentare.
Komisioni
Komisioni pritet të mblidhet ditën e hënë, ku do të merret parasysh çdo rast shkeljeje, ndërsa anëtarët do të vendosin për masën e gjobës. Ligji i Shërbimit Shëndetësor Stomatologjik, është miratuar, që në 1996 dhe pritet që një pjesë e tij të ndryshojë. Projektligji i Ministrisë së Shëndetësisë parashikon ndryshime të rëndësishme të lidhura me detyrimin që ka shteti për të përballuar financiarisht trajtimet stomatologjike të grupmoshave apo kategorive të përcaktuara me ligj apo me akte nënligjore. Po kështu, projektligji parashikon detyrimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushën e stomatologjisë për t’u licencuar. Duke pasur parasysh se shumë subjekte punojnë duke mos pasur licencë, tashmë do të bëhet identifikimi i të gjithë personelit që ushtron aktivitetin në fushën e stomatologjisë, duke përfshirë profile të reja të kësaj fushe. Çështje tjetër, që pritet të futet në ligjin e ri është futja shërbimit shëndetësor stomatologjik në institucionet arsimore, si dhe përcaktimi për mënyrën e ofrimit të urgjencave stomatologjike. Shërbimi i Stomatologjisë do të mbikëqyret nga Inspektorati shëndetësor stomatologjik, ndërsa ankesat e pacientëve priten si në Ministrinë e Shëndetësisë, ashtu dhe pranë Urdhrit të Mjekut.
Ankesat
Qytetarët kanë shfaqur ankesa të shumta kundrejt këtij shërbimi të ofruar nga dentistët. Shumica e tyre janë depozituar pranë Urdhrit të Mjekut, ndërsa arsyet më të shumta kanë qenë për vendosjen e protezave dhe materialit me cilësi të ulët që ofrohet. Njëkohësisht, në kryeqytet ka dhe një numër klinikash dentare që ushtrojnë profesionin pa licencë dhe komisioni do të vendosë edhe për licencimin, gjobat apo mbylljen e aktivitetit, që do të vendosen ndaj dentistëve që ushtrojnë profesionin në mënyrë të paligjshme.
Gjobat që janë zbatuar deri më tani
Shkeljet e rregullave të parashikuara në ligj, kur nuk formojnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen nga organet e përcaktuara në nenin 11 të këtij ligji, si më poshtë:
a) Për ushtrim profesioni pa licencë në fushën e stomatologjisë, me gjobë nga 10 000 deri në 50 000 lekë dhe në rast mospajisjeje me licencë brenda një afati 2 mujor, me pezullimin e veprimtarisë dhe deri në mbylljen e klinikës.
b) Për hapjen e institucioneve shëndetësore stomatologjike private pa licencë, me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë dhe në rast mospajisjeve me licencë, brenda një afati 2 mujor, me pezullimin e veprimtarisë dhe deri në mbylljen e institucionit.
c) Për mosrealizimin e kushteve të nevojshme për ushtrimin e shërbimit stomatologjik në institucionet shkollore, me gjobë nga 10 000 deri në 20 000 lekë, deri në pezullimin e veprimtarisë.
ç) Për mosafishimin e çmimeve të shërbimit, me gjobë nga 1 000 deri në 5 000 lekë.
d) Për mosrealizimin e shërbimit stomatologjik për moshat nën 18 vjeç, të të shtruarve në spitale, të kategorive të përcaktuar në dispozitat ligjore dhe urgjencat për të rritur, me gjobë nga 10 000 deri në 50 000 lekë.
dh) Për mospërmbushjen e detyrimeve ndaj kontratës së lidhur ndërmjet palëve për realizimin e shërbimit, me gjobë nga 10 000 deri në 50 000 lekë ose me heqjen e licencës.
e) Për ushtrimin e veprimtarisë mjekuese me pacientë nga laborantët dentarë, me gjobë nga 10 000 deri 50 000 lekë ose me heqjen e licencës.
21 Maj 2008