E Shtunë, 31 Tetor 2026

Propozohen ambasadorët për Greqinë e Bosnjen

TIRANë- Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilloi një seancë dëgjimore me kandidaturat e propozuara nga Ministria e Jashtme për Ambasadorë, zotin Dashnor Dervishi dhe zotin Flamur Gashi, për Greqinë dhe Bosnje-Hercegovinën. Kandidaturat u prezantuan nga Sekretari i Përgjithshëm pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, Gazmend Turdiu, i cili vlerësoi të dy emrat si dinjitozë për përfaqësimin diplomatik të vendit tonë.

Dashnor Dervishi, kandidat për postin e Ambasadorit të Shqipërisë në Greqi prezantoi përpara anëtarëve të Komisionit të Jashtëm objektivat dhe prioritetet e tij në ushtrimin e kësaj detyre. Ai theksoi se detyra e tij si përfaqësues diplomatik i Shqipërisë në Athinë ka një rëndësi të veçantë pasi Greqia është një partner strategjik politiko-ekonomik, në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, europian por edhe më gjerë.

Një vëmendje të veçantë, zoti Dervishi i kushtoi edhe emigrantëve shqiptarë në Greqi duke shprehur garancinë se gjatë ushtrimit të detyrës së tij do të punojë për një trajtim sa më njerëzor në kuadër të respektimit të të drejtave të tyre. Anëtarët e Komisionit të Jashtëm dëgjuan prezantimin e zotit Florian Gashi, kandidat për postin e Ambasadorit të Shqipërisë në Bosnje-Hercegovinë, ku vendi ynë për herë të parë do të çelë selinë e tij diplomatike në këtë shtet.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›