Protagonistët e vitit në letërsinë shqipe
Çmimet letrare, përveç nxitje dhe motivim për shkrimtarët, mund të jenë jo vetëm një nxitje për krijuesit e tjerë, por njëkohësisht kanë vlerë për të afruar lexuesin nga letërsia shqipe dhe autorët shqiptarë. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve tashmë ka krijuar një traditë letrare në vlerësimin e letërsisë shqipe. Me përfundimin e vitit tashmë kanë nisur të artikulohen kandidatët e mundshëm për Çmimin Kombëtar të letërsisë shqipe, ku fituesit si çdo vit shpallen nga fillimi i muajit shkurt. Një vit më parë ky çmim u fitua nga Agron Tufa me librin e tij “Thembra e Akilit”; ndërsa këtë vit Tufa qëndron në krye të jurisë, që seleksionon kandidatët për çmimin e këtij viti. Në mbledhjen e fundit të saj juria e përbërë nga Persida Asllani, Virgjil Muçi, Bilal Gjini, Bardhyl Londo dhe Agron Tufa kanë hartuar një listë paraprake të kandidatëve për çmimin e letërsisë në gjini të ndryshme. Veprat që janë marrë në shqyrtim janë botuar në Shqipëri dhe janë katalogizuar me ISBN në Bibliotekën Kombëtare. Të gjithë janë shkrimtarë shqiptarë, përveç turkut Ahmet Dursun, i cili në fakt shkruan në gjuhën shqipe. Ai përfaqësohet me librin e tij “Pena e Gardianit”. Në listën paraprake të kandidaturave janë poezia e Preç Zogajt dhe e Zef Zorbës, përkthimi voluminoz i veprës së Kafkës nga Ardian Klosi, apo “Kryeveprat” e Dino Buzatit nga Dritan Çela. Ashtu siç është dhe proza e Zija Çelës me romanin “Goja e botës”, Mehmet Kraja me “Hotel Arbëria”, Idlir Azizi me “Terxhumani”, Rudi Erebara etj. Në prozën e shkurtër qëndron Ridvan Dibra me librin “Në kërkim të fëmijës së humbur”, Uran Butka me “Dora e shtetit”, Ramiz Gjini me “Posta që sjell era”. Në fakt proza e gjatë dhe përkthimi artistik zënë volumin më të madh të listës paraprake, ndërkohë që letërsia për fëmijë përfaqësohet nga Kiço Blushi dhe Jani Boçari, në listën paraprake të kandidatëve. Ata që janë përzgjedhur për çdo gjini janë përcaktuar nga një listë e gjatë prej rreth 40 botimesh. Autorët janë ndarë sipas gjinive: proza e gjatë, proza e shkurtër, poezia, kritikë & teori letrare, përkthimi artistik, letërsia për fëmijë, letërsia debutuese.