E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi, 3 mijë invalid pune në vit

Sipas nënkryetarit të Këshillit Kombëtar të Punës, Kika, shifrat tregojnë 10 herë më shumë invalid pune se para '90-ës. Ministria e Shëndetësisë të kontrollojë KEMP-et


Invalidët e punës janë rritur në mënyrë të frikshme pas viteve '90-të. Të paktën kështu flasin shifrat, pasi raportohen 10 herë më shumë invalid pune në ditët e sotme se para viteve '90-të.


E ndërsa aksidentet në punë kanë ardhur gjithnjë në rritje, masat e sigurisë pothuajse nuk ekzistojnë për punonjësit. Këto probleme dhe shumë të tjera u bënë të ditura dje në Ditën Ndërkombëtare për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë organizuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës në Shqipëri (ILO).


Në këtë, e cila mblodhi tryezë morën pjesë ministri i Punës, Spiro Ksera, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, zv.ministre e Punës, Drejtori i PNUD-it në Shqipëri, Norimasa Shimomura, përfaqësues të Organizatave te Punëdhënësve dhe Punëmarrësve, përfaqësues të agjencive të Kombeve të Bashkuara, shoqërisë civile etj.


Nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Punës, Avenir Kika, pohon për gazetën se në vendin tonë shënohen 3 mijë invalid pune në vit, por nga ana tjetër, ai bën përgjegjës Ministrinë e Shëndetësisë, e cila duhet të kontrollojë komisionet që japin KEMP për invalidët shpesh me të padrejtë.


Invalidët


Mijëra persona deklarohen si invalid pune çdo vit. Një pjesë e punonjësve invalidizohen për shkak të profesioneve të vështira që kanë, ndërsa të tjerë aksidentohen. Sipas nënkryetarit të Këshillit Kombëtar të Punës, Avenir Kika, tashmë është fakt se krahasuar me vitet para '90-ës është 10-fishuar statistika e invalidëve në punë.


"Nëse para viteve '90-të kishte 300 invalid pune në vit, tashmë raportohen 3 mijë invalid pune në vit, që janë 10 herë më shuam se para viteve '90-të", shpjegon Kika, duke shtuar se kjo shifër është vërtet problematike, ndaj dhe kërkon vëmendje maksimale.


Ndërsa përfaqësuesi i ILO-s në Shqipëri, Alfred Topi, u shpreh se ka ardhur koha që të bëhen përpjekje të përbashkëta të partnerëve socialë për të garantuar që Siguria dhe Shëndeti në Punë. "Nuk ka as më të voglin dyshim se, përvç faktit që këtu flitet për shpëtimin e jetës së qenieve njerëzore, parandalimi kushton edhe ekonomikisht më pak", - theksoi Topi.


Përgjegjësit


Nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Punës, Avenir Kika, ka theksuar se numri i invalidëve në punë është rritur, por shifrat e raportuara në Institutin e Sigurimeve Shoqërore për këta invalidë mund të këtë abuzime për qëllime përftimi.


Sipas tij, është Ministria e Shëndetësisë, e cila duhet të marrë masa që të mos jepet asnjë pagesë KEMP-i (pagesa e invalidëve të punës), të cilat jepen me komisione mjekësh. "Pra, ndodh që invalidët e punës mund të përfitojnë KEMP edhe në mënyrë abuzive", - thekson Kika.


Ndërkohë, në konferencë ministri i Punës, Spiro Ksera, theksoi se strukturat e inspektimit po marrim masa që ndaj të gjithë përgjegjësve. "Gjatë vitit të kaluar kanë synuar rritjen e numrit të inspektimeve në subjektet ekonomike që paraqesin rrezikshmëri të lartë për punëmarrësit dhe nga gjobat e vënë për shkelje të legjislacionit të punës të konstatuara, rreth 63% e tyre janë për shkelje të neneve të Sigurisë së Shëndetit në Punë", - theksoi Ksera.
Kryetari i Sindikatave së Shërbimeve Policore në Konfederatë, Mezaj, theksoi se policët nuk kanë mbështetje. Profesioni i tyre duhet të futet tek të vështirat


Mezaj: Policët janë të rrezikuar, mbrohen më shumë kriminelët

Policia e shtetit është më pak e mbrojtur për sigurinë dhe shëndetin në punë, më pak e vlerësuara dhe ky profesion nuk është futur tek të vështirat. Kështu u shpreh kryetari i sindikatës së Shërbimeve Policore në Konfederatën e Sindikatave, Valentin Mezaj, i cili theksoi se askush nuk duhen të lërë pas dore këtë kategori punonjësish.


"Ju zoti ministër besoj se kur po vinit në këtë konferencë gjetët mbështetjen e Policisë Rrugore për të hapur rrugën që të vini shpejt dhe rehat. Madje, në makinë keni edhe kondicioner, kurse policët punojnë në mes të pluhurit, vapës dhe kaosit", - theksoi Mezaj, duke iu drejtuar ministrit të Punës, Ksera.


Gjithashtu, ai theksoi se punonjësit e policisë nuk kanë asnjë mbështetje as në ushqimet që duhet të marrin as në paga, pasi ato janë shumë të ulëta. Ndërsa, sa i takon elementeve të sigurisë që mbron policinë, Valentin Mezaj theksoi se këtë element mungojnë fare dhe policia përballet çdo ditë me rrezikun ndaj shëndetit, por edhe ndaj jetës.


"Dua të theksoj për rrezikun që përballet policia, ndërsa siguria dhe mbështetja ndaj tyre është pothuajse zero. Krimineli në burg ka psikolog, sociolog, avokat dhe çdo gjë që i mbrohet jeta, ndërsa policët nuk kanë asgjë nga këto.


Profesioni i tyre nuk është cilësuar si profesion i vështirë edhe pse shumë prindër kanë lënë fëmijët jetim në krye të detyrës", - theksoi Valentin Mezaj. Nga ana tjetër, ai ka vlerësuar mbështetjen që jep Ministria e Punës, por, sipas tij, duhet që të gjitha strukturat të bashkëpunojnë për mbështetjen e policëve.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›