E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Protesta/ Pensionistët kërkojnë finalizimin e marrëveshjes së pensioneve me Italinë, Bucci: Do zgjidhet shpejt

Pensionistët shqiptarë janë ngritur në protestë para ambasadës italiane paraditen e kësaj të enjte (10 gusht), duke kërkuar finalizimin e marrëveshjes së pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë.

“Çfarë presin më, jam 82 vjeç. Kur do ta gëzoj pensionin? Është në nderin tuaj që kjo marrëveshje të mbyllet sa më shpejt”, u shpreh një pensionist.

“Duam djersën, mundin, Të jeni të bindur se do e çojmë zërin tonë para parlamentit italian”, tha një tjetër.

Ambasadori italian, Fabrizio Bucci u takua me protestuesit, duke i premtuar se çështja do të zgjidhet shumë shpejt. Ai sqaroi se ka patur vonesa për shkak të disa teknikaliteteve procedurale.

“Pala italiane po bëhet maksimumi për ta zgjidhur këtë problem. Ne jemi tani në momentet e fundit të dakordësimit me palën shqiptare, mungojnë pak gjëra. Në javët e ardhshme apo maksimumi në muajit e ardhshëm do të realizohet firmosja e marrëveshjes italo-shqiptar. Ka qenë pak e vështirë sepse ka pasur disa teknikalitete për procedurë”, u shpreh ambasadori Bucci.

Marrëveshja mes dy vendeve u arrit në korrik të vitit të kaluar, por ende nuk është bërë ratifikimi i saj.  Përfitues nga kjo marrëveshje parashikohet të jenë afërsisht 500.000 mijë shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë e punojnë në Itali.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›