Protesta, Rama: Berisha vrau shpresën
TIRANË- Mijëra qytetarë të ardhur nga gjithë Shqipëria kanë protestuar së bashku në një tubim, ku nuk mungoi as kërkesa për largimin e kryeministrit Sali Berisha si përgjegjësi kryesor për humbjen e besimit të shtetit, sidomos pas tragjedisë së Gërdecit, që kulmoi me vdekjen e biznesmenit Kosta Trebicka.
Protestën e ka përshëndetur fillimisht kreu i Shoqatës “Gërdeci”, Gëzim Gjoni, i cili ka akuzuar kryeministrin Berisha se jo vetëm vrau dhjetëra njerëz dhe shkatërroi mijëra prona, por edhe gënjeu më pas banorët e kësaj zone të prekur nga tragjedia, për mbështetjen e shtetit dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve të saj.
“Gjashtë muaj më parë, së bashku me shpërthimin e Gërdecit, shpërtheu dhe ndjenja e pasigurisë në Shqipëri. Sot, gjashtë muaj më pas, drejtësia ende nuk ka vepruar, dora mbështetëse e shtetit mungon dhe siguria e jetës është më e ulët se kurrë më parë. Berisha mashtroi Gërdecin”,- tha Gjoni.
Më pas kanë folur me radhë krerët e partive opozitare, Milo, Gjinushi, Meta, Rama dhe kreu i “G99”, Erion Veliaj, të cilët sollën në vëmendje të pjesëmarrësve se keqqeverisja trevjeçare e Berishës ka sjellë për shqiptarët më shumë dhimbje se gëzime. Duke iu referuar pikërisht rastit të vdekjes së dëshmitarit kyç të trafikut të armëve, Kosta Trebicka, ata kanë evidentuar faktin se sot në Shqipëri nuk ka siguri për asgjë, duke filluar që nga rendi, qetësia, por nuk ka siguri edhe për biznesin, ekonominë, ashtu edhe bujqësinë.
"Problemi ynë nuk është problem nëse Berisha ka apo jo gisht në vdekjen e dëshmitarit kyç të tragjedisë së Gërdecit, por problemi është se Sali Berisha ka dorë në vdekjen e shpresës”- ka thënë Rama, duke folur para mijëra qytetarëve.Shqipëria, ka theksuar Rama ka një shpresë, një rrugë, një forcë dhe kjo është forca e bashkimit të gjithë atyre që kuptojnë se ata, të vrarët në Gerdëc, ishin shqiptarë e shqiptare, burra, gra e fëmijë, që prehen në banesën e fundit, jo nga dora e zotit, por nga dora e qeverisë së Sali Berishës.
“Ne jemi për të dëshmuar se Shqipëria nuk është e kryeministrave, por e qytetarëve, jo e pushtetarëve, por e qytetarëve, nuk është e interesave, por e të ardhmes së përbashkët të të gjithëve. Socialistë e demokratë, burra e gra kanë nevojë për siguri”- ka thënë më pas ai, duke shtuar se vdekja e shkaktuar nga qeveria është më e rëndë se ajo që kemi në shpinë që nga lindja.
Sipas Ramës, vendit nuk i duhet politika që justifikohet, fshihet, e i trembet të vërtetave, qytetarëve dhe premtimeve të veta. “Jemi për të dëshmuar se pa zbardhjen e tragjedisë, pa vënë në vend dinjetetin dhe nderin që kjo qeveri, ua mori familjeve në Gërdec, do të lëmë pa nder e pa dinjitet veten dhe familjen tonë”.
Vendi, sipas tij, ka nevojë për një shtet që të na sigurojë të gjithëve nderin, dinjitetin, punën, e cila sot është ankthi i madh i familjeve.
“Nuk kemi nevojë për këtë kryeministër, i cili është i dyshuari i madh i asaj që ndodhi në Gërdec, i atyre që ndodhën pas Gërdecit e që vazhdon të mendojë se mund të mbajë pushtetin, duke bërë shantazh mbi akuzën, e duke kujtuar se e vërteta mund të mbulohet”- tha Rama.
***Pak ore para nisjes se protestes, PS permes zedheneses Mimi Kodheli, ka rikujtuar qytetaret per pjesemarrjen ne manifestimin per sigurinë dhe drejtësinë. Duke cituar problemet e një qeverisjeje më shumë se trevjeçare, Kodheli u shpreh se më shumë se asnjëherë ndihet pasha e një misioni për të përgatitur ndryshimin e madh të Shqipërisë, për t’i dhënë zë miliona shqiptarëve.Katër ditë më parë, kryetari i PS-së, Edi Rama, ftoi përmes një konference për shtyp të gjithë qytetarët që të dalin në këtë protestë për të manifestuar në një zë të vetëm, nevojën jetike të të gjitha familjeve shqiptare për siguri dhe drejtësi.
Rama e bëri këtë ftesë, duke kërkuar zbardhjen e së vërtetës jo vetëm për tragjedinë e 15 Marsit në Gërdec, por edhe për vdekjen e dëshmitarit kyç të trafikut të armëve, Kosta Trebicka.