Shkarkohen krerët e burgut të Shënkollit
Shënkoll- Shkarkohen nga detyra krerët e burgut Shënkoll në Lezhë, ku vuajnë dënimin rreth 700 të dënuar. Ka qenë një shkresë e dërguar me urgjencë nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe e konfirmuar dhe nga ana e ministrisë së Drejtësisë që ka sigluar shkarkimin masiv të drejtuesve më të lartë të këtij burgu, disa shefave të tjerë, si dhe magazinierë e infermierë.
Mësohet se janë liruar nga detyra drejtori i këtij burgu Islam Ismaili, nëndrejtori Kastriot Piroli, shefi i ushqimit, shefja e psikologjisë S. Bundo, disa edukatorë dhe psikologë. Po ashtu janë dhënë vërejtje dhe masa paralajmëruese me pushim nga puna për shefa të tjerë, për farmacisten B. Prenga dhe një numër të konsiderueshëm të pjestarëve të tjerë të shërbimit të brëndshëm.
Në shkresën përcjellëse që njofton këto masa drastike ndaj drejtuesve dhe një pjese të personelit të këtij burgu nësohet të thuhet se të gjitha këto masa janë marrë pas kontrolleve të ushtruara në këtë burg prej kohësh ku janë konstatuar shkelje të rënda ligjore, si vjedhje, shpërdorim detyre e korrupsion.
Krahas masave ndëshkuese me largim nga detyra, për ata që kanë shkelje monetare janë dhënë dhe masa administrative, në mes të cilëve magazinieri i burgut, ndërkohë që ende nuk bëhet e ditur nëse do të ketë procedime penale, pasi nga ana e prokurorisë së Lezhës në një preononcim për gazetën thuhet se deri më tash shkarkimet si masa administrative vetëm sa janë dëgjuar nëpër koridoret e prokurorisë dhe nuk ka ndonjë denoncim të adresuar.
Duket se e tërë kjo ka qenë në syrin e investigimeve të organeve të specializuara të hetimit dhe të antikrimit ekonomik, ku mësohet të jenë evidentuar një sërë shkeljesh të rënda që nga dhëniet e lejeve, vjedhje në normat e ushqimit etj. Bëhet e ditur se informacionet e para, organet e hetimit i kanë patur nga vetë të burgosurit, pasi janë shkruar letra të tëra me akuza të rënda që u adresohen drejtuesve dhe një pjese të personelit të atyshëm, letrat e të burgosurëve janë drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit por dhe medias.