Ekspertiza: Makina e Trebickës, asnjë defekt
Tiranë- Gjendja e makinës me të cilën udhëtonte biznesmeni Kosta Trebicka, ditën kur u gjet i vdekur ka rezultuar shumë e mirë. Përfundimi vjen pas ekspertizës që i është kryer automjetit nga ekspertët shqiptarë dhe ata të huaj.
"Automjeti me të cilin udhëtonte Trebicka ka rezultuar i rregullt sa i përket anës teknike dhe të pjesëve xhenerike të tij"- thonë burimet nga Korça, që i referohen ekspertimit të automjetit. Sipas tyre, edhe sistemi i frenimit ka qenë pa probleme, ndërkohë që makina nuk ka pasur asnjë problem teknik.
Hetimi i pavarur i dy ekspertëve amerikanë, një prej të cilëve specialist auto-teknik, zgjati më se tre orë dhe u krye paralelisht me verifikimet që bëri grupi hetimor i ngritur nga Prokuroria dhe Policia rajonale për rastin e vdekjes sëKosta Trebickës.
Në përfundim të ekspertizës, dy palët e përfshira në këtë verifikim të specializuar kryen edhe një provë me lëvizje me automjetin e Trebickës në mjediset e Drejtorisë rajonale të policisë së Korçës.
Ekspertet amerikane nisin hetimetEkspertët amerikanë nisin hetimet sot ne mesdite për ndërtimin dhe verifikimin e skemës së ngjarjes që çoi në vdekjen e biznesmenit Kosta Trebicka. Ekspertët u nisën sot për në fshatin Gjergjevicë, rreth 3 km larg Voskopojës në rrethin e Korçës.
Eksperti amerikan auto-teknik Kevin Teter iu bashkangjit grupit hetimor shqiptar, si dhe një tjetër eksperti amerikan që i ka ndjekur hetimet që nga dita e parë bashkë me prokurorinë shqiptare.
Për të shkuar në vendngjarje ekspertët u shoqëruan edhe nga prokurori i rrethit, si dhe drejtori i policisë rajonale. Fillimisht ata u ndalën në vendin ku ndodhi aksidenti dhe përreth 20 minuta kanë realizuar këqyrjen e vendit të ngjarjes, si dhe mundësinë e ndodhjes së automjetit. Më pas, grupi i ekspertëve iu drejtua ndërtesës së Drejtorisë së Policisë ku ruhet mjeti i Kosta Trebickës. Atje ekspertët realizuan disa herë prova për verifikimin e gjendjes së frenave të dorës dhe të këmbës të makinës. Verifikimet në automjetin e biznesmenit mësohet të kenë zgjatur përreth 20 minuta të tjera dhe më pas makina është rikthyer në garazhdin e Drejtorisë së Policisë.