E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta, Tirana “pushtohet”nga mbështetësit opozitarë

TIRANE- Ashtu sikurse dhe ishte paralajmëruar protesta e sotme e opozitës ishte jo vetëm një mbështetje për grevistët e urisë por edhe një demonstrim force i përkrahësve që mbështesin kërkesën e opozitës për hapjen e kutive. Për këtë arsye, Tirana ka pritur sot mijëra mbështetës socialistë të ardhur nga qytete te ndryshme te vendit me autobuse dhe mjete te ndryshme kane zbritur në periferi të kryeqytetit për tu bashkuar dhe për të marshuar drejt Bulevardit Dëshmorët e Kombit ku është zhvilluar dhe protesta e madhe e socialistëve.
Protestuesit e ardhur nga rrethet, por edhe ata të Tiranës janë shpërndarë në kryeqëzime të ndryshme të kryeqytetit dhe kanë marshuar drejt qendrës përmes pesë rrugëve kryesore të Tiranës, Bulevardit Zogu i Parë, Bulevardit Bajram Curri, Rruga e Elbasanit, Rruga e Kavajës dhe Rruga e Durrësit.
Me parrulla, pankarta dhe banderola protestuesit kanë marshuar rrugëve të Tiranës me thirrje kundër kryeministrit Berisha dhe qeverisë që ai drejton. Për afro 30 minuta akset kryesore të Tiranës janë paralizuar nga turma e madhe e protestuesve. Turmat e mbështetësve të PS janë drejtuar nga deputetë të ndryshëm socialistë që sipas strategjisë së zgjedhur nga selia rozë janë shpërndarë në 5 akset kryesore prej ku dhe protestuesit kanë marshuar drejt Bulevardit Dëshmorët e Kombit.
I gjithë marshimi i protestuesve i cili kaloi pa incidente është mbajtur nën vëzhgimin e rreptë të policisë. Shumë forca policore janë shpërndarë në akset kyce të Tiranës.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›