E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo: Mendoj për Sienën, jo për Madridin

TORINO- Nuk është ende koha për të menduar për Madridin. Zhoze Murinjo kërkon përqendrim maksimal për ndeshjen e së dielës ndaj Sienës, ku Interi i tij mund të ketë një rënie të “tensionit” me mendjen në finalen e javës së ardhshme në “Bernabeu”. Zikaltërit duhet të fitojnë në fushën e Sienës për të siguruar matematikisht titullin dhe një gjë e tillë nuk duket aq e lehtë, duke parë edhe faktin se vendasit janë mobilizuar në maksimum. “Unë mundohem shumë të mos mendoj për finalen e Madridit, - deklaroi Murinjo për uebsajtin zyrtar të UEFA-s. – Bajerni tashmë është kampion i Gjermanisë, ndërsa ne nuk jemi akoma në Itali. Kemi një tjetër ndeshje për të luajtur dhe titulli kampion është shumë i rëndësishëm për ne”. “E megjithatë, - shton Murinjo, - finalen e Champions League nuk mund ta heqësh lehtë nga mendja. Në Madrid është një ndeshje që të gjithë do të donin ta luanin, një ndeshje shumë e rëndësishme, sepse Interi ka 50 vjet që nuk e fiton këtë kompeticion”. Murinjo kërkon shumë përqendrim dhe unitet në grup. “Jemi në momentin kyç të sezonit. Luajmë gjithçka në dy ndeshje, luajmë për dy trofe të rëndësishëm”, shton ai.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›