Protesta e Hidit: “Kudo gjyqtaret jane njelloj”Alki humbi 1-0 me Ethnikos te dielen. “Dha një penallti të paqenë për Ethnikosin në minutën e 47-të, ndërkohë që neve na mohoi 11-metërsh të pastër”, - tha për “Albania-sport.com” nga Qipro,

Alki Larnaka i Isli Hidit dhe Blerim Rustemit pësoi të dielën kundër Ethnikos Aknasit (0-1) humbjen e tretë në shtëpi dhe të pestën në kampionat, por portieri i Alkit dhe i Kombëtares shqiptare, Hidi, ia faturon tërësisht gjyqtarit të takimit.
“Dha një penallti të paqenë për Ethnikosin në minutën e 47-të, ndërkohë që neve na mohoi 11-metërsh të pastër”, - tha për “Albania-sport.com” nga Qipro, Isli Hidi. “Na mbyti fare, aq sa dhe jo vetëm ne lojtarët e stafi teknik, por dhe tifozët tanë u revoltuan jashtë mase. Një gjykim tërësisht tendecioz e i dobët”.
I pyetur nga Albania-sport.com për të dhënë një gjykim në lidhje me performancën e gjyqtarëve qipriotë me ata shqiptarë, ish-portieri i Tiranës tha: “Kam shumë vite që luaj futboll, por një gjë dua të them, të paktën nga përvoja ime, si në Shqipëri, por dhe në Ukrainë (luajti një sezon me Krivbasin) dhe në Qipro, gjyqtarët janë të ngjashëm. Njerëz janë dhe arbitrat, por gabojnë ashiqari, të dhemb shumë. Ky që na arbitroi kundër Ethnikosit e kaloi disa herë masën. Për më tepër që Ethnikos nuk gjuajti një herë në portë, pavarësisht se janë në vendin e katërt në kampionat (pas 12 javësh)”.
Hidi nuk lë pa përmendur edhe lojën gjithmonë në rritje të mbrojtësit Blerim Rustemi. “Ka fituar një stabilitet dhe është bërë lojtar i domosdoshëm në ekip. Çmohet shumë edhe nga media, por dhe nga trajnerët e ekipeve kundërshtare”.
Pas 12 javësh, Alki Larnaka ndodhet në vendin e 8-të me 13 pikë, duke qenë ekipi i pestë më i mirë nga 14 ekipet e kampionatit qipriot, përsa i përket pikëve të fituara në shtëpi. “Askush në skuadër dhe nga drejtuesit nuk është i kënaqur me vendin e 8-të. Na janë mohuar disa pikë nga gjykimi dhe për më tepër kemi forca e mundësi për më lart”, - tha 28-vjeçari Hidi, i cili mbrojti portën në ndeshjen e fundit miqësore të Shqipërisë kundër Azerbajxhanit në Baku (1-1), më 19 nëntor 2008.
Tre ekipet e tjera qipriote ku luajnë shqiptarët e tjerë, Duro, Beqaj e Haxhi ndodhen në vendet e para të tabelës, madje me një diferencë prej një pike ndaj njëri-tjetrit kur ka mbetur vetëm një javë nga përfundimi i fazës së parë: Omonia e Klodian Duros (30 pikë), Apoel i Altin Haxhit (29 pikë) dhe Anorthosis i Arjan Beqajt (28 pikë).
“Duro është i kënaqur me vendin e parë, - tha Hidi për ish-shokun e tij te Tirana. “Fola të dielën me të dhe më tha, se këtë sezon Omonia e tij ka shanset më të mëdha për t’u shpallur kampion i Qipros. Është vërtet i kënaqur këtu”. Omonia e Duros fitoi 2-0 me Alkin (java 2), Apoel i Haxhit humbi 1-0 (java ) me Alkin, ndërsa Anorthosis i Beqajt fitoi 2-1 me Alkin (java 9).
Ndeshja e ardhshme e Alkit është ajo kundër Ael Limasolit në transfertë, të hënën më 15 dhjetor 2008.
Kampionati Qipriot
Renditja pas 12 javëve
1. Omonia 30 pikë (Duro)
2. APOEL 29 pikë (Haxhi)
3. Anorthosis 28 pikë (Beqaj)
----
8. Alki 13 pikë (Hidi, Rustemi)
---
14. Atromitos 5 pikë
E Hene, 08 Dhjetor 2008