E Shtunë, 31 Tetor 2026

TIFF Thesaret e kinemasë përballë konkurrentëve

Autori i Lajmit: Redaksia
Një ndërthurje e filmave më të rinj shqiptar, por edhe filmave që kanë bërë legjendë në kinematografinë shqiptare. Një homazh për kineastin e mirënjohur shqiptar Viktor Gjika do të sjelli në ekranin e madh të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit filmat “Debatik”, “Rrugët e bardha”, “Komisari i dritës”, “Gjeneral Gramafoni” (1978) etj. Ky festival ka zgjeruar hapësirat e prezantimit të filmave, duke prezantuar edhe një kategori të re të filmit me metrazh të gjatë dhe kategorinë “DigiArt Film” televiziv me metrazh të shkurtër. Ndërsa mbrëmja e parë e “Tirana International Film Festival” është hapur me filmin e “Muaj mjalti”, filmi i parë serbo-shqiptar, parada e filmave do të vazhdojë me filma të tjerë si "Platoss Academy" e regjisorit grek Filippos Tsitos, i cili është shfaqur mbrëmjen e djeshme, "Devils town" Vladimir Paskaljevìc (Serbi), "Cold Souls" Sophie Barthes (Francë) e të tjerë. Prania e regjisorit serb Goran Paskaljevic, i cili ishte i pranishëm në premierë ishte surpriza e parë e këtij eventi. Ndërkohë që në takimin me mediat drejtori i festivalit, Ilir Butka pohoi se "është një edicion që mbart shumë risi", duke përmendur kategorinë në konkurrim të filmit të gjatë, për herë të parë.

Filmat konkurrentë

Deri më 6 dhjetor, në sallën e madhe të Teatrit Kombëtar projektohen rreth 15 filma të gjatë, ndër të cilët "Platoss Academy" e regjisorit grek Filippos Tsitos, "Devils toën" Vladimir Paskaljevìc (Serbi), "Cold Souls" Sophie Barthes (Francë). Në sallën e vogël të teatrit publiku mund të shohë shfaqjen e rreth 100 filmave me metrazh të shkurtër të ndarë në seksionet fiction, dokumentarë dhe të animuar. Kurse autorë shqiptarë të kësaj gjinie të filmit janë afro 30.
Për programin special të festivalit, një nga hartuesit e programit, Genc Përmeti përmendi shfaqjen e tri filmave të regjisorit grek Teos Angjelopulos "Eternity and a day" (1998), "Lanscape in the mist" (1988) dhe "UlyssesGaze" (1995). Sipas organizatorëve, regjisori grek ka konfimuar qëndrimin e tij në ditën e fundit të festivalit.

Kinematografia kineze e viteve 70

Përmeti tha se do të prezantohet kinemaja kineze e viteve 70 me filmat "Nga fitorja në fitore" (1952), "Duke kaluar lumin Jance" (1974), "Lindja është e kuqe" (1965).
Të përqendruar në idetë e përgjithshme për festivalin, mënyrës sesi voton publiku, shfaqjes së filmave në një platformë me pagesë, organizatorët lanë në hije vetë programin për publikun, orët dhe datat e ngjarjeve më kryesore të këtij festivali, të ftuarit, jurinë dhe tributin që ky festival i kushton regjisorit shqiptar, Viktor Gjika, i cili u nda nga jeta në mars të këtij viti.

Legjendat e kinemasë

Në këtë festival, që për herë të parë këtë vit është edhe festival i filmit me metrazh të gjatë, do të shfaqen edhe thesare nga Arkivi i filmit shqiptar. E në fakt, ky është i dyti vit që shfaqen pjesë të këtyre thesareve. Në katalogun e TIFF organizatorët shkruajnë: "Vitin e kaluar, në dritë të vështirësive tona financiare i kërkuam Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit të na jepte mundësinë e shfaqjes së disa filmave nga arkiva e tyre. Krizën e shndërruam në një nga sukseset e edicionit të fundit të TIFF- Thesare nga Arkivi i Filmit Shqiptar, ku prezantojmë filma klasikë dhe të importuar gjatë periudhës komuniste, por që nuk janë projektuar për dekada të tëra". Sipas organizatorëve, filmat e rrallë "Beteja e Algjerit" nga Gillo Pontecorvo, "Gruaja meksikane" nga Emilio Fernandez dhe "Hijet e bardha" nga Nicholas Ray (të titruar në shqip), nuk do të rishfaqeshin pa punën e AQSHF-së. Tre filmat që shfaqen këtë vit janë importuar në Shqipëri në harkun kohor të viteve 1945-1966. I pari, "Gruaja meksikane", është një film që cilësohet si një ndër kryeveprat e kinemasë amerikano-jugore. Është historia e një të dënuari të varfër, i cili kthehet në vendin e origjinës dhe bie në dashuri me të dashurën e një bosi. "Beteja e Algjerit" është një prej filmave politikë më influencues në histori. Gillo Pontecorvo ka rikrijuar betejën algjeriane të pavarësisë, duke punuar me aktorë jo profesionistë dhe teknikat e një dokumentari bardh e zi. Tek filmi i vitit 1960, "Hijet e bardha", aktori Anthony Queen shfaqet me një performancë të paharrueshme, si një eskimez që kërkon dashurinë dhe shpëtimin...

Ky lajm është publikuar: 30/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›