Protesta e Rithemelimit/ Berisha thirrje qytetarëve: Zëri juaj, rëndësi vendimtare për demokracinë

Teksa na ndajnë edhe pak orë nga protesta e Partisë Demokratike të Rithemelimit, kreu demokrat, Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në atë të cilën ai e konsideron si revolucionin e Shqipërisë. Berisha u drejtohet qytetarëve duke u thenë se zëri dhe prania e tyre në protestën e orës 17:00 para Parlamentit, ka rëndësi vendimtare për demokracinë në Shqipëri.
“Qytetarë dhe qytetare, zëri juaj dhe prania juaj ka rëndësi vendimtare për demokracinë në Shqipëri. Duhet të bashkojmë forcat tona për t’i dhënë përgjigjen e merituar këtij regjimi që nuk meriton asnjë ditë. Ju e shihini, ata që u strukën në vrima miu në datën 11 shkurt, ata që postuan video të regjistruara kohë më parë, tani dalin nga vrima e miut ku ishin futur dhe tallen me qytetarët. Ky është morali i tyre, karakteri i tyre. Ndaj dhe sot në ora 5, ju ftoj të gjithëve para parlamentit, të dëgjohet zëri juaj, në sallë dhe jashtë sallës, zëri i popullit opozitar”, tha Berisha.
Ndërkaq, në një dalje të dytë për mediat para fillimit të protestës së opozitës ish-kryeministri Berisha ka deklaruar se deputetët e djathtë në parlament janë trajtuar në mënyrë antikushtetuese.
Sipas Berishës, Edi Rama po shkel me të dyja këmbët Kushtetutën e vendit. Për këtë arsye, sipas ish-kryeministrit, opozita ka nisur ‘revolucionin’ e saj.
“Theksoj se në parimin tonë, aty ku është shtypja, aty do të jetë qëndresa, aty do të jetë fitorja. Ne nisëm një revolucion i cili ka për objektiv madhor, përmbysjen e monizmit të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve, rikthimin e të drejtës së votës së lirë të këtyre qytetarëve si objektivat më madhorë të tij. Në kushtet e monizmit të plotë një nga institucionet më të goditura është parlamenti. Libri themelor i çdo kombi të qytetëruar që është kushtetuta shkelmohet në parlament, dhunohet në parlament. Deputetët e opozitës në parlament janë trajtuar në mënyrën më antikushtetuese. Të drejtat e tyre janë dhunuar, janë pjesëtuar si kurrë ndonjëherë më parë në historinë e parlamentit. Për të drejtën e fjalës deputetët janë përjashtuar nga parlamenti, të tjerë në kundërshtim me çdo ligj dhe rregull shpallen të përjashtuar nga grupi me urdhër të Edi Ramës. Por deputetët e opozitës nuk përfaqësojnë vetëm veten e tyre, por 750 mijë votues të cilët në zgjedhjet e fundit votuan për forcat opozitare. Të injorosh në këtë mënyrë 750 mijë votues, të sillesh me këtë brutalitet, dhe këtë armiqësi të egër ndaj tyre nuk bën gjë tjetër veç se kërkon konfliktin e hapur. Në këto kushte ne nisëm revolucionin tonë, për ta vazhduar atë në të katër anët e vendit gjer në triumfin e tij. Nuk ka dyshim që parlamenti është një epiqendër jashtëzakonisht e rëndësishme”, u shpreh Berisha.
/rtsh.al/