E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Tërmeti/ Sot Ditë Zie Kombëtare, Begaj: Nuk do të harrojmë kurrë ndihmën e Turqisë

Ndërsa e hëna e sotme është shpallur nga qeveria, Ditë Zie Kombëtare, në shenjë solidariteti me Turqinë dhe Sirinë pas tragjedisë së 6 shkurtit, ku tërmeti mori jetën mijëra personave edhe Presidenti i vendit, Bajram Begaj ka shprehur solidaritetin për familjet që po përballen me këtë tragjedi. Në një postim në Facebook, Begaj shprehet se populli shqiptar nuk do ta harrojë kurrë ndihmën e Turqisë, dhënë gjatë tërmetit që goditi vendin tonë në 26 nëntor 2019.

“Në këtë ditë zie kombëtare, le të bashkojmë lutjet tona dhe të shprehim solidaritetin me familjet që po përballen me tragjedinë e tërmetit në kufirin turko-sirian.Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë ndihmën e Turqisë gjatë tërmetit që goditi Shqipërinë në 26 Nëntor 2019”, shkruan Begaj.

Ditën e sotme (13 shkurt), flamuri kombëtar do të ulet në gjysmë shtizë, ndërsa, kushdo sipas dëshirës, mund të ndezë qirinjë në shenjë solidariteti.

Pas tërmetit tragjik të 6 shkurtit në Turqi dhe Siri, Shqipëria dërgoi në Malatya dy ekipe kërkim-shpëtimi. Shqipëria dhe Turqia kanë marrëdhënie mjaft miqësore. Të dy vendet kanë ndihmuar njëri-tjetrin në raste fatkeqësish. Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 që goditi Shqipërinë, ekipet turke të shpëtimit ishin të parat që mbërritën në zonat e dëmtuara. Më pas presidenti turk, Recep Tayip Erdogan mori përsipër ndërtimin e 522 banesave në Laç, të cilat përfunduan brenda një viti.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›