E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojkoti, kohë e artë për vjedhjet e Edi Ramës në bashki

Zhumra që vetë Edi Rama po sponsorizon për mungesën e deputetëve socialistë në parlament po shoqërohet me investigimin e abuzimeve në bashkinë e Tiranës. Lëvrimi i tenderave, keqpërdorimi i buxhetit të taksapaguesve prej më shumë se 50 milionë dollarëve dhe intensifikimi i klimës së bakshisheve për shërbimet që u ofrohen qytetarëve po shndërrohet në një kohë të artë për Edvinin. Institucionet e kontrollit s’duhet ta humbasin vëmendjen nga tensionet politike, por duhet të intensifikojnë hetimet për dosjet e reja që po krijohen nga veglat e kryetarit socialist në administratën e bashkisë

Edi Rama, me bojkotin e Parlamentit, të cilin ua ka imponuar deputetëve të tij, ia ka arritur që ta zhvendosë vëmendjen dhe interesimin e institucioneve të shtetit, që duhet të kontrollojnë “fatin” e fondeve të bashkisë së Tiranës. Në këto kushte, kryebashkiaku i Tiranës, po e shfrytëzon këtë periudhë “ulje vigjilence” të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme, apo institucioneve të tjera që kushtetuta e vendit u ka atribuar mekanizmat e kontrollit, për të thelluar abuzimet e tij, me tenderët e zhvilluara nga bashkia e Tiranës, me thellimin e kulturës së bakshishit për ofrimin e shërbimeve, apo edhe me manipulime të tjera që po shoqërojnë paraqitjen para publikut të projektit për zhvillimin urbanistik të kryeqytetit.
Edi Rama, këtë herë nga pozitat e kryetarit të bashkisë së Tiranës, ka mundur të vjelë frytet si kryetar i PS-së. Këtë mundësi e ka fituar edhe falë “harresës” së institucioneve “kontrolluese” që midis detyrave të tjera kanë edhe atë të ushtrimit të një investigimi të mundshëm të “trajtimit” të fondeve të bashkisë së Tiranës, që ju bën kryebashkiaku. Pas kësaj “harrese”, ka ardhur koha që Kontrolli i Lartë i Shtetit, apo edhe Prokuroria e Përgjithshme, t’i bëjnë ndonjë vizitë kryebashkiakut, thjesht edhe vetëm për ti lëshuar atij ndonjë “certifikatë ndershmërie”. Të mos harrojmë se padinë e fundit për korrupsionin masiv në bashkinë e Tiranës (pas hetimit parlamentar të qershorit të kaluar) e ka bërë Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, i cili ka evidentuar një konflikt të pastër interesi të dy anëtarëve të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë në dhënien e më shumë se 25 lejeve të ndërtimit, brenda një viti kalendarik.
Por të bësh “harraqin” për të mos i prishur qejfin Edi Ramës, nuk ka asgjë të përbashkët, me të kryerit e detyrës. Në qoftë se një kohë e tillë gëlon nga zhurmimi prej bojkotit të deputetëve të PS-së,  i cili afërmendsh handicap-on parlamentin dhe zgjon edhe shqetësimin e partnerëve tanë ndërkombëtare, kjo kohë është e artë vetëm për vjedhjet e bashkisë, për vjedhjet e buxhetit, për lëvrimin e përqindjeve e të bakshisheve, por edhe për një formalizim të minutës së fundit të tregut të padrejtë të vendeve të punësimit në agjencitë e bashkisë së kryeqytetit. Por kjo kohë e artë duhet të kundërshtohet nga koha e aksionit, një moment që ka trokitur tashmë për Kontrollin e Lartë i Shtetit, Prokurorinë e Përgjithshme, apo edhe institucione të tjera, të cilat duhet të shpeshtojnë investigimet... Është koha e konfirmimit të këtyre vjedhjeve, pas dhjetëra dosjesh abuzimesh që ndodhen edhe në tryezat e tyre, ose të pranojnë që “Edi Rama nuk vjedh”, pas hetimeve (të munguara) të tyre.
Por gjithsesi, këto institucione duhet të fillojnë njëherë investigimin dhe hetimin edhe në bashkinë  e Tiranës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›