Berisha: Partia Demokratike e Shqipërisë dhe ajo Komuniste e Kinës kanë sjellë ndryshime epokale
“Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që ndodhej në Kinë, me rastin e Lojërave Olimpike, ku me siguri Kina do t'i tregojë botës sukseset dhe progresin e saj të madh. Kryeministri Berisha e cilësoi vizitën e ministrit Jiarui në Shqipëri si të suksesshme dhe theksoi se dy partitë, Partia Demokratike Shqiptare dhe Partia Komuniste e Kinës kanë sjellë ndryshime epokale në vendet e tyre, ndaj bashkëpunimi dhe angazhimi i ndërsjellë mes tyre do të njohë progres të vazhdueshëm dhe lidhje të forta nga të gjitha strukturat e tyre. Duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve, kryeministri Berisha shprehu dëshirën për të pritur kryeministrin e Kinës, zotin Wen Jiabao, në Shqipëri. Më pas, kryeministri Berisha e njohu zotin Jiarui me reformat e ndërmarra nga qeveria në fusha të ndryshme, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në fushën ekonomike. Në këtë kontekst, kryeministri e njohu zotin Jiarui me përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë shqiptare për krijimin e një klime sa më tërheqëse për investimet e huaja”, - thuhet në një njoftim të Kryeministrisë.