E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta edhe ne Iran. Nje i vdekur

Nën thirrjet “vdekje diktatorit” turmat që valëvisin ngjyrat e opozitës  kanë pushtuar sheshet e Iranit në qytete të ndryshme të vendit për të sfiduar Ahmadinejad e për të mbështetur revoltat në Tunisi dhe Egjipt. Manifestime të tilla mungonin që në dhjetor të 2009, kur në kuadër të protestave humbën jetën 8 persona. Edhe kësaj here protestat kanë shënuar të paktën një të vdekur ndërsa të vetmet pamje vijnë nga Youtube.

Media shtetërore në vend transmeton vetëm tubuimet  proqeveritare. Pamje të postuara në YouTube tregojnë forcat e sigurisë në Iran duke  përdorur gaz lotsjellës, ndërsa në faqet e internetit të opozitës thuhet se dhjetëra mbështetës janë arrestuar të hënën.

Disa mijëra vetë morën pjesë në një manifestim të organizuar nga opozita në Teheran, i cili sipas autoriteteve ishte i paligjshëm. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje ndonëse turma marshonte e heshtur policia vendosi ta shpërndante atë me gaz lotsjellës. Gjatë trazirave  bëhet e ditur se janë përmbysur kosha hedhurinash të cilëve më pas u është vënë flaka nën thirrjet “Pas Mubarak e Ben Ali tashmë është ora e Seyed Ali”, liderit supreme të Iranit Ali Khamenei. Në qytetin me 12 milion banorë janë raportuar përplasje me forcat e rendit. Gjatë kohës së protestës në zonë energjia elektrike dhe shërbimet e telefonisë celulare janë ndërprerë.

Sipas agjencisë së lajmeve gjysëm shtetërore Fars viktima, një kalimtar i rastit  është qëlluar në kokë nga demonstruesit. Dëshmitarët në vendngjarje tregojnë se të paktën tre demonstrues janë dërguar në spital të plagosur me armë zjarri, të tjerë janë rrahur.

Edhe në qytete të tjera të vendit njoftohet se ka pasur demonstrime. Ndërkohë  nuk ka munguar për protestuesit mbështetja e Shteteve të Bashkuara . Sekretarja e shtetit Hillary Clinton i uroi opozitës në Iran sukses si ai në Egjipt. Clinton e akuzoi qeverinë iraniane për hipokrizi dhe e paralajmëroi kundër përdorimit të dhunës. Ministria e jashtmne në Teheran si kundërpërgjigje u kërkoi SHBA-ve të  mos  përfshihen në punët e brendshme të Iranit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›